Gentian Çala: Hapje listash apo mbyllje pazaresh

255
Sigal

Nga Gentian Çala

Pyes veten dhe nuk po mundem të gjej një përgjigje në pyetjen se çfarë u fitua sot me ndryshimet kushtetuese? E vetmja përgjigje që gjej është se fitoi egocentrizmi i dikujt ndaj të tjerëve. Përkohësisht, sepse ne operojmë në mendjet tona me skenarët që parashikojmë se do të ndodhin. Rama parashikon fitoren si forcë e parë nëse nuk ka koalicione, kurse “opozitarët” satelitë të Ramës ishin në fakt, ata, që as nuk kishin moral dhe që nuk luftonin për ndonjë gjë, thjesht i shërbyen atij si duke qëndruar në Parlament, ashtu dhe duke votuar thuajse çdo ligj të tij. Ata mbyllën pazarin me Ramën. Ftuesin e garës elektorale do ta kuptojmë kur të vijë koha, madje vetëm atëhere skeptikët do të çmojmë nëse ishte i dobishëm, i dëmshëm apo i pavlerë ky ndryshim kushtetues. Kushtetuta është kornizë principesh mbi të cilat ndërtohet shteti, jo libër llogarishë elektorale. Ndaj Opozita e Bashkuar ka të drejtë!

Pra, hapja e listave ishte porta për të mbyllur një pazar pushteti. Kaq! Por edhe për të dëshmuar se ne riciklojmë gabimet tona në politikë. Madje gjuha e përdorur në Parlament nga politikanë të mazhorancës apo metaforat e zgjedhura dukej se evokonin të shkuarën. Akrepa të kthyer mbrapsht në kohë. Akti i sotëm nuk ishte për lista të hapura, por protagonizëm provincial i politikanit që i duhet pushteti me çdo kusht, i aftë që të shkelë mbi marrëveshje dhe principe. Akti i sotëm është një precedent provokativ dhe aventurier, që zgjon orekse të cilat mund të jenë vetëm antidemokratike. Të dashuruarit me hapjen e listave heshtin, sepse e dinë që nuk ka qenë qëllim, por mjet.

Kjo ditë nuk prodhoi asgjë të re, thjesht mësuam se për pushtet mund të sajohet gjithçka, mund të ndërtosh mure, mund thyesh rregulla, mund të prishësh aleanca dhe raporte me partnerët. Mësuam se Rama po bëhet gjithmonë e më i paskrupullt dhe se vazhdon ta kthejë pazarin në një akt normal politik. Kurse, Opozita duhet dëshmojë se e ka seriozisht futjen në një garë, ku duhet të dëshmojë se është alternativa e një kundërshtari të cilin e mund pavarësisht avantazheve në tavolinë. Rama mendoi se fitoi në ditën që për mua gaboi më shumë. Ai ka harruar se të këqiat kulturalisht ky popull i mban mend gjatë. Shpresoj ta marrë mësimin e duhur. Durim!
Pazaret e sotme nuk do nxjerrin fitues nesër!