Ergys Alushi: Të shkruash apo të mos shkruash për Vlorën, kjo është çështja!

280
Sigal

 

Mos shkruaj për makinën e djegur, se dëmton imazhin e qytetit!
Mos shkruaj për rastet me COVID 19, se shkakton panik!
Mos shkruaj për pikën e betonit në buzë të detit, se mërzitet firma!
Mos shkruaj për “fijen e barit”, se është vepër arti dhe ti nuk merr vesh nga arti!
Mos shkruaj për mungesën e ujit, se mërzitet kryetari!
Mos shkruaj për pastrimin e pyllit të sodës, se mërzitet prefekti!
Mos shkruaj për emërimet nepotike në institucionet e shtetit, se mërziten deputetët!
Mos shkruaj se Vlorës po ikin vlonjatët edhe pse Rama ka investuar miliona e miliona euro në Vlorë, se mërzitet Kryeministri!
Dhe më e bukura është se kur të gjitha këto ua thotë Kryeministri, të gjithë ulin kokën dhe i marrin si të mirëqëna!
Mos shkruaj për atë, mos shkruaj për këtë, për ato e për ata!
Mos shkruaj se të gjithë mërziten! Na mërziten me pak fjalë “kokat e mëdha”! Na mërziten ata që e kanë mbërthyer pushtetin prej fyti e nuk po i  lënë kusur!
“Mirë, mirë, të drejtë ke, por ti mos shkruaj, se edhe vetes i bën dëm, por edhe Vlorën e dëmton!”
Kjo është porosia, këshilla e atyre, që kanë hallin e imazhit të Vlorës, që e duan Vlorën!
Këta e duan dhe unë që shkruaj, nuk e dua Vlorën!
Dhe kë Vlorën! Dhe kush, unë! Epo, pikë e zezë!
Dhe kush ma thotë, ma thua ti, ata, ato, që më njeh shumë mirë dhe e di që unë nuk kam përfituar nga asnjë pushtet, shoqëri, hapësirë, por vetëm kam ndihmuar, duke përfshirë edhe ty, edhe ty, edhe atë tjetrin.
Po si mund t’a duash ti më shumë Vlorën, kur nuk shkruan asgjë për problematikat e saj, dhimbjet që përjeton çdo ditë!
Po si mund ta duash ti më shumë Vlorën, kur nuk ia thua të vërtetat në sy, edhe pse të hidhura!
Po si mund t’a duash ti më shumë Vlorën, kur të paktën nuk ia qan hallin, mirë që nuk ia zgjidh dot!
Po si mund ta duash ti më shumë Vlorën, kur të ka errësuar sytë pushteti, posti, pasuria e vendosur me lekët e shtetit!
Ka edhe shumë të tjera, aq sa mund të rri një natë pa gjumë e të bëj një libër me dashurinë midis teje e meje për Vlorën!
Nejse!
Unë do të vazhdoj të shkruaj, sepse këtë punë e kam bërë për më shumë se 20 vite dhe nuk e kam filluar tani!
Të paktën ti, ata e ato ma njohin këtë fakt! Por kam vetëm një kërkesë!
Aman, mos më porosit, këshillo e të më shkruash më për gjoja se të vjen keq për imazhin e Vlorës, panikun, dëmin që i sjell qytetit, vlonjatëve, atij apo këtij!
Të lutem!
Lëre të na gjykojë koha se kush e deshi Vlorën më shumë!
Ti, ata, ato, nga maja e pushtetit, e postit e parasë apo unë nga realiteti i përditshëm i qytetit, i njerëzve të thjeshtë!