Shpendi Topollaj: Deri kur o politikanë të paaftë do e lini Shqipërinë vasale të të huajve?

302
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Rreth 100 vjet më parë një udhëtar i huaj, dashamirës objektiv i shqiptarëve, teksa shihte mjerimin ku ata jetonin, kishte konstatuar me keqardhje se kudo sundonte mendimi që të tjerët, sidomos  evropianët, do e shpëtonin këtë vend. Dhe ai, afërsisht jepte gjykimin e tij: kur do të dalë dikush që t`i bindë këta njerëz, se do kapërcehet  ky mjerim dhe jeta do të përmirësohet, vetëm kur ata vetë t`i dalin për zot atdheut të tyre. Është e trishtueshme kur sheh se edhe pas një shekulli, ne vazhdojmë të presim nga jashtë. Mes nesh ende sundon po ky mentalitet, për të mos thënë se ka shkuar akoma më tej, pasi roli i të huajve është fetishizuar, dhe prej ndërhyrjeve jo korrekte e përzjerjes në punët tona të brendshme, dhe jo gjithmonë të ndershme të tyre, ka ardhur dhe një përçarje sa e dëmshme, aq dhe gati – gati e pariparueshme. Ne i kemi nderuar dhe respektuar të huajt, por dhe jemi zhgënjyer prej tyre. Kjo, kuptohet që i shërben luftës për pushtet të pashallarëve  tanë me kostume dhe kravata të shtrenjta. Kemi përvoja të hidhura nga “miqësitë e pathyeshme”dhe Traktatet e pavdekshme. Mirëpo, nga pësimet asnjëherë nuk nxorrëm mësime. Rrimë e presim se ç`do të thonë ata, të mëdhenjtë e kancelerive evropiane, që mesa duket as na kanë dashur, dhe as që na duan. Në vazhdën e optikës së baballarëve dhe gjyshërve të tyre, ata e kanë parë Shqipërinë si plaçkë tregu, një vend mysliman e pa dinjitet.

Kurse popullin tonë, duke rënë në kurthet e propogandës së vjetër serbe, duket se e konsiderojnë pa ndonjë vlerë e sherrxhinj që po i bashkove mund të hapin në çdo kohë telashe. A nuk flet fare qartë fakti se kur u përmend  bashkimin e Kosovës me Shqipërinë (O Zot! Çfarë absurdi), kërcejnë përpjetë si zorra në prush. Nga ana tjetër, pasuesit të kriminelit gjakatar S. Millosheviç, Aleksandar Vuçiçit, jo vetëm i shtrinë dorën e miqësisë duke e përkëdhelur, por edhe kanë nisur t`i kërkojnë falje që ja bombarduan Beogradin (pas atyre tragjedive që u shkaktuan kosovarëve), paçka se ai ushtarakisht koketon me Putinin. Grekët, nga ana tjetër,mbajnë me kokëfortësi ligjin absurd të luftës me ne dhe ushtarët e tyre paskan vendosur të lidhin këpucët me zorrët e shqiptarëve. Trampi, mat`anë oqeanit, njëherë foli sinqerisht; ai tha se nuk do të dërgojnë djemtë e tyre që të vriten për ca shqiptarë kokëshkretë. Dhe ne, pasi i vumë kryqin ushtrisë, krenohemi që jemi anëtarë të NATOS – s, paçka se na ka marrë malli të shohim një oficer. Ama, emisarët vijojnë të venë e të vinë, duke u kapardisur si konkuistadorët  para  indigjenëve. Dhe përdorin disa fraza orakujsh me dy kuptime që si të majtët, si të djathtët, pretendojnë se i mbështesin ata. Nuk harrojnë të thonë se keni bërë përparime, por keni akoma detyra për të plotësuar kushtet që të nisim bisedimet. Dhe ky avaz që vazhdon prej tridhjetë vjetësh po merr përmasa groteske. Ndofta, e kanë ndarë mendjen se duhet të presim treqind vjet për të çelur negociatat dhe të na pranojnë në BE, kur ajo të jetë shkrirë fare. Kjo, si dihet, ngaqë duan të venë durimin tonë në provë.

Punë eksperimentesh. Dhe kur nuk janë prezent vetë, punën e tyre e bëjnë ambasadorët e vendeve të tyre. Kanë filluar t`i quajnë guvernatorë. Ruajna Zot! Edhe kjo na duhej; Shqipëria qenka kthyer në koloni dhe nuk e paskemi ditur. Po kjo është diçka që e vendos populli. Dalin nëpër ekrane politikanët e pispillosur dhe bëjnë kujdes, se mos thonë ndonjë fjalë dhe u mbetet qejfi atyre. Druhen qyqarët se ku i dihet. Përdorin shprehje të mëdha: aleati ynë strategjik. Pika strategjisë tonë! E bukur për la Fontenin kjo fabula e aleancës së miut me elefantin. Por çështja është më e thellë. Ne, thonë do ngremë drejtësinë që u ka munguar. Faleminderit, por kjo drejtësia e pretenduar për titanidën Temidë, duhet të shkojë paralelisht me ca gjëra të tjera si fjala vjen, mirëqenia e gjithë popullit. Se nuk ka sesi të funksionojë normalisht një organ, në një trup tërësisht të sëmurë. Dhe tani do luftojmë korrupsionin, se në vendet tona i kemi dhënë dërrmën. Por luftën kundër tij do e drejtojmë ne. Se kështu janë punët sot; ka ecur shkenca. Me kompjuter e me satelit bëhen çudira. Pastaj ne kemi informacionet tona. S’e keni parë sa të mëdha i kemi ambasadat? Çfarë kujtoni ju se bëjnë ata? Raportojnë.  I keni haruar spiunët ju, ndaj jeni katandisur kështu. Pastaj, atë që heqim e atë që vemë e dimë ne. Ne, të qëllimeve strategjike, nuk shpiem njeri në burg, por rekomandojmë me nënkuptime të hapura. Vetëm kështu mund të vihet në lëvizje drejtësia juaj e reformuar, por gjithsesi e brishtë. Kemi përvojë në këto punë. E kujtoni Azinë e Largët, Lindjen e Mesme apo Amerikën Latine? Kujtojini, kujtojini! Se harroni shpejt ju. Por ne nuk harrojmë sesi përgatiteshit  të na shpartallonit, ne tigrat prej letre, a kështjellat prej rëre. Ja si rrodhën ngjarjet, tani jemi ne që diktojmë. E dimë vetë se ç`duhet të bëjmë dhe nuk i japim askujt llogari. Ne rrëzojmë edhe mitet, d.m.th. peshqit e mëdhenj. Një herë i quajmë burra shteti e pastaj, kur nuk e presin, i bëjmë sikterr. E dimë se humbasim edhe ne, pasi gjysma do revoltohet me ne, por nuk na bëhet vonë. Përçarjen si armë nuk e kemi shpikur ne. As Makiaveli. Por Filipi i dytë, babai i atij që e kishte nënën, shqiptare. Ndofta ajo ja ka shtënë në mend atij. A nuk ishte ai poeti juaj, Fishta, Homeri shqiptar, që e konsakroi në vargje lapidare? Kaq sa për fillim, se pastaj do të shohim kush e ka radhën. Na falni, se ne nuk ndërhyjmë në drejtësinë tuaj. Ne vetëm vumë ata që menduam se janë më të mirët. Për të mirën tuaj e kemi edhe kur sjellim turbullira. Se ndryshe, nuk kthjellohet. Rëndësi ka që tani e tutje shpëtuat; nuk do të ketë më të korruptuar.

Dhe le të guxojë kush nga politikanët tuaj të na qortojë pas kësaj. Nuk i keni parë edhe ata opinionistët që pak a shumë e kanë pranuar plotësisht si diçka të ligjshme domosdoshmërinë e nënshtrimit tuaj? Ju nuk jeni më të zgjuar se ata. Le që kjo nuk është tjetër, veçse gjeopolitikë. E kuptoni ju, apo jo? Fundja, mirë a keq, fajin gjejeni te politikanët tuaj që vetë i keni zgjedhur me vota të lira. Dhe kujdes, legena! Jo shumë nacionalistë. Dhe një gjë: a keni dëgjuar për atë luftëtarin e thjeshtë, Tersitin? E dini si e hëngri skeptrin kokës ngaqë kritikonte Odiseun, Agamemnonin  e Akilin dhe u bënte thirrje ushtarëve të largoheshin nga Troja? Të paktën politikanët  tuaj e dinë, ndaj mos prisni ndonjë gjë të madhe prej tyre. Pastaj, a nuk qe edhe vetë Temida ajo që lindi Moirat, të cilave u bindej e gjithë bota? Mirë, or mirë, po unë që nuk jam politikan, veçse një qytetar i thjeshtë, a kam të drejtë të pyes në emër të demokracisë tuaj: si do t`u vinte sikur të sillej kështu ai ambasadori ynë te ju, që patjetër nuk ja dini emrin? Ose, ose, si do të ndiheshit sikur ne të shpallnim “Non grata” Xhon Kenedin se flitet që ka pasur një të dashur bjonde apo W. Çërçillin, se nuk i hiqte purot e shtrenjta nga goja?!