Olga Pałasz
Varshave-Poloni
Për çdo turist, kam përshtypjen edhe për çdo pushues shqiptar, mangësia e parë që të bie në sy është niveli i ulët në përgjithësi i shërbimit. Them në përgjithësi ngaqë nuk kam provuar të shoh si është ky element në hotelet apo resortet luksoze ku afërmendsh presupozohet të jetë në nivelin e duhur. Kjo dobësi megjithatë në shumicën e vendeve “kompensohet” me dashamirësinë dhe përzemërsinë e njerëzve të shërbimit.
Në Shqipëri kam ardhur për herë të parë në vitin 2006 dhe më ra të punoja në zonën e Golemit. Vërejtja e sipërpërmendur atëherë kishte përmasa të frikshme, sepse përforcohej edhe nga kushtet e akomodimit dhe mjedisit përreth. Puna ma donte “të ngulesha” në këtë zonë për shumë vite, në shërbim të mijëra turistëve polakë. Kushtet ndër vite erdhën duke u përmirësuar, bashkëpunimi me partnerët shqiptarë po ashtu, ama shërbimi dukej sikur mbetej në vend.
Kolegët dhe të njohurit e mi shqiptarë në interpretimin e këtij konstatimi ma bënë të qartë që burimi i kësaj situate është mungesa e personelit. Njerëzit e shërbimit thirren për të punuar veç muajt e verës, pa asnjë trajnim paraprak, më thanë madje se edhe shpërblimi nuk është kushediçë.
Për operatorët turistikë, pronarët e hoteleve dhe njësive të shërbimit kjo mangësi është evidente megjithatë nuk kam parë prej tyre ndonjë përpjekje të organizuar për ta zgjidhur këtë problem me ndonjë sipërmarrje të përbashkët mbështetur në përvojat e vendeve fqinje, të cilat e kanë turzmin më të zhvilluar se Shqipëria.
Këto radhë të thjeshta po i hedh në publik si pasqyrë të një bisede miqsh të përzier, polakë e shqiptarë, ku më pyetën çfarë më shqetësonte në turizmin shqiptar. Atë që shkrova pak më lart ua shtrova si vërejtje, teksa personalisht më pëlqen këtu edhe kështu siç është. Sepse ka adrenalinë, të mban vigjilent, të bën të debatosh, të japësh e të marrësh, të lë mbrapa shumë mbresa…jo detyrimisht pozitive, le pastaj të kujtosh “të folurën” e kamarierëve nga Vlora!!! Turizmi në Shqipëri është edhe kaotik, i rrëmujshëm, por edhe i sistemuar…
Shqipëria, për fatin tuaj të mirë, veç detit ka edhe male shumë të bukura. Dhe sa përmenden malet vjen vërejtja e të gjithëve- nuk ka shtigje të shenjuara, apo, këtë e kam parë me sytë e mi, ka vetëm dy-tri shigjeta që tregojnë kahjen e ecjes e më tej pothuaj asgjë. Këtë vërejtje e bëjnë ata që pëlqejnë malet dhe këtë lloj turizmi e krahasojnë me praktikat e vendeve të tjera që turizmin malor e kanë biznes gati shekullor. Turistët e huaj që pëlqejnë turizmin malor, me të gjitha disiplinat e tij, mbeten sidoqoftë të mahnitur nga mrekullitë e maleve shqiptare. Edhe kur pësojnë ndonjë frakturë apo dëmtim gjejnë rastin t’i njohin më mirë shqiptarët, të cilët në të gjitha rastet ndihmojnë me ç’mundin. Shqipëria në këtë lloj turizmi ofron aq shumë saqë është e pamundur që në një kohë të shkurtër të mund të mbulohet me bujtina gjithë hapësira malore e vendit. Kam pasur rastin të përshkoj edhe unë me turistë polakë shtigje të pashkelura malore. Na pëlqen spontaneiteti, rastësia, befasia. E thënë shkurt dhe drejtpërdrejt edhe turizmi malor në Shqipëri është kaotik , i rrëmujshëm, por edhe i sistemuar si në Ramëz, Theth, Valbonë, Lëpushë…Sido të jetë mua më pëlqen edhe kështu siç është.
Artikullshkruesja është autore e librit “Made in Albania”























