Shpërthimi i studentëve, fillimi i një revolucioni të vonuar

314

Hajro LIMAJ, Drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare

Protestat studentore prej ditesh kanë pushtuar të gjithë median televizive dhe atë të shkruar. Rinia përreth godinës së ministrisë së Arsimit dhe ditët e fundit edhe sheshit para kryeministrisë po vazhdon me vendosmëri nga mos tërheqja e plotësimit të tetë kërkesave kryesore që i kanë paraqitur qeverisë Rama. Ministria e arsimit tashmë ka kaluar krejtësisht në hije, ndërsa në skenë është i vetëm kryeministri, i cili u kërkon studentëve dialog përballë njëri tjetrit për të diskutuar plotësimin e të tetë kërkesave dhe të tjerave që janë mbas tyre. Konceptet dhe mënyrat e zgjidhjes së kërkesave të drejta të studentëve, kryeministri Rama e shtroi dukshëm në një bashkëbisedim që beri me një grup studentësh në platformen e televizionit “Top Chanel” me moderator Dudushin. Nga pyetjet, diskutimet, përgjigjet dhe kundërpërgjigjet e bëra në këtë ballafaqim rezultoi se e gjithë struktura e sistemit arsimor universitar, nga ministria, universitetet me rektoratet, senate, dekanët, drejtorët e konvikteve, shumica e personelit mësimdhënës e çfarëdo elementi drejtues apo shërbyes janë të paralizuara, të pa përgjegjshme dhe jashtë çdo kontrolli vertikal.

 

Kur studentët thelbin kryesor të kërkesave më shume kanë për vështirësitë ekonomike dhe financiare në përballimin e tarifave mësimore, konvikteve, librave e projekteve, të cilat nuk duhet të kishin mbërritur në këtë gjendje, nëse ministria, rektoratet dhe institucionet e tjera të kësaj ministrie do të kishin kryer detyrat dhe do të kishin komunikimin dhe transparencën e nevojshme me studentët e tyre, bijtë dhe bijat e këtij vendi, mbas tyre qëndrojnë probleme madhore që e nxjerrin lakuriq gjendjen katastrofike të nivelit të mësimdhënies, të varfërisë shkencore, të mësimdhënësve të korruptuar që shesin notat, të pa aftëve që punësohen me miqësi, tarifa apo partitë në pushtet, të kushteve higjieno-sanitare në konviktet me banja të përbashkëta në bazë kati, në mungesën e kushteve të domosdoshme bibliotekare, etj. Shumica e universiteteve, siç është universiteti i Tiranës janë në konflikte të brendshme midis rektorit dhe dekanëve deri tek tenderët, ku kërkojnë kush të shvatë më shumë nga taksapaguesit e varfër shqiptarë. Krahas këtyre doli se universiteti i Gjirokastrës ka katedrën e Infermierisë 3 vjeçare, Bachelor, por nuk ka masterin 2-vjeçar, gjë që i detyron studentët që dy vitet e fundit të vijnë për të studiuar në Tiranë dhe të përballen me vështirësitë që kërkohen. Çuditërisht, universiteteve shtetërore nuk u jepen kontingjentet dhe e drejta programore për doktoraturë, për të cilën kryeministri shtangu, por vetëm universiteteve private, e shumë e shumë të tjera.

***

Para dy vjetësh unë i shkruaja kryeministrit Rama se “Ministria e Arsimit është në situatën më të rëndë të viteve të fundit” duke ia argumentuar dhe shpjeguar me fakte. Emërimi dhe qëndrimi në detyrën e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të zotit Plarent Ndrecës, ardhur nga policia gjyqësorë e Tiranës dhe monopolizimi i kësaj ministrie nga ky person e shkatërroi plotësisht orientimin, koordinimin dhe drejtimin e ministrisë dhe institucioneve në vartësi. Butësia e ministres Nikolla i dha atij të bënte dhe të realizonte çfarë të donte, duke bërë ndarje selektive në universitete në hapjen e katedrave të reja apo të doktoraturave, veçanërisht universitetit Evropian. Pra, ata që kishin lidhje të detyrueshme pune me këtë ministri, e cila ishte kthyer si një komisariat policie nga nga ky polic, shpreheshin troç se kjo ministri ka vdekur dhe është në krizë. Në lidhje me këtë situatë unë më datën 9.5 2017 i shkruaja kryeministrit Rama: “….Z .Ndreca nga lëshimet e ministres Nikolla varrosi plotësisht transparencën me të huajt, shkeli ligjet dhe aktet nënligjore për trajtimin e kërkesave universitare, fshehu dosjet për qëllime të dyshimta dhe ofendon, në kundërshtim me ligjet dhe etikën, autoritetet që koordinojnë punët me ministrinë.

E vetmja zgjidhje është: Shkarkimi nga detyra dhe përjashtimi nga administratë publike e Z. Ndreca, nëse duam të bëjmë shtet. Sekretarit të përgjithshëm të MAS-it i lihen kompetenca të jashtëligjshme për ta bërë ministrinë si pronë private dhe jo shtetërore. Ministria është e popullit dhe shtetit shqiptar. Ata që janë përkohësisht në atë godinë, janë vetëm në shërbim të tyre,në të kundërt duhet të largohen pa asnjë mëdyshje“

Shkarkimi i tij e lehtësoi pak situatën dhe personeli filloi të merrte frymë dhe të rifillonte komunikimin dhe transparencën, por ajo tashmë në qendër dhe në universitetet është kthyer në kancer që do shumë punë dhe kohë të shërohet.

***

Për daljen nga kjo situatë të vështirë dhe të paralizuar kërkohet një revolucion i plotë dhe i gjithanshëm nga ministria, zëvendës ministrat, drejtorët e drejtorive, inspektoratet në vartësi, rektorët, dekanët, shumica e pedagogëve me plagjiaturë, apo me diploma false brenda dhe jashtë shtetit,  -forcimi i disiplinës së gjithanshme ndaj studentëve në ndjekjen e detyrueshme të mësimeve -të kontrollit intensiv të njohurive, ndryshime themelore në senate dhe ngritja e strukturave të balancuara me studentët, -kontrollet e befasishme nga Ministria e Arsimit për hapësirat që mbulon dhe nga ministritë e tjera e inspektoratet për fushat që mbulojnë etj. Mosbërja e këtij revolucioni dhe mbajtja nën kontroll të përgjegjshëm i realizimit të gjitha detyrave që u ngarkon Ligji i Arsimit të Lartë dhe ligjet e tjera për menaxhimin e financave, të kontrollit të pastërtisë dhe higjienës në të gjitha hapësirat mësimore, jetësore dhe ushqyese… etj, krahas përgjysmimit të tarifës mësimore për studentet me mesataren 5-9, me bursë të plotë ekselencës me mesataren mbi 9, dhënien menjëherë të kartës së studentit me lehtësirat e nevojshme dhe kërkesat e tjera të arsyeshme, jo vetëm që do të vazhdojë të thellojë krizën, por do të sjellë krizë politike dhe paqëndrueshmëri dhe pa siguri. Kjo do të varet nga vullneti, aftësia, këmbëngulja dhe vullneti i qeverisë Rama, duke e kthyer këtë marshim të rinisë studentore në një revolucion në arsimin e lartë dhe funksionimin e institucioneve qeveritare dhe shtetërore.