Prof. Dr. Elmaz Sherifi: E mjera Shqipëri!

821
Sigal

Në Shqipëri po ndodhin çudira. Kryeministrin e shpallin Skënderbe. Ai vetë shpallet Romeo. Skënderbeu ka hyrë në historinë politike si burri i Arbërisë që bashkoi në Lezhë të gjithë princat Arbërorë, kundër pushtuesve Osmanë. “Skënderbeu i Rilindjes” ka marrë si mision përçarjen e shqiptarëve. Romeo po shfaqet bindshëm si “dashnor i anarkisë” dhe i bën thirrje “Zhuljetës” të mos i besojë më “filxhanit të fallxhores”, e të marrë pjesë në zgjedhje, duke harruar që nuk ka asnjë afat për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore që Presidenti i ka anuluar, sepse sipas Tij zgjedhjet do bëhen, pasi e mbështetin ndërkombëtarët, ashtu si për zgjedhjet parlamentare të 2017, të cilat mund t’i bënte pa opozitën, por nga dashuria për “Zhuljetën” i dorëzoi qeverinë, por vetëm Romeo nuk u dorëzua ! Zgjedhjet, sipas Romeos, duhet të bëhen edhe pa opozitën me qëllim që Shqipëria pas 30 qershorit të pranohet në BE! E si të mos e duan shqiptarët Romeon, nëse e bën realitet këtë ëndërr të madhe? E mjera Shqipëri kush të qeveris ! Sepse Shqipëria është në mjerim të plot kushtetues dhe Institucionale dhe si thonë në Labërinë time, shpirti nuk po i gjen derman. E në këtë mjerim politik e thënë Labçe “mos e telendisni më more jezitë”! Çuditë nuk kanë të sosur! Opozita dorëzoi mandatet dhe “listarët” u futën në vendulset e Kuvendit, pa plotësuar numri kushtetues me vendulesa. Më pëlqen fort ky termi kosovar vendulesa, se u përshtatet shumë “baballarëve të kombit”! Ajo që befasoi ishte edhe amoraliteti i “listarëve”, që ju dha shansi magjik të hynin në parlament nga listat partiake, dhe shanin partitë e opozitës që ua dhanë mundësinë e Artë, mesa kuptohet se ishin të pakënaqur nga vendndodhja në listë, për të qenë deputet që më 2017 dhe mund të kenë pasur të drejtë. Por ajo që dua të sqaroj është se zëvendësimi nuk mund të bëhej në rrethanat kur në Shqipëri nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Nëse do të kishte Gjykatë Kushtetuese ata nuk do të ishin në parlament, sepse nuk janë respektuar procedurat e zëvendësimit të mandateve, të përcaktuara në Rregulloren e Komisionit të Imuniteteve dhe Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë. Ka detyrimin juridik për të dëgjuar individualisht deputetët që dorëzuan mandatet, nëse i dorëzonin mandatin me vullnetin e tyre të lirë, ashtu si vepron çdo gjykatë me një të akuzuar që deklaron në Policinë Gjyqësore se e ka kryer një vepër penale, apo nga kërcënimi pranon një vepër penale që nuk e ka kryer. Kjo ka sjellë faktin që tani Kuvendi nuk ka numrin e deputetëve sipas Kushtetutës dhe “baballarët e Kombit” kanë filluar procedurat për shkarkimin e Kryetarit të Shtetit, që është një nga institucionet më të rëndësishme kushtetutese, sidomos kur mungon Gjykata Kushtetuese dhe e trajtojnë thjesht si “Organ Publik” ! O mjeran politikanë dhe ju juristë konstitucionalistë, qe mendoni si “baballarët e Kombit”! Kuvendi nuk është Kuvendi Popullor që sipas Kushtetutës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë së 1976 bënte edhe interpretim autentik. Tani i vetmi Institucion që interpreton Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese. Presidenti nuk është “Organ Publik””, por Institucion Kushtetues. Lexoni Kodin e Procedurës Administrative nenin 1 “Fusha e Zbatimit” për të kuptuar se Dekreti i Presidentit nuk është akt administrativ, se nuk ka objekt një individual, por është akt juridik me fuqi Kushtetuese! Me interpretimit e vendimit të Kolegjit Zgjedhor nga kryetari i Grupit Parlamentar të PS, marrëzia shkoi në absurd. Sepse çoroditja i ka shthurur plotësisht. Më para deklaruan se Dekreti do ankimohej në Gjykatën Administrative, por ankesa nuk u bë dhe po pranohet si i legjitimuar Vendimi i Kolegjit Zgjedhor që gjykoi ankesën e Idajet Beqirit për ta çregjistruar partinë që drejton nga zgjedhjet. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi kërkesën e Idajet Beqirit konsiderohet edhe si vendim që shpalli Dekretin e Presidentit nul?! O mjerim i Shqipërisë! “Baballarët e Kombit” kanë filluar procedurat për shkarkimin e Presidentit të Shqipërisë. Partia Socialiste e ka shkarkuar me kohë, sepse nuk e zbatojnë Dekretin, që vetë e botuan në Fletoren zyrtare. Baballarët e Kombit dekretin e Kryetarit të Shtetit e konsiderojnë akt administrativ, procedurat i fillojnë për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Disa konstitucionaliste thonë se dekretin duhet ta gjykojë Gjykata Administrative, të tjerë në “marrinë” e tyre thonë “Eureka!”, se zgjidhjen e gjeti Kolegji Zgjedhor! E mjera Shqipëri, kush të qeveris e të futi “me krye në hi”!