Hyqmet Zane: Ngjarjet kriminale dhe ndotja e jetës së qytetarëve

650
Sigal

Ndotje akustike dhe vizuale e policisë përballë krimit që ndot jetën qytetare

 

Nga Hyqmet Zane

 

Detyra e parë e policisë së shtetit është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike dhe ndalimi i keqbërësve. Përballja e këtij përcaktimi me realitetin, bën që të lindë pyetja, se a i kryen policia e shtetit këto detyra të rëndësishme, siç bëjnë homologët e tyre në Evropë? Nuk dua të bëj krahasime se të tilla çalojnë, por një gjë është e qartë, se policimi në komunitet dhe ruajtja e rendit dhe e qetësisë publike bëhet si për hatër e jo për detyrim ligjor. 6 vite më parë kryeministri u shpreh se nuk na duhen polici kot më kot, por polici funksionale dhe këtë detyrë do ta bëjë policia e shtetit më mirë se këto të ashtuquajtura polici. Isha plotësisht dakord me këtë përcaktim, por në fakt asnjë lëvizje e tillë nuk u bë, sepse, përveç që u frynë së tepërmi efektivat e policisë, doli sheshit se u përdor për të qenë parzmore e stafit kryeministror dhe jo e komunitetit dhe qetësisë e rendit publik.

Shkas për këtë shkrim u bë një sjellje e pazakontë e një patrulle me makinë policie që, në një ambient të panevojshëm për t’i rënë borisë, bënte të kundërtën dhe dritat të ndezura a thua se ishte kapur ndonjë kriminel. Mirë do ishte të behej ndonjë aksion kundër kriminelëve, por ajo mënyrë e të rënit të borisë së makinës së policisë rrugore apo asaj të rendit, jo vetëm që është e tepërt, por edhe krijon një panik e alergji të papranueshme për veshët e qytetarëve që gjithnjë kthejnë kokën sikur çfarë ka ndodhur kur dëgjojnë atë lloj tingulli. Për më tepër, një qytetar në atë vend tha se, këto lloj borish janë si të gangsterëve e nuk duhet të jenë të policisë.

Pyetja e parë që del është, se kush e ka dhënë këtë urdhër për një tingull të tillë alarmues në makinat e policisë? Debatet që bëhen në tavolinat e kafeneve kur dëgjojnë një te rënë të borisë së policisë, të gjithë kthejnë kokën si me trishtim dhe më pas shprehen se “këta janë bërë si kaubojs, në vend të kapin kriminelët, bëjnë të tilla shfaqje, a thua se kjo na duhet nga policia t’i bjerë borisë sikur kjo të ishe puna e saj”. Para së gjithash te uniforma e policisë është shteti dhe forca e shteti për rendin dhe qetësinë publike, siç veprojnë policia edhe në shtetet evropiane. Por këtë uniformë duhet ta justifikojnë me sjelljen e tyre policët e çdo rangu, se nuk janë individë si gjithë qytetarët e tjerë, por janë përfaqësues të shtetit që i duhen e i shërbejnë qytetarëve në kohë të ndryshme. Ndaj, edhe kur kemi një hall i drejtohemi për mbrojtje e shpëtim policisë dhe ajo vjen pranë teje. Por, kur shikon makinat e vogla të policisë që u bien borive me atë tingull aspak të përshtatshëm, detyrimisht do të thuhet se kjo është një ndotje akustike e rëndë që të krijon trishtim dhe befasi dhe të le një shije të keqe në mendje.

Më keq akoma, që sa vjen mbrëmja dritat verbuese të makinave të policisë të bëjnë të vesh dorën përpara syve, se të verbojnë. Përse duhen aq shumë ndriçim edhe duke ndenjur në vend?! Çdonjëri në qytet pyet veten, se përse policia është kaq e dukshme në qytet, sidomos në bulevardin kryesor? Është duke ndjekur ndonjë kriminel apo është në ndonjë aksion sepse, nëse një kriminel e di që kërkohet, ai nuk mund të futet në qendër të qytetit si për t’u thënë policëve: “Ja ku jam, më doni, hajdeni më kapni?!”, por shkon në periferi atje ku policia nuk duket gjëkundi, a thua se policia ka frikë nga kriminelët.

Para këtij realiteti, menjëherë pyet veten se kur ndodhin ngjarje të rënda kriminale me vrasje e plagosje siç kanë ndodhur herë pas here në Elbasan dhe, siç thuhet, janë të ngritura heshtat e një përplasjeje kriminale për larje hesapesh apo për hakmarrje, ashtu  si edhe në qytete të tilla problematikë; si Vlora dhe Durrësi, Tirana apo Shkodra e të tjerë qytete, përse nuk merret me to policia, por bën paradën e borive dhe dritave në bulevardin e qytetit? Apo dritat dhe boritë janë parada e mbulimit të krimit?

Jam i bindur dhe i mirinformuar se drogë shpërndarësit në lokalet e Elbasanit dhe qytete të tjerë e kryejnë punën e tyre me kënaqësi të madhe, sepse askush nuk i nget dhe askush nuk u thotë gjë. Pale pastaj që edhe zaptuesit e trojeve publike kanë edhe mirëkuptimin e policisë që nuk ka forcën apo kurajën që t’i thotë: ‘Ndal’ asaj drejtorie në bashkinë e qytetit që të mos e teprojë me leje të ashtuquajtura provizore dhe me përkohshmëri, se qyteti po mbulohet nga lokale kafenesh dhe mungesa e punës e ka bërë të vetën.

Cila polici e ashtuquajtur do të parandalojë shkeljen e rregullit e të qetësisë publike, kur policia bashkiake shihet se merret me ca makina që transportojnë njerëz për në Tiranë dhe anasjelltas si të vetëpunësuar dhe me licencë, në një kohë që duhet të jetë prezent në përballje me qytetarët shkelës të ligjit dhe jo të bëjë punën e policisë së qarkullimit rrugor.

Realitetet e shkeljeve të ligjit dhe mungesës së rendit i shikon edhe gjatë orëve të mbrëmjes, kur muzika dhe zhurmat e mëdha bëhen shkak i prishjes së qetësisë publike dhe policia në vend të bëhet e pranishme për të qetësuar rendin, por ndonjëherë duke pranuar; një birrë apo një qerasje arrin që të mbyllë sytë dhe çfarë ndodh: Në orët e vona pas mesnate, të fortët e qyteteve bëjnë qyfyre e tregojnë punët ë tyre të zeza duke krijuar frikë e mungesë qetësie në lagjet e qyteteve.

Aksidentet e shumta që ndodhin dhe gjobat e vendosura janë një shqetësim për shtetin dhe qytetarët, ndërkohë që policia nuk e di sesi duhet të parandalohen këto akte të rënda. Apo edhe sjelljet e panevojshme të policisë në akte të ndryshme ku krijohen konflikte edhe me vetë policinë, kanë treguar se, drejtues të kësaj policie nuk i udhëzojnë drejt patrullat dhe me veprimet e tyre nuk i bëjnë nder uniformës që mbajnë, aq më tepër nuk krijohet respekt kur policisë i mbetet si shenjë pranie përdorimi i borive dhe ndezja e dritave që në vetvete prish rendin e qetësinë, sa ndonjëherë bëhen objekt shkëmbimi fjalësh. Si për të qeshur, kam qenë prezent një ditë në një kryqëzim rruge në Elbasan ku ndodhej një polic i qarkullimit dhe i binte bilbilit se një grua plakë po kalonte pa respektuar vizat apo semaforin se, kuptohet pleqëri, kur plaka e ngathët doli në trotuar, i shkoi polici pranë dhe i thotë “Nuk dëgjon ti nane që unë i bie bilbilit, të mos shkelësh rregullin e qarkullimit?” (se do kalonte një grup makinash me autoritete) Ndërsa plaka me naivitetin e vet iu përgjigj: “Po unë or bir mendoja se ti i bije bilbilit për qejf. Ti të më flisje, se ashtu nuk marr vesh nana.” Ndoshta ministri apo Drejtori i përgjithshëm i policisë duhet të kenë vëmendjen edhe në të tilla veprime që bëhen nga policia sigurisht edhe pa dijeninë e tyre.