Gentian Çala: Në vend të diellit, ajrit, detit…Ju ofron kafazin?! Zgjidhni e merrni!

361
Sigal

Nga Gentian Çala

Shifrat e ditëve të fundit të të prekurve nga koronavirusi, megjithëse me pak raste që kanë nevojë për trajtim spitalor, duken një kombinim i shkujdesjes sonë me kujdesin “qeveritar” për të na “mbrojtur”. Unë nuk po i hyj debatit të vërtetësisë së shifrave, megjithëse ka jo pak arsye për ti vënë ato në diskutim, por do të diskutoja një aspekt tjetër. Para rreth një muaji kisha shkruar se Ramës i intereson pushteti i pakufijshëm nën arsyetimin e një pandemie (pra, zgjatja e saj) madje edhe sikur fatura mbi ekonominë të jetë dërrmuese. Koha e turizmit po afron dhe skenat me policët që dalin në plazh duken parathënie e një mendësie kafazi, e cila përdor shifrat për qëllime që vetëm mendja e KM-së i di.

Në vend të diellit, ajrit, detit e natyrës, po na thonë se mund të duhet të rrimë në kafaz. Tashmë ka ardhur koha që asnjë nga këto këshilla apo udhëzime fejsbuku nuk duhet respektuar. Zgjidhni dhe merrni: midis marrëzisë së dikujt që pushtetin e ka bërë vegël të emocioneve e të orekseve personale dhe normalitetit në jetët tuaja! Qëllimet e mbrapshta nuk mund të marrin peng lirinë tuaj. As shifrat e ekspertëve të përdorur dhe as zëdhënësit e tyre nuk duhen dëgjuar. Ju mjafton kujdesi juaj personal, nuk ka nevojë për masa të tjera nga jashtë. Nëse do të respektoni vazhdimin e marrëzisë së izolimit, thjesht dhe vetëm do të dëmtonim më tej ekonominë dhe shëndetin tonë mendor e fizik. Ajo që vlente në një situatë nuk vlen më!

Ju ofrojnë kafazin, më pas një pako me ushqime dhe shumë lajme që i shërbejnë trushpëlarjes. Egoja e sëmurë e KM-së dhe pushteti e tij kanë nevojë thjesht për mendje të frikësuara dhe të komanduara. Shtimi i panikut përmes shifrave dhe daljeve të përditshme në media të krijon ndijesinë se “lufta vazhdon”, “armiku na vjen rrotull”, “do të kthehet sërisht”…, e plot hamendësime si kjo që kanë qëllim jetësimin e frikës dhe justifikimin e masave të tepruara. KM-ja ka thënë në media se sot në mbrëmje do të ketë komunikimin e fundit për COVID-19, por e kam të vështirë të besoj se mund të heqë dorë nga frikësimi juaj. Ai sot do tu flasë për arritjet e tij dhe do tu ftojë që të ndiqni këshillat dhe masat, por nuk do të jetë i gatshëm ti jap fund kufizimit të lirive tuaja me ligj.

Unë e kam një sugjerim për të gjithë ju: i thoni jo KM-së e broçkullave të tij dhe dilni, punoni, pushoni ku të doni në mal a në det, protestoni, shijoni jetën dhe lirinë tuaj e mos e këmbeni me frikën që ju servirin!