Ja na erdhi edhe kjo ditë e lume që Shqipëria autoktone prej shumë shekujsh tashmë të kthehet në një truall me popullsi multietnike, madje gati për konkurim edhe me Kanadanë për këtë drejtim. E këtë ‘lumturi’ na e solli Edi Rama me platoformën e tij famëkeqe të ‘rilindjes’, që u materializua me betonim, asfiksim ekonomik, emigrim masiv dhe vetshitjen e Shqipërisë, pasurisë, kulturës, deri edhe ujin e ajrin. Këtë lloj europianizimi, pa qenë asfare në bashkësinë ligjore europiane- ‘sepse akoma nuk kemi bërë detyrat e shtëpisë’?!- na e dhuroi kryetari ynë me karizmë të posaçme, oratori të zhdërvjelltë dhe mendjelehtësi të lartësuar. Një pasqyrë e përciptë hulumtuar në media dhe në realitetin objektiv, paksa e beftë, me disa të dhëna afërsisht të plota na rrëfen se si po ecën gjeografia demografike e vendit tonë. Ja le të lexojmë sa vijon. Njëzet mijë italianë janë pajisur me leje banimi në Durrës për punë e jetë. 370 çifte italianësh, burrë grua,(apo partner mashkull-femër) po ashtu kanë marrë të gjitha të drejtat për të jetuar në qarkun e Durrësit. Në Çorovodë do të takosh dy nepalezë dhe një filipinas, ndërkohë që disa indianë kanë bërë kërkesë për të ardhur e jetuar në periferi të e këtij qyteti. Nga Vlora e bukur, madje më e bukur kur ishte e vjetër se sa tani që “është bërë e re”, midis shumë etnive të tjera, disa banorë me kombësi turke janë strehuar, rregulluar dhe punësur nga bujqësia jonë tashmë e shkrehur deri tek mjeshtëria për ndërtim varkash e mjetesh të thjeshta lundrimi. Një australiane e kolme tha botërisht se i pëlqen të jetojë vetëm këtu në Vlorë, ku ka nisur një punë të mirëpaguar.
Shëngjini, kjo tjetër perlë e buzëdetit tonë gëlon nga afganët e sjellë me urdhër amerikan dhe zell e dëshirë të plotë të Edi Ramës. Shumica e tyre duan të fluturojnë drejt Amerikës, por jo pak syresh janë integruar në jetën e këtushme. Jo pak polakë kanë blerë shtëpi në Shëngjin, sepse aty kanë interesa jetike. Të befason pakistanezi që punon në bujqësi në Mamuras dhe rrëfehet për jetën e tij në vendin nga vjen: “Ju nuk e njihni varfërinë. Më pyesni mua sesa të varfër jemi ne atje!” Dhe vijon: “Do të marr edhe familjen këtu në Shqipëri, sepse këtu jetohet për mrekulli. Është mëkat që të lësh këtë vend e të emigrosh në të tjerë shtete”, -e mbyll bisedën ai.
Tre egjiptianë në Fier dhe dy libanezë në Dimal të punësuar aty, nuk janë aspak çudi, sepse vajzat indoneziane, ukrainase dhe moldave bëjnë jetë rruge në qytetin e madh shqiptar të bregdetit, Durrës. Ndërkohë që me dhjetra janë ato të reja që nga Gana e Tanzania baresin nëpër kryeqytetin tonë. Thuhet edhe një çift suedez ka shprehur dëshirën për të banuar në malin e Dajtit. Bangladeshas të shumtë dhe një numur i konsiderueshëm filipinezësh janë punësuar nëpër restorante, klube dhe tregtore peshku, qepabtore, apo lokale nate përgjatë bregut të ‘artë ‘ të detit Jon. Jo vetëm në sportin e futbollit, por edhe në aktivitete të tjera ndihmëse në Tiranë, Durrës dhe Vlorë të zë syri jo pak banorë të shteteve dhe kombësive afrikane. Nuk po përmendim mijrat e iranianëve që janë kthyer në banorë të mirëfilltë ca në qytetin -kamp të tyre të miratuar personalisht nga kryetari Edi Rama dhe jo pak të tjerë në rrethina dhe brendësi të metropolit shqiptar. Në qytetet tona jugore dhe veriore kanë nisur të vijnë e të banojnë me qëllime të mira jetese edhe shtetas grekë, malazes, serbë dhe maqedonas. Ishte disi fantastike biseda e një japonezi që tha se familjarisht nuk do të largohet kurrë më nga Tirana!?Po shqiptarët ku janë dhe sa mbetën? Mjafton vetëm kaq informacion që të dalësh në përfundimin se në Shqipëri jetohet më mirë se gjetiu.E megjithatë të rinjtë tanë emigrojnë jashtë vendit. Neise! Këtu janë një kompleks faktorësh ekonomikë, moralo-psikologjikë dhe veçanërisht politikë që kanë ndikuar në ushqimin e helmuar shpirtëror se “Shqipëria nuk bëhet! “Dhe rolin më negativ në këtë emigracion të 40% të popullsisë e kanë jo vetëm joshja me kërkesa punësimi nga vendet perëndimore si Amerika, Anglia, Kanadaja e Gjermania. Së pari përgjegjësistë i kanë qeveritë tona,sidomos qeveria e S.Berishës dhe kjo e Edi Ramës, të cilat i vunë zjarrin truallit dhe nuk krijuan aspak kushte për punë, pagë të mirë dhe siguri jetese për rininë.A ju kujtohet që Edi Rama thoshte: “Se duan të ikin të rinjtë jashtë vendit, kjo nuk është punë e qeverisë!”
Hartës demografike të Shqipërisë së sotme i është shtuar edhe migracioni brenda vendit. Pyes në telefon mbesën në Poliçan se si e ka djalin dhe ajo më thotë: “Ka dy vjet që ka emigruar në Ksamil!Nuk e mbaroi as vitin e fundit të gjimnazit dhe iku!?” Kësi rastesh gjejmë me qindra në tërë fshatrat dhe qytetet e vogla të rajoneve të thella nga veriu në jug.”Kam rrush, qershi, lajthi, arra, e pemë të tjera,-thotë një fshatar në Skrapar- por nuk kam fuqi punëtore. Sëmundje të thella të tjera kanë pasuar: vajzat mbeten pa martuar,shtëpitë mbeten pa djem, prindët mbeten pa kurrfarë kujdesi, shkollat pa nxënës e pa mësues dhe tërë hallkat e zinxhirit jetësor kanë pësuar tronditje, goditje dhe shumë prej tyre janë këputur fare. Këtë e tregojnë më së miri faktet rrëqethëse kur djali vret babain dhe e hedh në pus, gruaja vret burrin, burri i vë flakën gruas, policë jo të paktë të korruptuar, disa kryebashkiakë të arrestuar, sa e sa vajza të përndjekura e përdhunuar, sa kriminelë në kërkim,etj. etj.
Por halle e huqe të tjera ka kryetari i qeverisë!? Kryetari ynë tashmë prej 15 vitesh atje në krye, ka shqetësime më të mëdha:si tua marrë ‘kalanë nga brenda’ europianëve me batuta, ftesa për samite, veshje e pamje të jashtme. Si të bëjë sa më shumë qoka me fqinjët ballkanas për të thënë se ky është dikushi, që vendos për ecurinë e këtyre tre-katër shteteve të Ballkanit jug perëndimor. Ai nuk e ka fare as në ‘axhendë’ e as në fjalor jetën dhe hallet e fshatarit shqiptar. Kryetari ynë nuk ka aspak lidhje me krimin, por me oligarkët dhe njerëz të respektuar mbarëbotërisht. Joshja e të huajve për turizëm të nëntë llojeve në Shqipëri është përparësia e tërë punës qeverisëse. Shifra, tregues, foto e objekte, shumëçka, që lidhet me turizmin; ky është shqetësimi kryesor i kryetarit tonë. Ai po e thotë me fjalë e vepra se Shqipëria nuk ka nevojë as për bujqësi, as për industri, as për ushtri, por vetëm për turizëm. Në shifrën 8.2 milion turistë të këtij viti-kushedi sesa herë përfshihen i njëjti njeri!? Kësisoj kryetari ynë i qeverisë po shkon drejt asaj që t’ia shndrrojë ADN-në Shqipërisë.
Për këto merita edhe individë të ndryshëm, që janë në krye institucionesh, apo organesh të zgjedhura, i kanë dhënë vlerësime madhore si :“komandant; “dora e tij është dorë e zotit”; “vendin e tij s’e zë dot askush; po shkon drejt pikës që të bëhet Zeus i tokës dhe qiellit”;”është Atlet i Krishtit”;” “është Skënderbeu ynë i sotëm”;” është udhëheqës i markës ndërkombëtare”; ”është lider i pakonkurrueshëm”; dhe vetë kryetarja aktuale europiane i drejtohet me fjalët ”I dashur Edi!”Së fundi, këto ditë, kur atij i zjen koka nga meraku që të sigurojë me çdo kusht mandatin e katërt si kryeministër, kur nuk po lë gur pa lëvizur që me grumbullin e njerëzve gojëkyçur, xhepgufmuar dhe duartrokitës të shfrenuar të mbrrijë në pikën më të lartë për shumicën e deputetëve në Kuvend, del një pikturë madhoshe ku ai, në tërë “madhështinë” e vet iu tregon njerëze-qen ose po të doni quajini qen-njerëz fjalën popullore:”Qentë le të lehin karvani ecën përpara!” Por të transformuar prej tij-ashtu siç ka tjetërsuar shumëçka këtu në Shqipëri, në variantin”Lehjet e fundit para se Shqipëria të hyjë në Europë”! Të tërë e dimë se “kryetari, në fund të fundit, është babai i tërë katundit”. Ndaj atij i bie barra për të zgjidhur hallet, atij i thuren edhe lëvdatat, atij i jepen edhe dekoratat, dhe tek e mbramja ai dërgohet prapa hekurave ose më tej akoma atij i hiqet edhe koka po qe se nuk e justifikon vendin që e kanë zgjedhur apo po qe se abuzon me postin që i kanë besuar duke i sjellë dëme të pariparueshme vendit dhe popullit të vet. Po ai vallë a e di?