Nga Gentian Çala
TEATRI QË DONTE ZOTI DHE NJERËZIT
Në kohën kur tërmeti apokaliptik dëmtoi mijëra ndërtesa në disa qarqe, shumë nga ne prisnin që ndërtesa 80 vjeçare e Teatrit Kombëtar të shembej në tokë, pasi një grup specialistësh me urdhër qeverie e nxorrën si “të sëmurë rëndë”. Çudia ndodhi dhe Teatri as që nuk pati qoftë edhe një të gërvishtur apo të çarë. Njerëzit që në ditën e parë të pas tërmetit u mblodhën aty me qëllim të grumbullimit të ndihmave për ata që kishte goditur fatkeqësia.
Zoti e donte Teatrin dhe njerëzit zemërgjerë që kishin luftuar për të, ndaj e kurseu zemërimin e tij mbi të. Objekti që bashkoi shumë njerëz u kthye në një simbol kundër korrupsionit dhe babëzisë të atyre që nuk kursejnë asgjë për të fituar për vete dhe klientët e tyre. Teatri nuk ra që të na dëshmonte paudhësinë e atyre që donin ta prishnin për ta mbjellë kullat e tyre.
Për shumë kohë KM e ndau komunitetin e artit në pro dhe kundër planit të tij, angazhoi plot njerëz poshtë tij, organizoi dëgjesa dhe i vuri kryq të kuq ndërtesës pa rënë ende tërmeti. Teatri u bë kështjella e qëndresës të atyre që duan trashëgiminë kulturore dhe Zoti u rrjeshtua me të drejtën. Tetari nuk ishte më një ndërtesë, por një pikë e takimit të atyre që janë zemërgjerë dhe vullnetmirë.
Teatri duhet dhe do të jetë aty për të na treguar se ai vend është i bekuar nga dashuria e njerëzve që nuk rendin pas parave, që nuk manipulojnë për të fituar më shumë, është pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe shpirtërore. Sot që përballemi me trishtimin e shkatërrimit, kuptojmë se qëndresa e këtij objekti është simbol i ngadhnjimit të së drejtës mbi padrejtësinë, i dashurisë mbi egoizmin.
Teatrin e desh Zoti dhe njerëzit e thjeshtë!