Dr. Mjalinda Keta: Auditori studentor dhe 10 pyetjet për Presidentin Tusk

832
Sigal

Presidenti Tusk para një auditori studentor

Dr.Majlinda Keta

Nuk mendoj se pas 30 vitesh “demokraci” për çdo shqiptar, për më tepër për studentët e auditorëve shqiptare, të përbëjë lajm apo t’i kthejë në ndjekës aktivë, vizita e radhës e burokratëve apo figurave drejtuese të Bashkimit Evropian në Tiranën zyrtare. Pushteti po, sot ai maksimizon fasadën e rrugëtimit të përbashkët me to. Kjo, jo vetëm se në 30 vite rrugëtim, këto vizita e dekorime për integrimin evropian ato i kanë kthyer në sjellje “me shumicë”, po edhe sepse vajtje ardhjet e tyre para syve të shqiptarëve (me kosto, përfshirë në asistencën për Shqipërinë) ato duken si të dedikuara për pushtetmbajtësit. E të lodhur nga këto sjellje shqiptarët, studentët në veçanti, janë bërë më inteligjentë, më pragmatistë, ndaj preferojnë të ndjekin ndonjë fjalim lideri shteti si Gjermania, vendet nordike mbi “Politika” ndaj studentëve të huaj nga “non EU member” apo thjesht ato për emigrantëve klandestinë.

Për më tepër tashmë ato veprojnë për zgjidhjen e halleve të tyre pa dëgjuar se çfarë thuhet në fasada të tilla e që në rezultante për Shqipërinë, sidomos vitet e fundit kanë sjellë shifra emigrantësh të krahasuara me popullatat në zona lufte. E meqenëse Presidenti mbërriti për një tjetër dekorim të radhës, pikërisht kur universiteti nuk ka hapur ende auditorët për Vitin e ri akademik po përpiqem të ndërtoj një projekt ide, një platformë komunikimi nga studentë të Protestës Studentore që me siguri do jenë ftuar në ceremoni. Thjesht po përcjell pjesë të tezave të tyre kërkimore për integrimin evropian të vendit.


……
Pyetje për JU, Z. President:
1. Integrimi i Shqipërisë është projektuar së pari si një rrugëtim demokratik, mendësor, transformues i shqiptarëve; ndërtimit dhe funksionimit të ndarjes së 3 pushteteve, funksionimit të institucioneve në pavarësinë dhe varësinë nga pushteti politik, qytetarëve dhe medias në liri apo projektuan një version parti shtet me fasadë demokratike që veç qeverisje nuk prodhoi për shqiptarët dhe veç besim nuk mund të na ngjizë për një të ardhme më të mirë, këtu, në Shqipëri?
2. Çfarë modeli demokracie ju projektuat shqiptarëve ndërsa edhe pas 30 vitesh vidhet institucionalisht vota edhe në zgjedhje monopartiake?
3. A ishte emigracioni masiv i te rinjve dhe familjeve të reja rezultati i pritshëm pas 30 viteve bashkë rrugëtim BE dhe shqiptare? Integrim përmes emigracionit masiv besoj nuk mund të ketë?
4. Cilin model zhvillimi ekonomiko- social i mentuat shqiptarëve pas sot Shqipëria është e shpopulluar gjeografikisht dhe ekonomia vendoset dhe vuloset nga oligarkët që marrin “ peng” çdo qeverisje dhe kjo e fundit luan me rregullat e sjelljes së një pengu?
5. Presidenti që pret të dekorohet a do thotë dy fjalë për sistemin arsimor që lëngon nën shifra injoruese si buxhetim dhe nga “ reforma” që kanë deformuar e depersonalizuar në lirinë dhe integritetin e tyre sa fëmijën/ studentin po aq edhe mësimdhënësin e tyre? Protesta jonë çfarë ishte për ju dhe demokracinë që i njihni këtij shteti?
6. Mbase dekoratën nga pushteti e meritoni President, pasi në gjithë këtë rrugëtim ka pjesën e vet asistenca nën lidershipin e tuaj, por a është arritje e tij koncensionimi i shëndetësisë publike ku për të justifikuar pagesat e koncesionarit mjafton të studiohen me SPSS-s se sa herë punonjësit e administratës së shtetit shkojnë dhe bëjnë chek-up; mjafton të analizoni se sa është volumi i pagesave për shërbime që shqiptarët japin tek privati brenda dhe jashtë Shqipërie përkundrejt shëndetësisë publike?
Ju pyesim konkretisht se si JU, Z.President, do mbështeteshit nga sigurimet shëndetësore në raste të sëmundjeve të rënda, sepse një shqiptar i thjeshtë por edhe një akademik, Prof Dr , me 40 vite pune, mund të vdesë se nuk përballon dot financiarisht terapi të tilla.
Kjo është shëndetësia e reformuar e pretenduar nga JU ndërsa besoj ndiqni se numri i të prekurve nga kanceri në Shqipëri shtohet në mënyrë galopante ndërsa pushteti nuk ndërton dot një paketë të asistencës dhe mbështetjes për këdo fatkeq në këto histori?
Vërtet për këtë lloj shëndetësie u menduam 30 vjet për t’u transformuar drejt përmbushjes së standardeve sipas integrimit?
7. Integrim do të thotë të trajtohesh shtetërisht me dinjitet e në të drejta e liri. Presidenti besoj i njeh shifrat e frikshme të rritura të dhunës në familje, kryesisht mbi gratë e fëmijët në Shqipëri.
Çfarë vlerësimi do të kishte një President mbi shtetet, për shumë shtete në BE për këtë lloj fenomeni, ishte i pritshëm për to pas 30 viteve tona me dhe pa demokraci, me dhe pa shtet por me pushtete të frikshme politike?
Stërgjyshërit tanë antifashiste po i dënojnë nga tribuna qeveritaresh dhe me finance publike nderojnë bashkëpunëtorë të fashizmit apo mbështetës të tyre. E ne në tekste të përkthyera nga ju por dhe që edukojnë BE- në si frymë e mendim dimë se antifashizmi qëndron në themele të krijimit të BE.
Lutemi President na e bëni të qartë qëndrimin tuaj mbi këtë vërtetë të madhe të njerëzimit! Ta festojmë apo këtë vit të 75 – të të çlirimit nga nazi fashistët?
Pas tyre, Gjyshërit tanë, që ndërtuan në 40 vjet rrugë , hidrocentrale, spitale, shkolla , biblioteka, qendra të kulturës e muze marrin pensione mbijetesë, denigruese për atë çfarë bënë për një vend që në 1989 shënjonte 11.2 vite shkollim për çdo shqiptar po aq sa idealin dhe Luftën Antifashiste e shihte si pjesë e kontributeve për Evropën e Lirë. Kam frikë se pas 30 viteve e pak të mbetura nuk do e jetojmë dot mirëqenien dhe ekonominë pa borxhe për breza të shqiptarëve!!! E kjo nuk shkon, nuk mund të jetë dinjitet ekonomik për sovranitet shtetëror kjo lloj qeverisje në 3 shekuj!!
A mund t’i bëhet alibi integrimi evropian këtyre pasojave që do ia lemë si hall në kurriz të disa gjeneratave? Ku ishit ndërsa iknin këto vite….. cila është e vërteta e idealit “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
8. Zoti President i idealit të shqiptarëve për t’u bërë pjesë e një familjeje që besoj mbështetet ende në vlera, a keni menduar se ky lloj rrugëtimi që na mentuat mund t’i kthejë shqiptarët në një diktaturë më të egër se ajo që lamë pas në 1990-n, me një persekutim më të sofistikuar, pasi qajnë vatrat familjare për fëmijë që iu ikin dhe nuk i kthehen më kësaj toke; rëndojnë burgjet brenda vendit nga tejmbushja dhe dhemb gjeografia e të rinjve shqiptarë burgosur në hapësirën BE, ku partive i ka humbur demokracia, kur pluralizmi është standard i pa konsideruar nga partia-shtet… ku borxhi do mbajë peng të ardhmen po aq sa kanabizimi helmoi besimin tek demokracia e asistuar nga partnerë strategjikë.
9. Zoti President, ndërsa dekorohesh të lutem thuana disa fjalë për të rinjtë e studentët shqiptarë mbi atë që duhet të bëni që ne ta jetojmë në këtë tokë, të ndërtojmë familjet tona duke besuar se mundemi t’i mbajmë, të bëjmë fëmijë e të shtojmë popullsinë që po plaket “nga mirëqenia” por edhe t’i mundësojmë prindërve tanë t’i gëzohen rritjes së tyre para syve dhe dashurisë së tyre dhe, mbi të gjitha në këtë shtet, në Shqipëri!
10. President i një ideali rrugëtimi kombëtar, jepini mundësi popullit, të rinjve dhe studentëve, ndërsa do flisni e jepni mesazhe mbi faktin se ju e njihni Shqipërinë dhe jetën me shumë dhimbje të shumicës së shqiptarëve, por edhe atë të pushtetarëve që vijnë edhe nga krimi mbi votën, pasurinë kombëtare, nga jetët luksoze e pasuri pa gjenezë e djersë, nga dehumanizimi dhe keqpërdorimi i njerëzve nën varësi, nga dhunimi i Kushtetutës dhe çdo akti që themeloi vetë BE-ja.
Bëjuani të qartë çdo shqiptari që këta të fundit nuk mund dhe nuk duhet të jenë autorët dhe ekzekutorët e reformave që do sillnin mirëqenie dhe drejtësi për shqiptarët!
Mos gënjeni veten dhe taksapaguesit tuaj duke besuar në këta të fundit, dhunuesit e idealit demokratik dhe armiqtë e integrimit dinjitoz, real të shqiptarëve me vlerat dhe shtet-bërjen që themeluan BE- në!
Falnani besim NE të rinjve, se familjet tona sytë e zemrës i kanë tek NE!
……
Ju shqetësoheni për zgjerimin me siguri edhe në këtë vizitë-dekorim, pseudo-politikanët shqiptarë për dokumentin e radhës përkundrejt anëtarësimit si trofe mbi armikun!!!! ndërsa shqiptarët kanë zgjeruar dhimbjen mbi “demokracinë” e këtyre 30 viteve.
BE pa demokraci funksionale nuk ka, besoj.
……
Të parat dhe mbi çdo gjë janë kushtet se si do mund të prosperoni shqiptarin dhe Shqipërinë përballë një kanosjeje humane, kthimin në një shtet azil në parametra demografike, sociale, psikologjike dhe historike. Si e mendoni të ardhmen tonë nga kjo e sotme?
……
PS: Është një auditor hipotetik, se studentët që për ideal kanë drejtësinë dhe integrimin ia kalojnë në sasi e cilësi brendisë së këtyre pyetjeve.