Sigal

Ore babam, mos u sëkëlldis hiç nga anonimët me pseudonimet fantazmë! Se që nga koha e baba Qemos, ata këtë avaz kanë. Si në monizëm dhe në pluralizëm, nuk dalin kurrë në shesh-mejdan me emrin dhe mbiemrin e tyre të vërtetë. Zakonisht marrin nishan e qëllojnë prapa gardhit dhe fshihen si minj gjirizi. Dhe, nëse u vjen sahati i tyre i lig, lëshohen si qentë nga zinxhiri dhe bëjnë gjithçka për të kafshuar, gjoja në emër të parimeve e të drejtësisë si drapri. Mos e harro Timoleon e paharruar, mikun tënd të veçantë, gazetarin ish-partizan që mbylli sytë me dinjitet sapo mbushi 90 vjeç në Sarandë. Krenar si ai dhe me shumë plagë të pamerituara në trup e në shpirt. Por ajo mbrëmja zezonë kur do të vendosej pushimi i tij nga puna e gazetarit dhe degdisja me 3 turne në fonderinë përvëluese të ish-Uzinës Traktori, do të binte bashkë me rrufetë si në qiell të pastër! Themi kështu, sepse në mëngjes, shkrimit të tij kritik nga Gjirokastra iu thurën ditirambe e u vlerësua si më i miri. Madje, u ekspozua dukshëm edhe në tabelën përkatëse në korridorin e gazetës së dashur “Bashkimi”, si model e shembull për të tjerët ! Por… në mbrëmje deri vonë, ndodhi ajo që ndodhi. Befas, ranë rrufetë nga maja e “Olimpit”(?!). O Zot, disa nga ata kolegë që e kishin lëpirë e lavdëruar autorin e shkrimit në mëngjes, gjatë asaj mbrëmjeje mallkimtare u tjetërsuan menjëherë në pështymë-hedhës të neveritshëm. Vetëm Piro Kondi ua ndali pakëz vrapin e sulmin donkishotian atyre faqezinjve që donin ta groposnin të gjallë! E kish njohur herët nëpër shtigjet e Luftës partizane, qysh në Kongresin e Rinisë Antifashiste në Helmës të Skraparit, ashtu me bllokun e shënimeve në torbën me fishekë të djaloshit luftëtar nga Lukova… Po sot? Ah, sot po na mbyt mizëria me minj anonimë nëpër gjirize interneti! Vjellin e përmjerrin si në errësirë, në kompjuter e celularë. Asnjëherë me emër e mbiemër sagllam, shpesh duke qelbur faqet e mediave online dhe të asaj të shkruar (në print).

Ata duan që truri e pena jote të pushojnë ose të prehen nëpër grazhdet partiake e ulërake ku militojnë verbërisht e djallëzisht. Por edhe ata që hiqen trashëgimtarë të persekutuar politikë, kërkojnë të shtojnë të ardhurat financiare nëpër kolibet ku lehin ditë e natë. Dhe rrojnë e mbretërojnë pa asnjë punë të paqme, presin këmbë përmbi këmbë këstet shtetërore të përfituara fare qyl mbi kurrizin e dërmuar të taksapaguesve të varfër shqiptarë. Se për çfarë meritash dëmshpërblehen këta pinjollë anonimë, sot e kësaj dite nuk po e kuptojmë dot ! Pra, me njërën dorë në revani e me tjetrën në bakllava… Miqtë e mi vërsnikë e besnikë dhe pa asnjë teserë partiake në xhepa, që jetojnë e punojnë te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit, nuk e ndalën dot inatin dhe zemërimin e tyre të sinqertë e të drejtë. 40 vjet si gazetar profesionist, nuk janë pak. Pa asnjë fije hipokrizie a patetizmi, po e them për herë të parë publikisht: Autorët e letrave me emër e mbiemër, nuk i urreva kurrë! Megjithëse mjaft prej tyre ia fusnin si kau pelës, asnjërin nuk e denoncova te organet e djeshme të “Diktaturës së Proletariatit” (Hetuesi, Prokurori e Gjykata). Dhe personalisht nuk jam bërë pishman aspak. As me familjet e fisin e tyre nuk u mora kurrë majë më majë. “Madje, ne të nxitnim shpesh si me hosten për të vepruar, por ti heshtje, ngrije krahun lart, shtrije pëllëmbën dhe bëje sikur hidhje diçka pas kurrizit. Pastaj ngrije gishtin tregues dhe e drejtoje në qiell, te i Plotfuqishmi i Gjithësisë, që të merrej ky me ata lapërdharë që sot “përgjërohen” për Lirinë dhe të Drejtat e të Persekutuarve Politikë. Dhe harrojnë, që mjaft prej atyre ish-të burgosurve e të persekutuarve, veç të tjerave, kanë marrë dënime e rëndime të ndryshme edhe nga ca dëshmi me gojë a me shkrim të këtyre anonimëve të pacipë që ngjajnë shumë me lakuriqë nate. Nëpër Labëri i quajnë edhe lapurakë, nga ata që janë pa pupla në trup, qafërrjepur ose kërmill pa guaskë e plot jargë! Ata fluturojnë e veprojnë kryesisht natën, pa lënë mënjanë “lakuriqët veshgjatë”. Mizëria me anonimë e eunukë, më shpesh më bëjnë për të qeshur dhe për t’u tallur me këtë racë aspak në zhdukje. Realisht, më shtojnë humorin mes shokëve e miqve në biseda. Për të qenë i sinqertë deri në fund, edhe këtë shkrim mund të mos e hidhja në letër a kompjuter. Por të mërkurën në mbrëmje vonë, e theva heshtjen. Përse vallë? Mëngjesin e asaj dite e nisa ndryshe. Pa dalë ende nga shtëpia me kredi, ra zilja e celularit. Po më kërkonte si me këmbëngulje ai çobani 81 vjeçar nga Kuçi i Kurveleshit, për të cilin u botua një shkrim i veçantë. Plot humor e batuta pikante labe, ai burrë i vuajtur e tepër dinjitoz, po më falënderonte e uronte me zemër.

Ashtu siç dinë të mençurit e shumtë në Labërinë e dashur dhe me shumë vlera… Gjatë gjithë ditës, emocionet e gëzuara të mëngjesit më shoqëruan me një përjetim të veçantë njerëzor. Por në mbrëmje, provova një thartirë të papritur e të pasitur, kur një kolegu im i vjetër po më lexonte me zë reagimin skuthian të një anonimi “antikomunist” llafazan ilegal, që ora e ndryshkur i paska mbetur te “kampi Aushvic” në Tepelenë, duke e nxjerrë lepurin nga ferra dhe kokën e muhabetit si struci. Dallkaukllëk e maskarallëk që e përcollëm shpejt me atë shprehjen ndihmëse të Kryeministrit tonë “Shpif, shpif se lirohesh !”…Por edhe qeshëm me të madhe. Pra, i zoti e jep, por tellalli ilegal e mediokër kërkonte qiqra në hell dhe kuiste qenërisht me gjuhë lapuraku. As nuk arrita të thosha: O Zot, na ruaj nga Anonimët rrënjëdalë e kurrizdalë!… Ndoshta nuk ka shumë rëndësi se çfarë miushë janë, të vegjël në trup e në shpirt, matufë të pagdhendur a gërxho kafeneje. Mjaft prej tyre i njoh mirë. Sepse u shkoi jeta zhytur nëpër kanale e gropa të zeza me emrin e përbashkët “Gjiriz”. Mjeshtër anonimë që kënaqen, velen e gogësijnë erërëndë kur arrijnë të nxijnë jetën e të tjerëve. Mirëpo, e vërteta mund të hollohet por nuk këputet e as fshihet dot përjetësisht. Shkurt, nuk futet minarja në thes! Dhe çuditërisht janë nga ata tipa që u ha sot dhe e kruajnë të nesërmen nëpër frëngji interneti, si njerëz lapërdharë, të pacipë e ethebutë gojëndyrë prapashpine. Burracakë që nuk flasin e as shohin drejt në sy.

“- Miku ynë në metropol, këta shkarra-shkrues errësire ti i vë në majë të gjilpërës e ballë për ballë, aspak syunjur…Ti dhe familja jote, as dje e as sot nuk rrëmbyet nga shteti asnjë qindarkë dëmshpërblimi për djegien e shkrumbosjen dy herë të shtëpisë me kulm e themel nga pushtuesit e huaj dhe minjtë e tyre kolaboracionistë. Nuk fituat nga shteti monist e pluralist asnjë kacidhe nga burgimi, dënimi e internimi politik i babait tuaj Antifashist i orëve të para, në qelitë rënkime- shumë të kalasë së Gjirokastrës dhe në skëterrën e Gurores në Shëngjin (Lezhë). Nuk morët asnjë qindarkë nga torturimi, masakrimi e pushkatimi nazist i gjyshit, i të vetmit burrë peshtanak në Operacionin Armik të Dimrit (1943-’44) etj. Ata eunukë koloviten shpesh si copë mishi me dy sy herë majtas e herë djathtas, nga të fryjë era e parave të pista. Dhe shfaqen sikur u këputet barku për ish-kampet e internimit. Harrojnë se një ditë do të katandisen pa parime fare, duke i shitur te palët në konflikt. Jo rastësisht në nahijen time, këta lakuriq nate i kashaisin me shpoti e qesëndi të holla brisk. E, sidomos taborin me minj interneti anonimë. Le ta mbyllim me një buzëqeshje: “Një mësues, një ditë pyeti nxënësit:

-Sa vite rron një mi ?… Nxënësit, të befasuar, ca nguruan, ca dhanë përgjigje të kota. Një nxënës që nuk aktivizohej shpesh, ngriti gishtin dhe u përgjigj:

– Kjo varet nga macja…