Demokracia dhe “Opozita e jashtëzakonshme” e Bashës

1830
Sigal

Nga Feti ZENELI

 

Pastori amerikan “i llojit të ri”, Harry Emerson Fosdick, i njohur për pikëpamjet e tij liberale dhe nervin e luftës pa kompromis kundër padrejtësive, duke folur për liritë dhe të drejtat e njeriut, thotë: “Demokracia bazohet në bindjen se ka mundësi të jashtëzakonshme te njerëzit e zakonshëm”. Natyrisht Fosdick është një “liliput” i racës së filozofëve dhe teologëve të historisë njerëzore, kur ne nisim të listojmë këshillat apo mësimet e kësaj kategorie individësh të shquar për lirinë, demokracinë dhe marrëdhëniet shoqërore, por thënia e mësipërme e tij është “gjigante” për realitetin shqiptar, ku politikanët tanë të tranzicionit i kërkojnë gjithandej mundësitë dhe cilësitë e jashtëzakonshme të demokracisë, por asnjëherë tek qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Përjashtim duket se po bën në këtë rast lideri demokrat, Lulzim Basha, pasi sapo vuri këmbën në derën e politikës së lartë, në garë për kreun e Bashkisë Tiranë, plotë 8 vite më parë, përballë kryeministrit aktual, artikuloi shprehjen: “ju jeni të parët” dhe bëri kështu partner të rrugëtimit demokratik qytetarët; pra “njerëzit e zakonshëm” për të cilët flet Forsdick. Brenda kufijve kohorë të shtrirjes së asaj ngjarjeje politike, kreu demokrat do ta pasuronte më tej bindjen e tij praktiko-filozofike për demokracinë me thënien, “zëri i çdo qytetari do dëgjohet”, duke respektuar institucionet, në radhë të parë atë të votës së lirë, i cili në duart e përçudnimit majtist të “Rilindjes”, këto 6 vitet e fundit, është bërë shkaku i krizës politiko-shoqërore dhe atyre institucionale që kanë përfshirë mbarë vendin tonë. Nëse sot në Shqipëri kemi një sistem demokratik duke dhënë shpirt, kjo situatë ka ardhur, jo se mazhoranca aktuale e ka trajtuar atë në mënyrë leniniste; pra si “faza e fundit të kapitalizmit në kalbëzim”, por sepse ajo ka operuar me metoda centraliste në ushtrimin e pushtetit. Faktet dhe ngjarjet e regjistruara, duke filluar nga fundi i vitit 2013 e në vazhdim, këtë gjë tregojnë. Megjithëse ato janë thënë e stërthënë mijëra herë publikisht, përsëritja qoftë dhe në mënyrë të përmbledhur e tyre, ngacmon ndërgjegjen njerëzore dhe na bën të reflektojmë. Pa u ndalur tek niveli dramatik i treguesve të ndryshëm social-ekonomik, si shtimi i varfërisë, papunësisë, borxhit publik, korrupsioni galopant i shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes, shpërdorimi dhe gllabërimi i parasë publike nga PPP-të, mungesa e investimeve të huaja direkte dhe e investimeve të rëndësishme publike, humbja e shpresës dhe largimi masiv i rinisë jashtë vendit, ngecja “në vend numëro” me procesin e integrimit, paralajmërimi holandez për rikthimin e regjimit të vizave, etj., etj., goditjen shokuese demokracia e mori këtu e 2 vite të shkuara, në zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës, ku qeveria e Rilindjes, bazuar në raportet e OSBE-ODIHR bleu “nën dorë”, të paktën 20 për qind të votave qytetare, me paratë e drogës krimit të organizuar. Kjo bëri, që në “Zis”-in ilegjitim të “Rilindjes”, “m’u në mes të ditës” dhe në sytë e ndërkombëtarëve, të ngarkoheshin të gjithë institucionet e pavarura dhe mbetjet e reformimit të tyre, përfshirë dhe ato të dala nga e ashtuquajtura Reformë në Drejtësi, për të shmangur përfundimisht rrugën perëndimore të demokracisë dhe për t’u futur tinëzisht në rrugën e instalimit të autokracisë Erdogan-ore. Nëse perifrazojmë De Gol-in, siç ndodh rëndom në raste të tilla, rilindësit “…u bënë zotër duke pozuar si shërbëtorë” të qytetarëve; për më shumë mirëqenie, punësim, liri e të drejta njerëzore, tarifa të ulëta shërbime, madje falas disa prej tyre, drejtësi të pavarur, administratë të depolitizuar, pavarësi institucionale etj.

Por, po të mos ishte opozita denoncuese, largpamëse dhe këmbëngulëse sipas standardeve perëndimore e Bashës, pjesa dërrmuese e shqiptarëve, më shumë se sa syve do vazhdonin t’u besonin ende veshëve të tyre, madje njërit vesh, atij të majtë. Basha e nisi këtë rrugëtim të vështirë ndërkohë, që jo vetëm trashëgoi një PD të “rrahur” me “një milion shuplaka” majtiste në zgjedhjet e 2013-ës, por që nuk kishte mundësi të “hakmerrej” as në Parlament, pasi çdo deputet demokrat kishte përballë 2 kundërshtarë, 20 për qind e të cilëve nga radhët banditëve dhe kriminelëve, shumica “me damkë” evropiane, të cilët të agresonin jo vetëm verbalisht, por edhe fizikisht në ambientet e “Tempullit të Demokracisë”. Por ky raport amplifikohej në disfavor të opozitës, për shkak të arbitraritetit ekstrem të supermazhorancës, e cila me parullën e partisë në gojë: “Fajin e ka Saliu”, nisi të shkatërrojë “botën e vjetër” demokratike të normave, parimeve, institucioneve, traditës, treguesve ekonomik e kështu me radhë. U krijua një gjendje “shtetreshtimi” në marrëdhëniet midis qeverisë dhe qytetarëve, aq sa dera e burgut priste këdo që tregohej i pakujdesshëm për të hapur mirë veshët përballë artikulimit: “ky po bën shtet”. Njerëzit e zakonshëm të këtij vendi po terrorizoheshin, ndoshta dhe me synimin djallëzor për ndrydhur mundësitë e jashtëzakonshme demokratike të opozitës për të reaguar. Domosdoshmëria dhe kushtetushmëria demokratike e opozitës tolerohej vetëm në të drejtën formale të fjalës, gjithçka tjetër ishte “mollë e ndalueme”. Në biseda të zakonshme familjare apo shoqërore nuk flitej më për “të fortin e lagjes” po për “të fortin e pushtetit”, që u shndërrua në një supermen të vërtetë sapo krah tij u rreshtuan të gjithë ndërkombëtarët, pa dallim gjinie, moshe apo kombësie. Kësisoj, këshilltar kryesor i shefit të qeverisë majtiste u bë ish-kreu i Partisë Laburiste, me sa duket, jo dhe aq për eksperiencën e tij kryeministrore, se sa për parathënien në librin e antidrogës botërore, nëse i referohemi faktit që në këtë periudhë, hashashi i Lazaratit hodhi rrënjë e mbiu anë e mbanë vendit tonë, aq sa sot Shqipëria etiketohet nga raportet ndërkombëtare si “Kolumbia e Evropës” dhe si “… një nga portat hyrëse të kokainës së ardhur nga Amerika Latine”. Pastaj këshillimi ndërkombëtar i tipit “buono per Albania” mori në dorë frenat e Reformës në Drejtësi për të ndaluar e ngarkuar si hedhurina në “Zis”-in e “Rilindjes”; Gjykatën Kushtetuese, Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatën e Lartë, atë të Apelit, e kështu me radhë. Në fillim të këtij viti po bëheshin përgatitje të ethshme nga krerët e mazhorancës, që për “skrap” të dërgohej edhe Opozita, i vetmi institucion “i pa reformuar” sipas metodave Soros-iane, në mënyrë që të mbyllej përfundimisht kapitulli i zgjimit të “mundësive të jashtëzakonshme” qytetare në Shqipëri. Kreu demokrat e nuhati në kohë këtë kurth të ri dhe rrugëzgjidhjen “e jashtëzakonshme” e kërkoi tek njerëzit e zakonshëm; pra tek demokratët dhe opozitarët e tjerë të regjimit autokratik të “Rilindjes”, që i thirri në protestën e 16 shkurtit. Ishte pikërisht pjesëmarrja e lartë e njerëzve në këtë protestë, që ofroi si rrugëzgjidhje djegien e mandateve dhe braktisjen e Parlamentit nga opozita e bashkuar, për të vijuar protestat qytetare, si e vetmja mundësi reale për të stopuar revanshin antidemokratik të mazhorancës aktuale dhe për të rikthyer në jetën politiko-shoqërore të vendit tonë, mekanizmin balancues të votës së lirë, i cili qëndron në themelin e çdo pushteti demokratik. Protesta e 25 majit, e gjashta brenda këtij harku kohor, dhe më e madhja në këto 29 vite pluralizëm, dëshmoi triumfin që ka sinqeriteti politik përballë qeses me para apo joshjes me një vend pune. Kur “rilindësit” ishin në opozitë, ndonëse kishin drejtimin e bashkisë së kryeqytetit, Durrësit, Fierit, Elbasanit, Vlorës etj., dhe autobusët venin e vinin cep më cep të vendit tonë, nuk sollën asnjëherë, në gati 300 protesta që bënë, më shumë se sa gjysmën e pjesëmarrësve që opozita e Bashës nxori në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në 25 maj të këtij viti. Sekreti qëndron tek besimi që lideri demokrat ka tek shpirti i lirë i qytetarëve të këtij vendi, tek dëgjimi i zërit të tyre. Tani ky zë ka filluar të dëgjohet dhe nga ata që mbyllnin veshët për interesa të ngushta shit-blerjesh materiale, pasi siç do të thoshte Basha në fjalimin e tij përpara protestuesve në 25 maj, duke kumbuar fort “…ai mundi propagandën e shëmtuar të Edi Ramës, çori perden makabre të propagandës, ndali përpjekjen tinëzare dhe mafioze për t’ia fshehur realitetin e Shqipërisë syve të Evropës, syve të botës” dhe tani “mbreti është lakuriq”.

Duke ju përmbajtur konceptit filozofik, që “për të udhëhequr njerëzit, ec pas tyre”, Basha ja arriti të bëjë një “opozitë të jashtëzakonshme”, përballë një mazhorance të pazakontë, që s’e kishte njohur vendi në këto 29 vite pluralizëm. Dhe për këtë, më shumë se sa mandati i deputetit, suporti i organeve të drejtësisë apo dashuria diplomatike, e ndihmoi besimi tek qytetarët shqiptarë. Edhe pse në një situatë, ku siç thotë Eskili, “përparimi i maskarait, qe bërë i padurueshëm”, ai arriti “ta bëjë veten të nevojshme” dhe të domosdoshme për demokracinë dhe qytetarinë tonë. Për shumëkënd tjetër, do të ishte tejet e pa mundur, që një opozitë e brishtë si ajo që trashëgoi Basha në 2013-ën, t’i impononte Parlamentit ligjin e dekriminalizimit, të rrëzonte super ministrin e qeverisë “Rama1” dhe në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2017-s, pothuajse gjysmën e këtij kabineti, ndërkohë që nuk ishte as deputet. Tashmë, në më pak se dy vitet të mandatit të dytë të “Rilindjes”, opozita e Bashës, pasi u bë shkak i largimit me turp e përgjegjësi të disa ministrave, me në krye Fatmir Xhafa nga kabineti “Rama 2”, ka bërë që të filloj numërimi mbrapsht për dorëheqjen e vetë kryeministrit dhe rënien e krejt qeverisë. Arritje të tilla opozitare, ashtu siç tregon historia e pluralizmit shqiptar janë të jashtëzakonshme, aq më tepër në një realitet si ky i yni, të mbushur me militantë kokëshkretë, që, më shumë se sa për liri, bukë, ujë e mirëqenie kanë nevojë për “unitet”. Basha i përmbahet parimit, se kur zemra e një lideri kërkon në çdo moment të vërtetën dhe të mirën për të gjithë njerëzit, vetëm në këtë mënyrë mund të frymëzojë e të fitojë çdo zemër nga radhët e tyre. Po kështu për Bashën, siç thotë një filozof, “liria në të vërtetë është një lojë më e madhe se pushteti, pasi pushteti ka të bëjë me atë që kontrollon, ndërsa liria ka të bëjë me atë që ti mund të çlirosh”. Me guxim, vendosmëri dhe vizion lideri, ai arriti t’i jap këto 6 vite në opozitë, “rendin e ditës” politikës dhe shoqërisë shqiptare, pavarësisht makinacioneve, rezistencës dhe përdorimit të forcës së kartonit parlamentar nga mazhoranca e majtë. Lideri demokrat u bë kështu barrikadë për të mos avancuar më tej e keqja, që dalëngadalë po shtrinte metastazat, sa në veprimtarinë institucionale, po aq dhe në ndërgjegjen e gjithsecilit prej nesh. Poeti polak i fillimshekullit të 19-të, Mickjeviç, thoshte se, “politika, kurrë nuk mund të bëjë pa një themel moral”. Nëse i referohemi periudhës së tranzicionit shqiptar, konstatojmë me keqardhje, se në një pjesë të mirë të kësaj periudhe, ajo që i ka munguar në të vërtetë skenës politike shqiptare, ka qenë qytetaria dhe morali në mënyrën e të bërit politikë, pa llogaridhënie para publikut dhe duke vënë interesat e klanit apo grupit përpara interesave tona kombëtare. Por ajo çka është më absurdja në këtë drejtim, lidhet me faktin se një pjesë e politikës shqiptare, kryesisht ajo krahut të majtë, në vend që të pastrohet me kalimin e viteve, zhytet gjithnjë e më shumë në llumin e imoralitetit, paaftësisë, vulgaritetit dhe perversitetit publik. Qytetarët shqiptarë, kanë nevojë imediate, që modelin opozitar të Lulzim Bashës, ta përjetojnë si mënyrë qeverisjeje, ku ata “të jenë të parët” dhe “zëri i tyre të dëgjohet”, më qëllim që të përjetojmë, as më shumë e as më pak se “… vlerat, standardet dhe parimet e Evropës, për ne dhe fëmijët tanë”.