Sigal

Dr. ing. Orhan Sakiqi

Ish-Kryetar i Këshillit Bashkiak Tiranë

 PAK histori

Prishja e Teatrit Kombëtar është bërë sot çështje e ditës. Në një vend me shumë halle ekonomike dhe me pak ndërtesa historike prishja e këtij kompleksi 80-vjeçar as nuk duhet të ishte përmendur. Po citoj disa radhë marrë nga libri “Tirana 1920-1944”, botim i vitit 2014 i Dr. Spiro Mëhilli:

“Më 6 janar 1939 filloi ndërtimi i rrethit Italo-Shqiptar ‘Skënderbej’ nën patronazhin e Naltë të ‘Zog I’ mbret i shqiptarëve… Selia qendrore shtrihej në një truall prej afro 13000 m2 nga të cilat 7000 m2 të mbuluara nga godina, ndërtesa dhe instalime të ndryshme. Punimet u kryen nga firma ‘Pater’e Milanos. Rrethi Italo-Shqiptar ‘Skënderbej’ në përfundim do të kishte sallën e Kino –Teatrit ‘Savoia’, sot Teatri Kombëtar (shënimi im), dhe një ndërtesë të dytë me të njëjtën pamje nga jashtë sot Teatri Eksperimental, ( shënimi im) ku do të kishte salla për pritje ,bibliotekë, klub, bufe, sallë valëzimi dhe sallë lojërash. Të dyja ndërtesat do të lidheshin me një ndërtesë njëkatëshe që shërbente për anekset e mirëmbajtjes ,dhe në mes tyre ,pishina me përmasa 25 me 10 dhe thellësi maksimale 3m. Ndërtesat janë edhe sot në të njëjtën gjendje sikurse afro 80 vjet më parë,duke mbajtur në krah amortizimin e kohës i cili po të ishte kryer vazhdimisht sikurse e kërkon teknika do të ishin në gjendje më të mirë. Nuk po ndalem gjatë në vlerat artistike, kulturore ,letrare,shkencore të dy godinave mbasi ato janë trajtuar në shtypin e ditës dhe sidomos në takimet e përditësomë që zhvillohen në sheshin para teatrit për më shumë se një muaj dhe të takimeve të përjavshme për më shumë se gjashtë muaj, por dy fjalë duhen thënë: Ndërtesa e teatrit është embrioni i estradës, cirkut, operës etj. Aty kanë luajtur dhjetëra regjisorë aktorë të shquar me pjesë të repertorit botëror. Po t’i vendosnim pllaka përkujtimore për secilin prej tyre nuk do të mjaftonte fasada, ose po të mbilleshin pemë ashtu sikurse po veprojnë sot koleget dhe nxënësit e tyre nuk do të mjaftonte një park i tërë. Ndërtesa tjetër, jo më pak e rëndësishme, sot teatri eksperimental, ka qenë Instituti Shqiptar, Fondacioni ‘Skandërbeg’, Instituti i Studimit Shqiptar e Instituti i Shkencave. Edhe me emra te personaliteteve gjuhëtarëve, shkencëtarëve nuk do mjaftonte fasada e godinës. Ka qenë për disa kohë edhe klubi i artistëve. Në prill të 1940-s u mblodh i pari Kuvend i Studimeve Shqiptare.

Do të nënvizoj dy ngjarje të ndodhura në godinën e Teatrit që mbase nuk janë përmendur aq sa e meritojnë:

E para,aty u zhvillua gjyqi special që ishte një gjykatë komuniste që veproi në pranverën e vitit 1945 kundër ‘armiqve të popullit’. Gjyqi nuk vërtetoi asnjë krim dhe dënoi 17 personalitete me pushkatim, 8 me burgim të përjetshëm dhe të tjerët me burgime të ndryshme. Para fillimit të gjyqit avokati 31-vjeçar Muzafer Pipa tha: “Ky gjyq në terma juridike është i pa vlefshëm mbasi kryetari i gjyqit Koci Xoxe dhe prokurori Bedri Spahiu nuk kanë arsimin përkatës juridik. Atëherë si mundet ata me gjykue elitën e kulturës shqiptare? Pyetje kjo që në atë kohë do të bënte përshtypje të madhe e përmes Radio Tiranës e gazetës ‘Zëri i Popullit’ do të përhapej me bujë kudo në Shqipni e si e tillë bashkë me emrin e Myzafer Pipës të futun në histori qysh në atë çast” (‘Muzafer Pipa dhe koha kur ai jetoi dhe vdiq’ nga Ahmet Bushati, gazeta Tema 4 korrik 2008).Gjyqi special u zhvillua me dënimet e më sipërme, por Muzaferin për këto fjalë si edhe në mbrojtje të tjera të burgosurve, një vit më vonë do ta çonin në burg e në vdekje të parakohshme e shumë tragjike në moshën 32-vjeçare.

E dyta, zhvilluar po në godinën e Teatrit Popullor u zhvillua Konferenca e tretë e Lidhjes të Shkrimtarëve të Shqipërisë, 9-11 tetor 1949. Sejfulla Maleshova nuk kishte asnjë funksion vetëm si kryetar i lidhjes dhe sigurisht ishte i pranishëm.

Në konferencë u kritikua që ai, Maleshova, nuk është dakord që Fishta dheMjeda të vendosen në dy kampe të kundërta, që Faik Konica dhe Fan Noli të mos jenë të një rruge dhe bëri përpjekje për të nxjerrë Fishtën përparimtar…pikëpamje oportuniste borgjeze dhe armiqësore të tij. ( F58 Konferenca e tretë…) Në konferencë dalin dy mbrojtës të Sejfullait, sypatremburi Skënder Luarasi dhe Dr. Ymer Dëshnica, i cili tha: “Nuk shikoj këtu në piedestal portretin e Sejfulla Maleshovës, këtu duhet të ishte fytyra e Sejfullaut, pastaj vendi tjetër t’i lihej Migjenit. Këtë e them për të mirën e partisë.” ( f 81 Konferenca e Tretë…). Sigurisht Konferenca e shkarkoi Maleshovën nga drejtimi.

Vlerat arkitektonike dhe konstruktive të kompleksit

Kompleksi është projektuar nga arkitekti Italian Xhulio Berte në frymën e racionalizmit Italian i zhvilluar në vitet 1920-1930. Arkitekti romak Vitruvius kishte pohuar në veprën e tij që arkitektura është një shkencë që mund të trajtohet racionalisht. Racionalizmi italian është një rrugë e mesme midis klasicizmit dhe futurizmit. Ndërtimi është art dhe shkencë. Është art për mënyrën e kompozimit të funksionit, në shpikjen parashikimin. Është shkencë për kontrollin e rreptësinë e verifikimit. Racionalizmi mbështet parimin: Form follow function, (forma ndjek funksionin). Asgjë të tepërt nuk ka në zgjidhjen e Berte-s. Fasada e pastër me volume harmonike, dritare që lidhen me fasadat anësore si edhe zgjidhja planimetrike e bëjnë kompleksin të këndshëm. Për zgjidhjen e brendshme kolegu Maks Velo thotë që nuk ka në Shqipëri teatër me zgjidhje funksionale më të mirë. Kam punuar në kohë të vështira me Maksin si inxhinier konstruktor i disa objekteve në Tiranë dhe e çmoj vlerësimin e tij. Edhe zgjidhja konstruktive është racionale. Lënia me qëllim pa u kryer mirëmbajtje, që të tregohet se objekti është i degraduar dhe duhet të prishet ka treguar të kundërtën. Nga zgavrat duken kollonatë beton arme si edhe brezat. Pra është skelet beton-arme me mbulesë druri dhe veshje me pllaka pupulite të qëndrueshme nga zjarri. Kjo veshje nga Instituti Politeknik i Barit është quajtur e përparuar për kohën. Tërmeti i1988 ku pati qindra shtëpi të dëmtuara si edhe tërmeti i ditëve të fundit tregojnë se objekti nuk është në gjendjen që duan ta paraqesin autoritetet. Sidoqoftë me teknikat e sotme të mirëmbajtjes mund të ruhet çdo objekt me vlerë pavarësisht gjendjen që është, mjafton të jetë dëshira e mirë dhe të kuptohet rëndësia e veprës. Arkitekti danez që me projektin e tij prish objektin e Bertes me siguri, sa do i aftë që të jetë e ka parë përciptas atë duke u bazuar në të dhënat e porositësve. Pastaj a ka pasur ai parasysh ndjenjat e Bertes. Në fasadën e ndërtesës nuk është shkruar vetëm data e ndërtimit, por vetë njerëzit zakonet dhe ndjenjat më të fshehta të autorit. Kjo është thënie e arkitektit të madh amerikan F.Ll. Wright. A i ka njohur arkitekti danez ndjenjat, jo vetëm të autorit por edhe të njerëzve të djeshëm dhe të sotëm? Në frymën racionale kanë punuar edhe arkitektët shqiptarë të viteve 30. Arkitekt Skënder Luarasi ka projektuar Kino Nacional, “17 Nëntori”, Arkitekti Qemal Butka nëpërmjet të tjerave ka projektuar shkollën Nikolica, 70m nga teatri, dhe varrin e nënës mbretëreshë, Arkitekti Kristo Sotiri hotel “Internacional” në Tiranë. Të gjitha këto objekte nuk janë më sot përveç hotelit. Asnjë nga kinematë e vjetra nuk janë sot, por ka një dallim. Në rastet e tjera prona ka qenë private dhe marrëveshjet kanë qenë të vështira por jo të pa mundura si shtet që të qëndrojnë kinematë. Rasti i Teatrit Kombëtar është më i favorshëm, sepse trualli dhe objekti janë shtetërorë.

Emocione vetjake.

Nuk mund ta përfytyroj Tiranën pa kompleksin e Teatrit. I ndodhur me shtëpi në Shallvare ajo ishte si streha e jonë. Aty, fëmijë jemi munduar të hymë në shfaqje duke u fshehur në rrobat e më të rriturve për të parë estradën e Zyberit, Xhepës e Dautit. Aty kam parë Traviatën e parë me Marie Krajën, aty kam mësuar notin në pishinën e parë në Tiranës, aty kam ndenjur në radhë me orë për një kilogram qumësht ku radha për një fillonte te Teatri dhe mbaronte ku është sot bar Guva, aty kam soditur Shaliapinin shqiptar, Llukë Kaçaj kur luante bilardo me kushëririn tim Luanin te klubi i artistëve, sot teatri eksperimental, dhe pastaj shkonim në shtëpi se banonim pranë. Në veshë edhe sot më tingëllon zëri i tij, e qeshura e tij që nuk iu hoq edhe mbas daljes nga burgu. Si mund ti m’i zhdukin gjithë këto kujtime ata, sikurse thotë poeti tiranas, Mihal Hanxhari:

Kalojnë indiferentë njerëzit,

Sikur s’kanë pasur kurrë një shtëpi,

Sikur s’kanë pasur kurrë fëmijëri,

Sikur s’kanë pasur kurrë një gjyshe.

Buldozeri pret e nuk ngutet…

Me një mërmërimë misteri.

Zot shpëtoje Tiranën! Si unë janë qytetarët e Tiranës që po u shkëputet një vlerë e pa kthyeshme e qytetit të tyre. Mos të kalojnë indiferent!

Përfundime

Tirana është një qytet i ri, flasim për kohët e reja, dhe si i tillë nuk ka shumë objekte dalluese. Shumë prej tyrenuk janë më. Tirana është sot pa qendër historike ku çdo qendër sado e vogël banimi në Itali ka një të tillë. Gazetari Indro Montanelli më 1939shkruan: “Tirana është një qytet i ekzistencës, modern, gati shqiptar. Koha e këtij qyteti ka vetëm dy masa. Të tashmen dhe të ardhmen, e kaluara nuk ekziston.” Montanelli këtu ka dashur të tregojë se duke mos pasur shumë objekte që duhet pa tjetër të ruhen mund të ndërtohet qyteti modern. Të mendojmë se Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës që caktoi Tiranën si kryeqytet provizorështë sistemuar në një shtëpi private prej qerpiçi.Zhdukja e identitetit Tiranës ka filluar që në kohë të diktaturës. Vazhdoi dhe në demokracisë. Por tani po merremi vetëm me rastet e fundit. Gazeta “Il Fatto Quotidiano” 16,07,2018: “Në fillim u shkatërrua kopshti i ulët i Bertes 1935, më pas stadiumi monument projektuar nga Bosio 1939-41 një vit më parë. E tashmë e ka rradhën Teatri Kombëtar një nga dëshmitë më të rëndësishme të arkitekturës së periudhës italiane. E të mendosh se kjo zonë ishte shpallur si e ruajtur nga qeveria.”

Së fundi, kam një propozim. Pse mos të ndërtohet teatri i ri në sheshin ku ka qenë garda,i cili po pregatitet për shesh ndërtimi? Aty është edhe pranë Universitetit të Arteve dhe objekteve të tjera social-kulturore.