Prof. Eshref Ymeri: “Rezonancë magnetike” për Thaçin

1292
Sigal

“Rezonancë magnetike” për Hashim Thaçin

 

Prof.Dr. Eshref Ymeri

 

Në faqen e internetit të gazetës “Bota Sot” të datës 24 maj, lexova me shumë kërshëri analizën bukur të argumentuar të Prof.Dr. Enver Bytyçit, me titull “Hashim Thaçit i ka ikur truri!E kanë kontaminuar Rama dhe Vuçiçi”.

Duhet pranuar se kjo është një analizë e shkëlqyer që shërben si një “rezonancë magnetike”për Hashim Thaçin. Kjo për arsye se nuk mund të lëvizet asnjë presje nga ato që shkruan profesori i nderuar Enver Bytyçi, njëri nga intelektualët e shquar të kombit shqiptar, me brumosje të admirueshme nacionaliste.

Hashim Thaçi është shtylla vertebrale e Partisë Demokratike të Kosovës. Në tetor mbushen 20 vjet që kur Hashim Thaçi u zgjodh në krye të kësaj partie. Nuk jam interesuar për të marrë informacion për mënyrën e organizimit të brendshëm të kësaj partie. Megjithatë, për këtë parti mund të gjykoj vetëm nga bëmat e saj në qeverisjen e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Pikërisht nisur nga këto bëma, kam të drejtën të nxjerr përfundimin se kjo parti është kopje e Partisë Komuniste të Shqipërisë, të cilën, më 08 Nëntor 1941, e themeluan në Tiranë emisarët e Beogradit, me në krye Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, të dërguarit e posaçëm të Titos, i cili e kishte përzgjedhur me kohë argatin që do të vihej në krye të saj. Dhe, si argat kurriz-shtruar dhe lake shembullor i tij, ishte përzgjedhur Enver Hoxha, pikërisht sipas rekomandimit të konsullit jugosllav në Korçë në vitet ’30, Stanoje Simiç. Duke qenë tërësisht i bindur për përzgjedhjen e figurës së duhur në krye të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Beogradi shtroi para saj realizimin me domosdo të tre objektivave themelorë, në përputhje me interesat e plota të shovinizmit serbokriminal. Sipas historianit Kastriot Dervishi, ja cilat ishin tre objektivat:

Së pari, Partia Komuniste e Shqipërisë të shërbente si agjenturë jugosllave.

Së dyti, Shqipëria të futej në një luftë civile, thënë më shkoqur, në një luftë vëllavrasëse.

Së treti, të shmangej nga skena politike elementi nacionalist dhe të kalohej drejt shfarosjes së tij tërësore.

Mbarë shqiptarët me vetëdije kombëtare, në krejt trojet tona etnike, janë të bindur plotësisht se krimineli Enver Hoxha i zbatoi me rreptësinë më të madhe këto tre objektiva, pasojat e të cilave populli shqiptar i hoqi mbi kurriz gjatë një periudhe mbi 45-vjeçare dhe sidomos gjatë viteve 1980-1990, kur varfëria e skajshme po e çonte drejt degjenerimit gjenetik për shkak të mungesës së ushqimeve në treg.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës, sipas të gjitha gjasave, është themeluar në përputhje me pikësynimet e Beogradit për funksionimin e saj, me po ato objektiva që i qenë shtruar Partisë Komuniste të Shqipërisë. Pra, që Partia Demokratike e Kosovës të ishte agjenturë e Beogradit, që Kosova të futej në një luftë të heshtur vëllavrasëse, çka dëshmohet me vrasjet e shumta nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës pas përfundimit të luftës dhe që, në këtë mënyrë, të shfaroseshin përfaqësuesit e krahut nacionalist, që të mos bëheshin pengesë për qeverisjen e vendit, në përputhje me orientimet e Beogradit. Dhe objektivi më kuptimplotë që Beogradi pati shtruar asokohe për Partinë Demokratike të Kosovës, ishte lënia tërësisht në heshtje e krimeve të rënda që Beogradi pati kryer në Kosovë gjatë viteve të luftës. Partia Demokratike e Kosovës, me Hashim Thaçin në krye, këto objektiva i vuri në jetë me një zell të jashtëzakonshëm. Prandaj, në takimin e parë me krerët e Beogradit në Bruksel më 19 prill 2013, Hashim Thaçi, në postin e kryeministrit, nuk e hapi absolutisht gojën për të kërkuar fillimisht nga Beogradi që ky të dilte me një ndjesë publike para opinionit ndërkombëtar për të gjitha ato krime që kishte kryer kundër popullit shqiptar të Kosovës, të cilin e kishte vrarë, i kishte shkatërruar banesat, i kishte grabitur pasuritë, deri në kursimet bankare, dhe ushtarët e tij kriminelë kishin përdhunuar 20 mijë gra dhe vajza, pikërisht nën shembullin e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike, e cila, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, përdhunoi rreth dy milionë gra dhe vajza gjermane. Mandej, pas kësaj ndjese para opinionit ndërkombëtar, Hashim Thaçi të kërkonte kompensimin tërësor nga ana e Beogradit për të gjitha krimet dhe shkatërrimet e lartpërmendura. Për ndryshe, të mos pranoheshin kurrfarë bisedimesh me Beogradin. Por, për fatkeqësinë e madhe të popullit shqiptar të Kosovës, ndodhi e kundërta. Në të gjitha takimet vijuese që janë zhvilluar gjatë gjashtë vjetëve të fundit, Hashim Thaçi dhe përfaqësues të tjerë të Prishtinës zyrtare, janë treguar tërësisht shurdhmemecë para krerëve të lartë të Beogradit, në kundërshtim flagrant me interesat kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës, duke u zvarritur para tyre si lakej të neveritshëm. Partia Demokratike e Kosovës e shtoi aq shumë varfërinë në radhët e familjeve kosovare, saqë po e çon vendin drejt zbrazjes ca nga ca deri në atë shkallë, saqë, sipas një materiali të botuar para do kohësh në internet, mendohet që popullsia e saj, në vitin 2022, të zbresë në 600 mijë banorë. Ky është shërbimi më i madh që kjo parti i ka bërë Beogradit.

Ka ca ditë që Hashim Thaçi është bërë tejet agresiv në sulmet e fundit që nga ndërmarrë kundër ish-Kryeministrit Sali Berisha. Madje, me leksikun që përdor në sulmet e tij, ka zbritur deri në nivelin e njerëzve të dëshpëruar nga papunësia dhe të vrarë nga jeta që enden nëpër rrethinat e ndonjë qyteti të humbur afrikan. Por lexuesi i nderuar duhet të gjykojë me gjakftohtësi dhe duhet ta kuptojë drejt gjendjen e rënduar psikologjike të Hashim Thaçit. Shpërthimi i tij inatçor kundër Berishës ka një arsye shumë të fortë. Kjo arsye fshihet në sekretin e marrëdhënieve të tij me Beogradin, më konkretisht, me Aleksandër Vuçiçin, si marrëdhënie mes “shërbëtorit dhe agait”. Këto marrëdhënie kanë parahistorinë e tyre, në të cilën del qartë se Hashim Thaçi është një mercenar me stazh të gjatë, është një argat i regjur në shërbim të Beogradit, thënë troç, është një tradhtar me “patentë” në shërbim të serbosllavizmit, ashtu si edhe ati i tij shpirtëror, krimineli Enver Hoxha. Njëri nga aktivistët e shquar të diasporës shqiptare në Gjermani, zotëria Xhafer Leci, e ka denoncuar publikisht Hashim Thaçin, si agjent i francezëve në shërbim të Beogradit. Zotëria Xhafer Leci, përmes katër pyetjeve, ka bërë denoncimin e mëposhtëm:

1. Hashim Thaçi duhet të tregojë kush ishte oficeri i ushtrisë sekrete të Francës, i cili në vitet 1990 bëri kursin e gjuhës gjermane, bashkë me Hashimin në Zyrih të Zvicrës?

  1. A ishte ai i njëjti oficer, i cili, si pjesëmarrës në Marrëveshjen e Rambujesë, e manipulonte Hashim Thaçin për mosnënshkrimin e marrëveshjes, me qëllim që forcat serbe të mos bombardoheshin nga NATO-ja dhe me qëllim që Kosova të mbetej përgjithmonë nën sundimin e Serbisë?
  2. Pse përpjekjet e UÇK-së për të marrë kontrollin e minierave të Trepçës u penguan nga trupat franceze, më 3 korrik 1999 dhe pse heshti Hashim Thaçi?
  3. A e dinte Hashim Thaçi kur majori francez Bunel u arrestua, në tetor të vitit 1998, për dhënien e të dhënave sekrete të NATO-s tek ushtria serbe, në rastin e luftimeve në Bosnjë, ku oficerët e ushtrisë franceze patën protestuar me moton: “Lirojeni Majorin Bunel”?!

(Citohet sipas: Xhafer Leci. “Mitrovica, Trepça dhe Hashimi”.Marrë nga faqja e internetit “Tribuna Shqiptare”.23 nëntor 2013)”.

Pra, që t’u kthehemi marrëdhënieve të Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiçin, duhet theksuar se ky i fundit, ca kohë më parë, duke u bindur që dështoi objektivi i treshes Vuçiç-Thaçi-Rama për ndarjen e Kosovës, nga inati, vendosi ta djegë shërbëtorin e vetë Thaçi, të cilin, si presidentin e Kosovës, në heshtje, e vlerëson si fajtorin kryesor për mosarritjen e objektivit në fjalë. Prandaj ai, para do kohësh, deklaroi, duke ia plasur Thaçit në sy:

“Ti Hashim varesh nga ne. Jam duke t’u lutur të flasësh, për të mos thënë atë që ti do apo atë që ti nuk do!”(Citohet sipas: “Deklarata bombë e Aleksandër Vuçiçit: Hashimi varet nga ne! Nuk na ka kërkuar kurrë që Serbia të njohë Kosovën bashkë me tri komunat!”. Faqja e internetit “Voal”.10 maj 2019).

Kjo deklaratë me të vërtetë bombë e agait Aleksandër Vuçiç, jashtëzakonisht demaskuese për shërbëtorin e tij Hashim Thaçi, e ka bërë këtë të fundit të humbasë drejtpeshimin mendor dhe t’i turret ish-Kryeministrit Berisha me shpërthime histerike.

Pikërisht kjo gjendje e çekuilibruar psikologjike e Hashim Thaçit, e shkaktuar nga deklarata befasuese e Aleksandër Vuçiçit për marrëdhëniet mes tyre, si marrëdhëniet e shërbëtorit me again, më kujton një aforizëm tepër të goditur të Senekës (Lucius Annaeus Sĕnĕca4 p.e.r-65), në të cilën thuhet

“Çdo shpërthim inatçor i skllavit vjen e shndërrohet në torturë për të. Nuk ka zgjedhë të tillë të rëndë që të mos i shkaktonte më pak dhimbje atij që e mban në qafë, sesa atij që mundohet ta flakë tutje”.

Raporti i marrëdhënieve aga-shërbëtor është njëkohësisht një lidhje dialektike në kuptimin që mes këtyre dy subjekteve Vuçiç-Thaçi ekziston një veprim i brendshëm dinamik i koordinuar. Agai Vuçiç është aga vetëm për arsye se shërbëtori Thaçi e pranon si aga. Respektivisht, shërbëtori Thaçi është shërbëtor, përderisa agai Vuçiç e pranon në rolin e shërbëtorit. Prandaj shërbëtori Thaçi duhet të ruajë gjakftohtësinë pas deklaratës së lartpërmendur të agait të vet Vuçiç, sepse ai, si një politikan me një stazh të gjatë në krye të Kosovës, duhej ta kishte atë minimum formimi kulturor, për të kuptuar logjikën e gjërave në këtë botë: agai e shfrytëzon sa e shfrytëzon shërbëtorin e vet dhe, në një moment të caktuar, kur ai nuk ia plotëson ndonjë tekë të vetën, e flak tutje si ndonjë mbeturinë hesapi.

Normalisht, pas deklaratës bombë të Aleksandër Vuçiçit për Hashim Thaçin, Kuvendi i Kosovës duhej të ishte mbledhur në seancë urgjente dhe ta shkarkonte menjëherë nga posti i presidentit për tradhti. Por Kuvendit të Kosovës nuk i bëri përshtypje absolutisht deklarata e Aleksandër Vuçiçit, sepse Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me sa duket, nuk është më pak i zellshëm në shërbim të Beogradit. Prandaj ai Kuvend nuk është Kuvend shqiptarësh, ai, në shumicën e vet, është Kuvend mercenarësh në shërbim të Beogradit.