Sami Milloshi: Janës i keni borxhe

605
Sigal

Janës i keni borxhe

 Nga Sami MILLOSHI

O Pandeli ministri, Janës i ke borxh t’i kërkosh të falur, sepse pa i marrë leje i je futur në jetën e saj personale për të bërë propagandë për interesat e tua. Unë kam pritur t’i kërkosh falje, por realisht e di se nuk ke për t’i kërkuar falje. Dhe e di pse?

Së pari, ty nuk të lë sedra e sëmurë qeveritare për t’i nxjerrë bojën qeverisë me ndjesën e mundshme ndaj Janës.

Së dyti, ti nuk mund t’i kërkosh ndjesë Janës, se ti nuk e ke formimin dhe aparatin konceptual për ta kuptuar Janën.

Letra e Jana Nanos për ty, o Pandeli ministri është ngjarje politike dhe kulturore. Por fakt është se as ti vete dhe as gjithë ministria jote fantazme nuk është as në nivelin e asaj letre të një vajze me formim brilant. Nëse ti i kërkon falje Janës, tregon se ti po e merr një leksion për të kuptuar se çfarë është emigracioni dhe çfarë platforme duhet të ndërtojë shteti shqiptar për një milion shqiptarë emigrantë që ka nëpër botë. Por unë dyshoj tepër se ti nuk je në gjendje ta bësh këtë sepse qeveria ku bën pjesë si figurant edhe ti, gjithë hallin e ka se si të organizojë disa summite kot së koti, ku të selektuarve të pushtetit u jepen disa dekorata boshe dhe më pas “të përzgjedhurit ” u vërsulen pjatave prej letre ku shërbehen kockat e pushtetit. Pandeli ministri, fakti që ti nuk i kërkon falje asaj vajze të mençur më tregon mua, se ju jeni krenar në injorancën tuaj dikasteriale. Jepi urdhër një zëdhënësi t’i kërkojë falje Janës. Por ju edhe zëdhënësit tuaj i përdorni si letër higjienike. Njëri prej tyre, bie fjala, një farë Dritan Hila, demek gazetar në një televizion, i kërkon Janës të kthejë taksat që ka paguar Shqipëria për të. O Pandeli ministri i thuaj këtij zëdhënësit tënd të zellshëm, se Jana është shkolluar me djersën e dy prindërve të saj që kanë TRU dhe janë elitë e Shqipërisë. I thuaj këtij Hilës që leh në gardhin tuaj, se jo Jana, por ai i ka borxh mirësjelljen prej gazetari dhe jo përbaltjen e pamerituar. I thuaj se ndër 1 milion shqiptarë, të shumtë janë ata që janë histori suksesi dhe jo të gjithë do të bëhen të famshëm si Nëna Tereza, si Ismail Kadare apo si Ferid Murati, meqë ky trutharë pret që vetëm po u bëre si ata, “quhet histori suksesi”. O Pandeli ministri, pyete këtë gazetarin servil Hila që edhe me ty tallet duke të thënë se “ke bërë një vrimë në ujë” se çfarë e ka shtyrë atë t’i kërkojë Janës të kthehet në Atdhe, kur këtë nuk ia ka kërkuar as shkëlqesia juaj. O Pandeli ministri që ky njeri i ulët, Hila duket një stalinist modern, kjo nuk vihet në dyshim, por ti, me gjithë rezervat që kam unë, së paku të quajnë student të Dhjetorit. Bash për këtë fakt, të paktën, thuaji këtij servili të pushtetit Hila ta ruajë gjithë këtë zell për të baltosur Janën, për tjetër kënd, jo për atë vajzë që ti e ke lavdëruar.

Si përfundim, ndërsa ti Pandeli e ke lavdëruar Janën, por ke shkelur privatësinë e saj, ky lehësi Hila ju përbalt të dyve, për llogari të nuk dihet se kujt. Ama, që të dy ia keni borxh t’i kërkoni falje Janës… Unë nuk kam pikë shpresë që do ta bëni këtë gjë. Por, po e bëtë do të bëni një mrekulli!