Hyqmet Zane: Qeverisja e rilindjes si një e keqe që duhet shkulur

283
Sigal

Kur them kryeministër dhe qeverisje, gjithnjë dëshiroj t’i referohem historisë botërore ku flitet shumë për ngjarje dhe histori që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen e njerëzve në shërbim të së mirës dhe së ardhmes.. Kanë shkruar edhe shkrimtarë dhe ata kanë vepra të papërsëritshme, por edhe legjendat, gojëdhëna dhe rrëfime, ku mes tyre ka nga ato që tipizojnë karakteret e njerëzve si të jenë shkruar enkas për një njeri të kohëve të sotme në këtë Shqipërinë tonë që na është kthyer si një e keqe.

Herë pas herë në biseda me miq dhe të njohur u rrëfej një ngjarje që më ka mbetur në mendje për shkak të vërtetësisë dhe ngarkesave pozitive që mbartin.

E tillë është ajo se si në një familje ku kishte lindur pas shumë vjetësh një djalë. Gëzimin e prindërve e shoqëronin shpesh disa momente pikante, kur ai ishte tre vjeç, të atit i ra në sy një veprim i fëmijës së tij, që nuk ishte në karakterin e familjes së tyre. Ia tha gruas që gjithashtu e vuri re dhe ajo i thotë se është i vogël. Kjo e qetësoi shqetësimin e burrit, babait të fëmijës. Vitet iknin dhe herë pas here në kohë të ndryshme në vite, babai i djalit vinte re se ai bënte veprime si të papërgjegjshme, që nuk i shkonin gëzofit të familjes së tyre. Për këtë burri i thoshte gruas “nuk bëhet për ne ky moj grua, jooo”. Por gruaja gjithnjë i thoshte se “mos ia vër re, more burrë se i vogël është, do rritet dhe do bëhet i mirë”.

Dhë vërtet vitet iknin, por njëherazi edhe veprimet e papërgjegjshme të djalit po ashtu rriteshin dhe babai ia thoshte tashmë në sy djalit se “ti nuk bëhesh për ne”. Ishte keqardhëse, por që nuk i shkonte frymës së kësaj familjeje. Erdhi momenti që tashmë i rritur, djali do të shkonte ushtar dhe vitet e ushtrisë ishin shumë në atë kohë. Në ndarje e sipër, babi i tha djalit “të qoftë rruga e mbarë dhe shiko punën e jetën tënde bir se ti nuk bëhesh për ne. Ishallah bëhesh për vete”. Kështu u ndanë, edhe pse me dhimbje në zemër se edhe një djalë që u kishte dhënë Zoti, nuk ishte ashtu siç e dëshironin dhe siç kanë gjenezën e familjes së tyre.

Shkuan shumë e shumë vite dhe djali nuk ishte bërë asnjëherë i gjallë, ndërkohë që jeta e dy prindërve të këtij djali rridhte e qetë dhe me problematikat e zakonshme. Ndërkohë një ditë prej ditësh, në derë të kësaj familjeje trokasin dy kalorës. Kërkonin burrin e shtëpisë dhe donin ta merrnin me vete se duhej ta çonin në komandën e krahinës ku banonin. Burri i thoshte se unë nuk kam asnjë gjë me komandantin e krahinës, i kam paguar të gjitha taksat, nuk i kam detyrime shtetit. Megjithëse as burri dhe as gruaja nuk ishin dakord me këtë kërkesë dhe nuk pranuan që të shkonte, gjithçka u zgjidh me anën e forcës. Puna arriti deri aty sa dy kalorësit e morën me zor, duke e lidhur pas kapistrës së kalit dhe u nisën. Burri shante e shfrynte ndaj komandantit që u kish dhënë këtë urdhër dhe u thoshte se do të ankohej në sulltanat për këtë shkelje të të drejtave, por gjithçka ishte e paracaktuar se dy kalorësit çuan në vend fjalën e komandantit të asaj komande, edhe pse çuarja me duar të lidhura, nuk e kishte ndaluar dot burrin e gjorë që të shante shfrynte pa fund.

Më në fund, kur erdhën para derës së komandantit, i zgjidhën duart dhe i thanë të hynte te komandanti. Burri gjithënjë shante pa pushim, ndërkohë që në zyrën ku hyri pa një ushtarak të veshur me uniformë të bukur dhe që u ngrit në këmbë nga poterja që bënte burri i gjorë. Iu shfry pak dhe, pasi e vështroi në sy mirë e mirë, e pyeti burrin nëse e njihte. Ai i tha “jo” dhe kërkonte arsyen se përse e kishin marrë në atë mënyrë dhe çfarë kishte bërë që duhej të vinte aty, duke shtuar se do të bënte ankesë në sulltanat. Pasi ushtaraku meso burrë e vështroi mirë, e pyeti përsëri që ta shikonte në sy dhe të mendohej nëse e njihte apo jo. Burri përsëri iu përgjegj me inat “Jo dhe as që dua të të njoh”. Atëherë ushtaraku i tha “unë jam ai që nuk bëhesh për ty, e shikon tani se çfarë jam bërë?”. Menjëherë erdhi përgjigja e burrit që ia ktheu “Pse ti qenke ai or bastard”? Ptu i shfryu dhe me habinë e qëllimshme i tha “ti jo që nuk je bërë asgjë, edhe pse je bërë komandant, por kurrë nuk ke për t’u bërë me këtë sjellje që bën. Të ishte nga Perëndia, ti do dërgoje që ta merrnin babain me kalë me shalë e jo në këtë mënyrë or zagar. Kurrë nuk ke për t’u bërë njeri ti or i pafytyrë”, ishin fjalët e fundit të burrit që ishte edhe babai i atij djalit që ai i kishte thënë që “nuk bëhesh ti, jo”. Me gjithë tendencën e rojeve të komandantit për të ndërhyrë ndaj këtij burri që fyu rëndë komandantin e tyre, ai nuk i lejoi duke u vënë në mendime se kishte të drejtë që vërtet ai nuk ishte bërë djali i një shtëpie, por një njeri pa mirësi familjare. Babai i këtij ushtaraku kishte të drejtë.

Në refleksion të këtij rrëfimi të kohës kur unë rritesha dhe duhet të dija shumë gjëra dhe të plotësoja mozaikun e panoramës sime të jetës përmes kulturës së babait tim, që më rrëfente të tilla esenca jetësore aq shumë të domosdoshme për formimin e njeriut. Sot më vijnë në kujtesë si krahasime që duhet të bëhen, veçanërisht për politikanë të vendit tonë që sillen si plagprishës të familjes së madhe shqiptare.

Më duket se një rast i tillë tipik i përshtatet kryeministrit tonë që si një e keqe e lindur dhe e rritur me ligësinë dhe vesin, po prezanton dita-ditës atë karakter të njeiut që nuk bëhet i mirë asnjëherë. Nuk janë një e dy, por 10 vite që janë bërë bashkë jo thjeshtë si qeverisje, por si bëma skandaloze në drejtimin e vendit ku vesi i keq i kryeministrit, i të menduarit keq në çdo gjë dhe drejtimi i vendit në rrugën më të keqe, është bërë si një e keqe që na ka mbështjellë me pelerinën e tij të nxirë e të bërë pis me njollat e së keqes.

Në fund të fundit, sado të thotë e të hiqet sikur qeveris ky njeri me këtë ves liqësie, ai nuk bëhet, se po e varfëron me hajdutëritë galopante, se po e tjetërson filozofinë e shqiptarizmit me antishqiptarizëm, se ka vrarë shpresën e brezave me shpopullimin, po aq sa e ka futur në kriminalizimin e jetës në çdo aspekt. E them këtë, sepse po të ishte nga Perëndia ai do të duhej të ishte para së gjithash një njeri i familjes dhe jo i shkatërrimit, do të duhej të ishte një fëmijë i mirë i prindërve të tij, por që ka manifestuar ligësinë e karakterit, do të duhej të ishte një nxënës i mirë në shkollë, por manifestonte gjithnjë keqsjelljen e tij në çdo drejtim, do të duhej të ishte edhe një sportist i mirë, por qartazi ka qenë një grindavec që më parë dilte se sa hynte në lojë, do të duhej të ishte edhe një piktor i mirë, por ja që nuk ka piktura të tijat se i përket njerëzve që nuk janë të arritur, shqip, nuk bëhet një njeri që t’u shërbejë të tjerëve. Ky perversitet i karakterit të tij i treguar dhe i jetuar që e kujtojnë shpesh edhe shoqe e shokë të klasës së tij që nga fëmijëria e deri sa u bë burrë, është një e keqe që po i bie për pjesë ta vuajë një popull i tërë, sepse i besojnë të marrit dhe jo të urtit.

Ai rrëfim nuk ka qenë thënë se do të ishte për Edi Ramën, por është një gjë e shprehur për paralelizmin e karakterit të një njeriu që nuk bëhet jo më për vete e për familjen e tij, por e keqja që e ka emrin Edi Rama sot në Shqipëri, po flet se ai nuk ka se si të bëhet për një popull të tërë që do e vuajë të keqen si një vuajtje dhe mallkim nga Perëndia se ai nuk ka as fe, nuk ka as din, as iman. Jam i detyruar t’i rikthehem një shprehje të urtë të Edmond Burke kur shkruante se “E keqja lulëzon, kur njerëzit e mirë nuk bëjnë asgjë dhe rrinë duarkryq”. Hapur kjo është një frymë e ligësisë që manifestohet në të gjitha nivelet e përfaqësimit dhe që duhet shkulur jo me fjalë, por me një pjesëmarrje masive në shkuljen nga rrënjët që brezat të mos e vuajnë si ne sot.