Fejton/ Tragjedi dhe Komedi

883
Sigal

Nga Hyskë Borobojka

Punën në fshat, emrin në Tiranë,

Të vodhën moj zonjë, kusur nuk lanë

Në këtë tranzicion, që s’ka të sosur, vazhdojnë të shfaqen me “sukses” tragjeditë dhe komeditë. Autorët e tragjedive janë punonjësit me pagesa qesharake e pensionistët me një pension sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Ndërsa aktorët e komedive janë pushtetarët, deputetët, gjyqtarët, matrapazët oligarkë, matrapazët mashtrues, sekserët… Ato, komeditë, sipas mënyrës së tyre vazhdojnë të shfaqen me sukses. Shembujt e atyre, që trishtohen dhe të tjerëve që gëzohen në “mbret mbretërinë” e “Rilindjes së Re” janë aq të shumta, sa s’di nga t’ia fillosh e me cilët të mbarosh. Në këtë fejton, sa për ilustrim, po paraqes vetëm një tragjedi e disa komedi. Dikur në fshatin Zerec, 40 kilometra larg Korçës, jetonte e punonte një grua e thjeshtë, që, sipas regjistrit të gjendjes civile, quhej Fatime Rrapo Maejanaku. Ndërsa ajo punonte e derdhte djersën në ish-kooperativën bujqësore të fshatit të saj, që nga viti 1967 e deri në vitin 1991, duke futur për çdo vit me dhjetëra ditë-punë, falsifikatorët e mashtruesit, ia kishin shpërngulur emrin nga fshati i saj dhe i hapin një librezë pune, sikur “kooperativistja nga fshati” ishte bërë “zonjë” në Tiranë, e na qenka bërë punëtore në sektorin e Alliasit të ish-Ndërmarrjes bujqësore “Gjergj Dimitrov”. Dhe, me që u mungonte fotografia, nuk e di nga e gjetën një të tillë që s’ngjet aspak me Fatimen. Madje ia fshinë dhe emrin e asaj që i kishte bërë kokën, nga Refie, e ‘pagëzuan” Shaniko (si duket u erdhi ndërmend batuta e filmit: “Për ty Shaniko!”). Hajdutët me kravata dhe zonjat apo zonjushet me buzë e thonj të kuq, kur bënë poçen e mashtrimit e të kobashitjes, duhet t’i bënin edhe vegën, që ta mbajë mos bjerë e thyet, se, vaj medet, u dalin të palarat sheshit.

Aktorja e tragjedisë, që vuan për bukën e gojës, endet nëpër zyrat e pushtetit e në ato të prokurorisë e gjykatave. Por aktorët e komedisë qeshin me të madhe me hallet e kusuret e saj, që përpiqet të mbajë frymën gjallë me gjysmë pensioni. Gruaja e gjorë i ngjit e i zbret shkallët e zyrave nga njëri kat në tjetrin, nga ato të pushtetit, policisë e gjyqësorit. Populli thotë: “Ku  ishe? Hiç gjëkundi!” Ish-kooperativistja nga fshati, që me falsifikime e mashtrime u bë punëtore në kryeqytet, për t’ia grabitur edhe atë pension minimal. Ndërsa aktorët e komedisë ia bëjnë ditën natë me një gjyq farsë, pa pjesëmarrjen e të “paditurës”, pasi nuk e “gjejnë dot në ç’drejtim të paditur” ka shkuar, si zhduken trafikantët, kriminelët që i kërkon policia e s’i kap dot. Por për çudi, edhe pse ajo mungon, gjyqi mund të vazhdojë “rregullisht” në mungesë. Madje mund të “vërtetojë ligjërisht” se e “paditura”, jo vetëm na qenka prezent në sallë dhe, sipas avokates “bedele” të caktuar nga gjykata, ka bërë “autokritikë” e është penduar, duke derdhur lot për fajin që ka “bërë” duke “dëmtuar arkën e shtetit. Kjo histori e shëmtuar vazhdon si në lojën e kungulleshës. Sigurimet Shoqërore ia përcjellin policisë që të zbatojë vendimin (më falni vjedhjen) Kjo ia nis për kompetencë Prokurorisë. Prokuroria për ta vërtetuar “ligjërisht” ia pason Gjykatës së Faktit. Kjo asaj të Apelit. Mbase loja e kungulleshkës mund të vazhdojë, për “njoftim e veprim” edhe në Gjykatën e Lartë, sapo të plotësohet me gjyqtarë. Dhe kjo tragjedi – komedi, nuk vazhdon me ditë, me javë e muaj, por me vite, duke mbushur dy e po hyn në të tretin. Kjo të kujton shprehjen popullore që “një budalla hodhi një gur në lumë dhe u mblodhën gjithë të mençurit e s’e nxjerrin dot.” Kurse në rastin e Fatimes, ata gurin e kanë hedhur për të mos e nxjerrë. S’ka gjë se tjetra vazhdon të vuajë ekonomikisht. Aktorët e komedisë vazhdojnë lojën e tyre, për deri sa nuk u thotë askush mos. Se kur do të bjerë perdja e kësaj farse, vetëm një Zot e di!?….