Ku shkon ‘anija’ e dëshpëruar e studentëve?

598
Sigal

Vangjush Saro

Mbetet në plan të parë greva e zgjatur e studentëve; pra, është e natyrshme të qasemi me kujdes në këtë temë dhe të përpiqemi të themi:

  • çfarë është ky termi, statusi ‘student’,
  • si ka evoluar çështja e shkollës në përgjithësi dhe e shkollës së lartë në veçanti,
  • çfarë nuk shkon dhe si mund të interpretohet (që mandej të zgjidhet) kjo situatë e rënduar.

(Nëse nuk duam që ‘anija’ e dëshpëruar të hidhet sa andej këtej nga dallgët e politikës apo të shkatërrojë veten dhe hapësirat ku i bie të bëhet përplasja…)

Student në dekadat e hershme

Statusi ‘student’ filloi të formulohej jashtë vendit, që në fillimet e shekullit të shkuar, kur familjet e kamura i dërgonin fëmijët për studime në Romë, Vjenë e Stamboll. Pas vitit 1945, një pjesë e madhe e të rinjve, gjithashtu u dërguan për studime në vendet me të njëjtin sistem, në Gjermaninë Lindore, Çeki e Poloni, në Jugosllavi, Rumani, Bullgari e, sidomos, në Bashkimin Sovjetik; këtë herë falas. Këto vende, u jepnin bursë studentëve shqiptarë, një pjesë e të cilëve u kthyen që andej duke sjellë me vete edhe gratë e ardhshme. Për shumë prej këtyre ‘kuadrove’, do të hapeshin probleme në vite, kryesisht për shkak të grave dhe, ngaqë ishin diplomuar në vende që shpejt (në vitet ‘60) do të cilësoheshin revizioniste. Kur Shqipëria u mbyll politikisht e, ndërkohë që hapi universitetin e vet dhe disa institute të larta, studentët që do të mësonin jashtë vendit ishin të pakët; më së shumti e, duke u përzgjedhur mirë, ata çoheshin në Kinë e Vietnam, rrallë, shumë rrallë edhe në vende perëndimore, kryesisht në Itali dhe Francë e, sidomos, për specializime.

Në çdo kohë, studentët kishin një status të garantuar dhe një emër shumë të mirë në shoqëri. Universiteti i Tiranës ishte qendra kryesore e tyre, por shpejt u rritën edhe Instituti Bujqësor në Kamëz, Instituti i Fizkulturës dhe institutet pedagogjike në Shkodër, Elbasan e Gjirokastër. Studentëve, sipas të ardhurave familjare, iu jepej bursë nga shteti (që do të thotë se paguhej akomodimi dhe ngrënia) ose edhe gjysmë burse. Një pjesë e madhe, i përballonin vetë shpenzimet; këtij kontigjenti i jepej vetëm ‘e drejtë studimi’, siç thuhej. Një shumicë të rinjsh nuk e kishin fare atë fat, më së pari ata me ‘biografi të keqe’, por edhe ata që vinin nga gjimnazi me nota të dobëta.

Tekstet ishin të lira, studentët i siguronin me të ardhurat e tyre. Shkolla ishte serioze. Në fakultete jepnin leksione emrat më të njohur të kohës; mungesat merreshin rregullisht; përjashtoheshe po të kapërceje një limit. Baza e mësimit ishte leksioni. Çdo javë, zhvilloheshin, sipas lëndëve, seminare, pra bashkëbisedime, kurse një herë në disa javë, kishte kolokium, diçka si provim, test; i jepej shumë rëndësi. Një herë në tre javë, duheshin ‘mbrojtur’ rreth 20 faqe tekst, përkthyer kryesisht nga rusishtja ose anglishtja. Në të gjitha këto hallka, pedagogu mbante shënime, që i kishte parasysh për më tej e për në provime. Këto, në sezonin zyrtar apo në vjeshtë (për ngelësit), bëheshin me gojë dhe përballë (më e pakta) dy pedagogëve. Me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, nuk bëhej fjalë për ndërhyrje apo për blerje, qoftë edhe të një provimi të vetëm.

E mëtejmja e studentëve ishte e grantuar, por tejet e vështirë; shumica, për vite të tëra, punonin larg familjeve, kryesisht në Verilindje, por edhe në Librazhd, Gramsh etj. Ata që nuk paraqiteshin në detyrë, duhej të paguanin një gjobë pothuaj të papërballueshme, përveçse iu trazohej biografia… 

Student në Tranzicion

Në fillim të viteve ‘90, për arsye që dihen, shkolla pothuaj u shfytyrua. Programet ishin në kaos. Fonde s’kishte. Shkolla u bë me turne. Ndonjëherë përdoreshin qirinj për ndriçim. Kishte zysha që bisedonin me fëmijët për… vijimin e ndonjë telenovele. Niveli i mësimdhënies dhe i edukimit shkoi tatëpjetë, bashkë me lirinë, që gjithashtu u dhunua. Çelja e shkollave private, në të gjitha ciklet, solli njëlloj avantazhi në fillim, por më pas u duk qartazi që po kthehej në qëllim në vetvete. Shkolla apo universitete të akomoduara në dy dhoma e një kuzhinë, e shumta në disa mjedise të marra me qera, dëftesa e diploma sa për të kaluar radhën, kjo periudhë e denatyroi arsimin krejt.

Është e tepërt të kujtoj tani (është shkruar këto kohë) një kurs 6-mujor të ashtuquajtur “Shkolla e Plepave” (për… gjyqtarë) por edhe universitete të tjera dosido, në Tiranë e në rrethe, që më shumë se sa zhvillonin mësim, shisnin diploma. Nuk është vendi të zgjatemi me këtë episod grotesk, por duhet thënë se, me kohë, një pjesë e këtyre institucioneve private u konsoliduan dhe u zgjeruan, duke kthyer sytë edhe nga programet dhe cilësia e mësimdhënies. Është fakt që në dekadën e fundit, janë bërë përpjekje për të kufizuar dhe, pastaj, për të nxjerrë jashtë loje ato shkolla e universitete që nuk plotësonin normat e kërkuara. Ishte një hap që duhej hedhur, edhe pse nuk mund të mohojmë që ndërkohë, miqësitë dhe klanet kanë bërë punën e tyre.

Masivizimi, sidomos në shkollën e lartë, solli një sërë probleme, por më së pari krizën e punësimit, për shkaqe që dihen dhe ku do të veçoja rendjen e çmendur pas diplomave për Drejtësi, Mjekësi, Sociologji, duke mos ‘komunikuar’ me nevojat imediate të vendit dhe duke krijuar kontigjente në pritje ose pa shpresë pritjeje. Për më tepër, tashmë kishte filluar punësimi sipas angazhimit politik, çka e shkatërroi sistemin e arsimit, vetë jetën, duke kultivuar bakshishin dhe duke shpërndarë nëpër shkolla e universitete deri llumin e shoqërisë; një plagë që pa le kur mund të shërohet…

Greva e këtyre ditëve, filloi me disa kërkesa legjitime, që nga përballja me klasën politike dhe me qeverisjen problematike në vite, në dekada, te tarifat e provimeve e shtrenjtimi i teksteve dhe gjithë aktivitetit shkollor, për faj edhe të vetë pedagogëve, një pjesë e të cilëve, në këtë periudhë e përdhosën veten dhe profesionin e nderuar. Por ndërhyrjet nga politika dhe pafuqia (nga ana e ministres përkatëse) për t’u përballur me kërkesat kryesore, bënë që gjendja të vijë duke u acaruar; çka do të thotë, se ‘ndërhyrësit’ duan që kjo punë të shkojë zvarrë. Tani flitet për përçarjen e protestës, ka një aktivizim e zell të paparë nga ana e përfaqësuesve të opozitës, sikundër thonë, të papranueshme nga Kryeministri, por edhe ndonjë lëshim; (me vonesë, kemi vendime për ndërhyrje në godinat e Qytetit të Studentëve etj.) E megjithatë, duket se ende nuk ka dialog, jemi në zgrip…

Student jashtë vendit

Çfarë është esenciale në këtë protestë: Përmirësimi i rrethanave të studimit, dëshira për t’i dhënë leksion klasës politike, pikësynimet politike apo thjesht ‘trembja’ a largimi i një ministreshe ose vetë Kryeministrit? Po vijojmë rrëfimin tonë për shkollën e lartë, mbase kjo na ndihmon të kuptojmë më shumë… Pas viteve ‘90, një pjesë e madhe e familjeve, sërish filluan t’i dërgojnë fëmijët për studime të larta jashtë vendit, duke përfituar edhe nga fakti që tashmë Shqipëria kishte një diasporë që sa vinte rritej. Është një kohë me liri dhe me detyrime financiare të rënda, brenda dhe jashtë vendit. Pamja vjen me të gjitha ngjyrat e mundshme: ka të kënaqur, të pakënaqur, që kthehen, që përpiqen të sistemohen atje ku kanë studjuar, që mbeten në mes të rrugës; gjithsesi, ata duken më të kthjellët se studentët që e kanë lidhur fatin me Shqipërinë.

Sot, midis të tjerave, ata po kërkojnë shkollim falas. Siç kam shkruar në një opinion të mëparshëm, ka vende që e praktikojnë këtë; ka vende që nuk e praktikojnë. Ky pretendim fillon te programet politike, që, pasi votohen, duhen respektuar; natyrisht duke bërë rregullimet e mundshme. Mund të ketë ndodhur që nuk janë respektuar ato që janë premtuar apo programuar dhe, në këtë rast, studentët janë mëse të përligjur në vijimin e kërkesave të tyre. Duke bërë një pranëvënie me këtë që po ndodh në Shqipëri, duhet thënë se një universitet me pagesë, është vërtet shumë, por askush të mos mendojë se në Evropë apo gjetkë janë falas. Është një botë e ndërlikuar, me kontribute, me bursa, me pagesa të pjesshme etj. Bie fjala, në Vankuver, ku jeton autori i këtyre radhëve, krahas kolegjeve që paraqiten mjaft efikasë, janë disa universitete; më të rëndësishmit cilësohen publikë: ‘UBS’ (University of British Columbia), ‘Simon Fraser’ dhe ‘KPU’ (Kwantlen Polytechnic University). Për të mos u zgjatur, këto universitete janë gjigantë; secili prej tyre është pothuaj një qytet më vete. Studimet kushtojnë. Librat janë të shtrenjtë, jetesa gjithashtu, sidomos qeraja e banimit. Por një pjesë e kanë xhepin (e prindërve) të ngrohtë, kurse pjesa tjetër, shumica, punojnë. Dhe ndodh që e lënë shkollën, rikthehen, plotësojnë detyrimet, vazhdojnë, kalvar edhe ky, por për blerje provimesh nuk bëhet fjalë e, gjithsesi, ka një fund: E ardhmja nuk se është fushë me lule, por konkurrimi (për punë) është i drejtë, kryesisht në bazë të eksperiencës dhe aftësive; mbase nuk është i përjashtuar fare subjektivizmi, por për ndikim politik e punësim ‘me parti’ nuk bëhet fjalë. Dhe meqë folëm për llojshmërinë, në ‘KPU’, ka degë bujqësie, vreshtari, prodhim birre, fonderi, madje edhe farkëtari…

Duke bërë pranëvënie, je i detyruar të pohosh se reforma arsimore në Shqipëri nuk ka dhënë rezultatet e duhura, për sa kohë studimi universitar, për më tepër ai publik, është i pambështetur si duhet nga shteti, për më tepër, nuk siguron llojshmëri dhe efikasitet në përputhje me nevojat e vendit dhe të ekonomisë shqiptare në tërësi, pra nuk garantohet e ardhmja, ndërkohë që përfshirja politike e shkatërron këtë mekanizëm defektoz edhe më.

Përfundime

Duke u përpjekur të kuptojmë diçka në këtë kalvar të shkollës së lartë, mund të thuhet se në këto kushte, ajo, edhe pse e kushtueshme, është sot një formalitet; shumë të rinj e kryejnë për ‘ta pasur’ dhe jo pse janë mundësitë të bëhen të gjithë… gjyqtarë, filozofë, nuk di çfarë tjetër, vetëm vlerë në shërbim të sistemit ekonomiko-shoqëror të vendit, jo. Ndërkaq, sikur kjo të ishte pak, ‘lançimi’ i universiteteve publike, është realitet. Kemi një pronocim të akademikut Artan Fuga për Ligjin për Arsimin e Lartë që në 2015. Këto ditë, na i kujtoi defektet e këtij ligji edhe akademiku tjetër, Moikom Zeqo. Studentët duhet të gjejnë përgjigje për kërkesat e tyre. Greva e studentëve është e drejtë dhe e duhur; ajo ishte mjaft e orientuar në fillimet e saj; por më këtej, u denatyrua dhe tani është këmbëkryqur në shesh mbi pikëpyetjet e rastit.

Palët (vërtet përfaqësuese) mund të bisedojnë, duhet të bisedojnë, asnjë prej tyre s’mund të bëjë ‘të fortin’; kjo punë nuk zgjidhet pa folur e pa kompromise. Studentët janë inteligjenca e së nesërmes; mes tyre ka që e dinë shumë mirë sa qëndrojnë kërkesat dhe sa ato mund të plotësohen. Nëse janë të yshtur politikisht apo ëndërrojnë të ‘rrëzojnë’ qeverinë, kjo përbën çështje tjetër. Natyrisht, nuk është fundi i botës, por ndërkaq, s’është respektuar fillimi… I grevës. Ndiesia e ndërhyrjes së politikës, si edhe shumë ‘ndërhyrje’ të tjera alla shqiptarçe, krijon një klimë kaosi dhe moskuptimesh, që më në fund, sot apo nesër, sërish kthehet kundër vetes… Politikanët, të gjithë, sidomos Kryeministri, janë në hall. Kush nuk i hap rrugë fjalës, por frymëzon sherr, ose ngecje në vend, ose mendon se me masa represive mund të kapërcehet gjendja, është i gabuar. Mendoj se pedagogët e njohur, që kanë treguar se e vlerësojnë profesionin e nderuar, një pjesë e tyre janë të pranishëm edhe në media, do të japin ndihmesën e tyre në ankorimin si duhet të kësaj ‘anijeje’ në dallgë…