Prof. Dr. Kastriot Islami, ish- Kryetar i Parlamentit
Kjo që po ndodh këtë herë është në një farë kuptimi hera e parë dhe me shumë gjasa mund të jetë edhe hera e fundit… Thënë ndryshe: ky duket si fillimi i një fundi. Mandati i dytë duket po mbaron para 25 prillit, ndërkohë që edhe vetë Rama, pavarësisht marrëzisë së tij ekstreme e sëmundjes karakteriale, ka filluar të mendojë se një mandat i tretë është i pamundur dhe në ditët në vijim do të orientohet nga frika e madhe, më shumë drejt opsionit të një pazari për t’i shpëtuar ndëshkimit dhe mos humbur pasuritë e paligjshme të grabitura! Shqiptarët e thjeshtë, veçanërisht të rinjtë, duken më së fundmi tejet të ndërgjegjësuar për rolin e tyre në demokraci, gjë që ka ndodhur nga keqqeverisja 7- vjeçare e Ramës e veçanërisht nga arroganca, cinizmi dhe babëzia ekstreme e Ramës dhe sektit të tij, që në trajtë më konkrete, ata i perceptojnë si rreziqe që ju kanosen atyre vetë konkretisht, duke shkuar deri ku s’mban te rreziku për jetën, por edhe për të ardhmen e vendit e të fëmijëve të tyre. Të rinjtë shqiptarë duken më së fundmi se janë ndërgjegjësuar këto dy ditët e dhjetorit 2020, që duket sikur koincidencon me dhjetorin e 30-të të pluralizimit. Akumulimi i revoltës së tyre, po ashtu si revolta e grumbulluar në 50 vjet, janë udhërrëfyesi i vetëm i këtij ndërgjëgjësimi që shpërtheu këto dy netë dhjetori.