Marrëveshje të fshehtë serbo-turke për shqiptarët

1021
Sigal

Nga Pajtim Xhelo

Natyrisht që ka pasur dhe kjo njihej nga intelektualët dhe nga politikanët shqiptarë

Është për të ardhur keq që edhe pse ne shqiptarët e dimë fare mirë që Turqia e përdori trurin shqiptar për interesat e saj në Ballkan e më gjerë e në fund, në vitet 1900 – 1912, kur ajo vetë kishte marrë rrokullisjen, na la në mëshirën e serbëve, malazesëve, grekëve, na la si atë vajzën që pasi e shfrytëzojnë për hiret e saj, e braktisin në rrugë të madhe si një leckë të vjetruar, pa vlerë, përsëri i quajmë turqit vëllezërit tanë dhe e presim Erdoganin si shpëtimtar në Kosovë. U desh Ismail Qemali që t’i shkundte nga apatia e përgjumjes pashallarët shqiptarë se duhet të bëheshin zot të vetes e të merrnin në dorë fatet e kombit, se boll kishin rrojtur nën mëshirën e Turqisë. Natyrisht, është klasa e mesme, intelektualët ata që çojnë përpara një komb. Ajo klasë është mishërimi i interesave kombëtare. Të pasurit në përgjithësi, për të mbrojtur pasurinë e tyre (sidomos atë pasuri që e kanë fituar si rezultat i shërbimeve që u kanë bërë të huajve, pushtuesve) i shesin interesat kombëtare. Për të përmendur është Mbreti Zog që e ktheu vështrimin kah Evropa,me një mentalitet të çliruar nga Anadolli. Po kështu edhe Enver Hoxha,me gjithë gabimet që pati në politikën e tij të brendshme e të jashtme,nuk pati qasje të veçantë me Turqinë. Ne shqiptarët duhet të kemi të qartë një gjë:

Turqit vetëm na shfrytëzuan për vlerat tona, nuk na vlerësuan për të na i vënë këto vlera sadopak në interes të vendit tonë. Ne mbetëm vendi më i prapambetur,më i varfër e më i pazhvilluar në Ballkan. Nga kush? Natyrisht nga ajo Turqi. Mos të harrojmë Lidhjen e Prizrenit që e mbyti në gjak dhe kryengritjet e Shkodrës. Turqit, jo vetëm që u lëshuan me egërsi kundër shqiptarëve,por i lanë ata edhe në oreksin e ujqve të uritur sllavë. Lind pyetja : A na ruajti qeni turk ne shqiptarëve nga ujku sllav? Kjo do të ishte detyra e tij se na kish deri atëherë në zotërim…Natyrisht jo. Ky qen ,kundër të gjitha zakoneve,jo vetëm nuk na ruajti,por bëri marrëveshje me ujkun dhe e la atë të na turrej si i babëzitur. Po kështu bëri edhe me dhelprën greke ( patriarkalen dhe qarqet shoviniste)
Cili vëlla e bën këtë për vëllain e tij? Po dhe sikur, si mund të quhet vëlla pushtuesi? Turqit e sotëm u futën në Egje dhe i lanë gjynahet me shqiptarët: Apo një ditë të bukur kaluan Bosforin për të ardhur te ne si krushq për miqësi? Jo o njerëz. Turqia ka mëkate që nuk i lan dot Egjeu dhe Mesdheu ndaj shqiptarëve. Teza e vjetër e Serbisë se shqiptarët na qenkan popull nomadë, të ardhur nga Anadolli e viset e tjera të ish-Perandorisë Osmane dhe se duhen ndjekur si shkaktarë të turbullirave në Ballkan ka nisur të zbatohet në praktikë në fillim të shekullit XX nga serbët në marrëveshje me Turqinë. Për fat të keq atëherë, me hir a me pahir një pjesë e mirë e kosovarëve shkuan në Turqi, duke u stimuluar nga shteti turk në shumë drejtime. Ishte ajo kohë kur qindra kosovarë erdhën edhe në Shqipëri.
Pyes: Nëse Turqia do të ishte djegur nga dashuria vëllazërore për shqiptarët, nuk i kundërvihej dot Serbisë për këtë gjenocid ndaj shqiptarëve. Një vëlla kurrë nuk do pranonte që dikush të nëpërkëmbte vëllain e vet. Po Erdogani mos donte të bënte këtë gjë me kosovarët tani së fundi? U kujtua si shiu pas të vjelave për vëllezërit kosovarë, kur ata i kish ndihmuar Amerika dhe Evropa? Mos donte Erdogani një shpërngulje të re të shqiptarëve në Turqi??? Kjo ishte Turqia për shqiptarët: qeni që la ujkun sllav të hante dhëntë e më pas, ato dhen që kishin shpëtuar gjallë t’i përzinte për në Turqi. Të njëjtën gjë bëri me Çamërinë në dy momente të shekullit XX, në fillim e në mes të shekullit.

A mund të mos mendohet se edhe kjo ishte marrëveshje e fshehtë mes Greqisë dhe Turqisë???

Në të dy këto momente Turqia u tregua “e gatshme” t’i priste çamët me kënaqësi dhe ishte gati të pranonte edhe çamët e tjerë që erdhën në Shqipëri. Natyrisht, dihet marrëveshja e parë e fillimit të shekullit mes shtetit grek dhe atij turk, po nuk njihet plotësisht marrëveshja e mesit të shekullit mes Zervës dhe Turqisë. Si thoni, miqtë e mi, a është veprim me mend nga politika shqiptare dhe ajo kosovare afrimi me Turqinë? Evropa dhe SHBA i dinë fare mirë kto poshtërsi të Turqisë ndaj popullit shqiptar. E sëmura e Bosforit dikur dhe sot “e mbytura e Bosforit” edhe atëherë edhe tani do të na marrë me vete,të na mbysë. Ne duhet të zgjedhim përfundimisht: O në Evropë, ku kemi rrënjët tona të thella dhe historinë tonë legjitime, ose me Turqinë që ka vetëm një gisht të një këmbe në Evropë dhe pjesën tjetër në Azi Mbase edhe ky është një shkak pse Evropa është dyshuese me ne. Në këtë pikë ne nuk duhet t’i japim arsye Evropës që të vijojë të jetë mosmirënjohëse për kontributin e shqiptarëve historikisht në mbrojtje të vlerave evropiane. Turqinë nuk duhet ta trajtojmë as si vëlla,as si kushëri,por si një vend me marrëdhënie diplomatike, zyrtare etj., njëlloj si Serbinë, Greqinë, e vendet e tjera të botës. BE duhet të jetë shtrati i gjerë,ku duhet të rrjedhim edhe ne bashkë me lumenjtë e tjerë të Evropës. Turqia le të mbetet Azi për ne.