Policia bashkiake, lart e poshtë në sokaqe…

591
Sigal

Kristo MËRTIRI

Shqipëria po mbytet e përmbytet nga Polit(h)ika, por edhe nga numri i lartë i policive shtetërore e private. Punonjës ushtarakë e civilë, të armatosur apo jo, nuk i bëjnë hyzmet vetëm borderosë me karta e pa karta bankare, por mbi të gjitha vendit të punës që i është besuar. Dhe nuk dimë ende atë mendjen pjellore në Pluralizëm, mendje që shtoi e pagëzoi emërtimin autoritar “Polici” në Ushtri, Pyje, Bashkira, Energjetikë, Ndërtim, Spitale, Banka, Shkolla, Tatime, Dogana, Gjyqësor etj. Sikur të ishte emër magjik që do të bënte zap çdo lloj rrumpallhane përballë shtetit të së Drejtës në Demokraci. Dhe frytet e tyre, kanë vite e dekada që po i “vjelin” qytetarët e thjeshtë taksapagues ! Qytetarë që po shtrëngojnë rripin e sakrifikojnë pa anë e fund. Dhe rrallë mund t’u shkojë mendja e gjuha tek e shkuara moniste, kur vërshonte hapur urrejtja për “vendet borgjezo-revizioniste” që mbaheshin në këmbë edhe me anë të Policisë si “trupë ndëshkimore” për mbrojtjen e regjimit shtypës në fuqi (!). Të kuptohemi, nuk është kurrsesi fjala për të lëpirë mallkimet e së djeshmes dhe as për të pështyrë ndonjë lajthitje me emrin tronditës “shtet policor”. Por fasadat ligjore në letër, uniforma e zyra, në fjalime e ligjërime marramendëse, realisht e praktikisht kanë sjellë fare pak punë të mira. Sepse mund të pagëzohesh me emrin më të bukur në botë, por mund të jetosh shëmtuar e si më i prapi a faqeziu në dynja. Këtë lloj meditimi të shkurtër e të sinqertë, veç të tjerave, e shpoi si me hosten edhe një episode i pardjeshëm, taze…

Dy punonjës me uniformën e Policisë Bashkiake të Tiranës (shpesh është vështirë t’i dallosh qartë tërë këto policira), hynë serbes-serbes në një kafene të zakonshme rrotull ish-“7 xhuxhave” të famshëm për fëmijët e prindërit e tyre te rruga e Elbasanit. Famë që njerëzia nuk e dinë ende se cilin zyrtar të lartë lokal a qendror, e bëri aq shumë xheloz e lakmitar, saqë një ditë i nguli synë e grabitqarit dhe të “ndërtimtarit”. U zhdukën shpejt lodrat e vogëlushëve dhe ato pak metra katrorë lulishte të katandisura në mbijetesë. Mjaft dashamirës kujtuan e thanë aty për aty se dikush nga drejtuesit e “majtë” në pushtet do ketë vënë dorën në zemër, Bibël a Kuran, për ta rikonstruktuar, lyer me bojëra pluraliste e për ta kthyer me këmbëngulje e vizion evropian “në identitet”. Por nuk ndodhi kështu. Ekskavatorët, vinçat, buldozerët, punëtorët e inxhinierët nisën hapjen e themeleve. Është histori a shkrim investigativ më vete e shterues… Dy policët bashkiakë iu afruan banakut të rëndomtë të kafenesë, futën duart në xhepa, nxorën me qetësi olimpike bllokun e gatshëm të gjobave dhe kërkuan një stilolaps nga lokali. Mirëpo, sapo nisën të shkruanin fjalët e para, befas disa borie automjetesh shpërthyen sikur do çanin kupën e qiellit me retë e grisura. Të mos u hamë hakun: Asnjërit nuk i lëvizi qerpiku! Me përjashtim të 4 vogëlushëve që u tromaksën pak sekonda dhe nisën të mblidhen kruspull te prehri i prindërve që po mbaronin rrufisjen e filxhanëve të kafesë ekspres… Zallamahia irituese e borive ulëritëse, herë ulej e herë ngrihej. Dikush shtrëngonte nofullat e shante rëndshëm nëpër dhëmbë shoferët “trima” që matanë kufirit rrinë gatitu e si pula të lagura; shtetin; policinë; menefregizmin e padurueshëm e vrasës të heshtur. Asnjë sokëllimë a protestë e dukshme. Policët po mbaronin të kënaqur misionin e gjobitjes së pronarit të lokalit, sikur s’ndodhte e s’pipëtinte asgjë! Kur futën bllokun ndëshkues në xhep dhe po dilnin, një pensionist (ish-inxhinier në Kombinatin e Tekstileve ku fillimi zulmëmadh i Tranzicionit çmendurak flaku në rrugë të madhe mbi 10 mijë punonjës, shumica gra e vajza të reja), u ngrit me kujdes nga tavolina dhe përshëndeti krejt natyrshëm policët bashkiakë. Madje, me shumë mirësjellje i ftoi edhe për kafe e cigare, por nuk u qasën…

-Më falni, jam banor i vjetër i Tiranës, një taksapagues i rregullt. A mundem t’iu pyes për dy gjëra të vogla, meqenëse jeni nga Bashkia e Madhe, se ajo e vogla njësi në lagje, as flet e as dëgjon ? E para, për boriet e përditshme shurdhuese të makinave te semafori, siç e dëgjuat edhe vetë ju, kush do na bëjë derman, se po na luan tepeleku i kokës?…

-Ke të drejtë, por duhet të shkoni e të ankoheni te zyrat e Policisë së Qarkullimit Rrugor, -dhanë xhevapin shkurt e prerë.

-E dyta dhe e fundit, mos harroni që rrogat i merrni nga taksat tona. As 5 metra larg murit të pallatit ku banojmë, ka vite që rri djerrë e ferrë trualli i një shtëpie të vjetër private. Është mbushur e po mbushet me lloj-lloj mbeturinash e deri gjarpërinj me një e dy koka. Në periudhën e beharit unë iki në fshat, por njerëzit lemerisen duke karfosur mirë penxheret dhe mbajnë hundët me dorë. Kam marrë në telefon edhe te zyrat tuaja, por meazallah se lëviz ndokush…

-Aaa, të lutem zotni, duhet të dërgoni letër-ankesë me postë a të vini te sportelet personalisht dhe ta dorëzoni dorazi zyrtarisht. Takohuni me inspektorë të Mjedisit…(Kur sapo kishin gjobitur pronarin e kafenesë, sepse nuk kish përtërirë në 31 dhjetor lejen e mjedisit për këtë vit (?!). Pra, janë kthyer thjesht në vjelës parash. Ose vetë llogaritarë, vetë arkëtarë! Ai inxhinieri i ish-Kombinatit Tekstil ishte burrë i lexuar dhe nuk përtoi të gjente edhe Ligjin përkatës. Ore, bëjnë vetë ata policët apo janë tapë-topi, thjesht numërorë militantë? Dhe citoi pakëz nga Ligji përkatës: “Konstatimi, parandalimi dhe ndëshkimi i kundravajtësit administrativ për ndotjen e mjedisit, hedhjen e mbeturinave të ndryshme” ose “Konstatimi dhe ndëshkimi i kundravajtjeve administrative në fushën e Qarkullimit Rrugor”. Dhe së fundi, “Sigurimi i qetësisë publike…duke shmangur zhurmat nga rënia pa vend e borive të automjeteve në rrugë e mjedise të tjera publike”. E dini sa janë sot në kurrizin tonë? Nga 30 inspektorë e policë, vetëm në Tiranë janë rreth 400 vetë! Një skandal i fëlliqur fund e krye, me plot hije të zeza partiake e financiare. Nuk e dimë sa ishin në kohën e Ramës?!…

Ata ikën, por biseda e thartë për shërbimet bashkiake përfshiu mjaft klientë-qytetarë në lokal. Një mesoburrë rrëfente jo pa indinjatë për një tabor me telefonata në Policinë e Shtetit, në Bashkinë e Madhe te “lali Eri”, në SHKB e ministrisë së Brendshme e gjetkë. Te numri telefonik i Policisë Rrugore nuk i përgjigjej askush. Të tjerët e përcillnin derë më derë. Asnjë reflektim në praktikë. Sot e gjithë ditën. Për shembull, një komshiu ynë erdhi pas 10 vjetëve nga kurbeti dhe e gjeti pa ndryshuar asnjë fije atë gropën truall plot qelbësira. Vuri duart në kokë dhe u trishtua shumë. Shkurtoi ditët e pushimit në mëmëdhe, e mori prapë arratinë… Po kështu për ndërtimet zaptuese me “leje” e pa leje brenda lagjes Me sa duket u velën me aksionin e dikurshëm vetëm nëpër trotuaret e Unazës! Dhe nuk po lihet e lirë asnjë pëllëmbë lulishte. INUK-u sikur ka humbur pa nam e nishan. Mirëpo, në zjarrin e debatit të çiltër e pa filtër, një elbasanlli i thekur në humor e qesëndi, i ra shkurt: “Dëgjoni mua, se po më ikën furgoni. Një herë një gjeneral ishte nxehur me një rreshter dhe i bërtiti:- Kush ka qenë ai gomar që të ka dhënë gradën ty?

-Zotëria juaj, zoti gjeneral,-iu përgjigj rreshteri.

Të qeshurat nuk firuan, kur një lab përshtati me shpoti një bejte, kruajti zërin dhe ia mori këngës vençe :

Moj Policia Bashkiake

 Lart e poshtë në sokaqe

 Fshatarkat i bën helaqe

 Për kokoshka e çorape

 U derdh gjobat me inate

 “Trembin” bosët me pallate…Oi, oi !