Lela Dardha: Kur korrupsioni quhet “Vlerë”

540
Sigal

Dielli fshihej i mbuluar nga retë dhe hidhte tek – tuk ndonjë rreze,si për t’i lajmëruar se orët kishin vrapuar. Zilja e orës së fundit kishte rënë dhe nxënësit po derdheshin në rrugën kryesore dhe shpërndaheshin në dhjetëra rrugica. Në njërën nga këto rrugë po ecte edhe Drita me Avniun, me hap normal e duke biseduar. Avniu ishte mësues i vizatimit dhe i muzikës, edhe pse nuk merrte vesh erë nga këto lëndë. Shumë – shumë, dinte të vizatonte ndonjë shtëpi me diell sipër, siç dinë fëmijët, ndërsa nga muzika njihte vetëm notat dhe shkallën. Në fund të çdo ore mësimi, bëhej me dhimbje koke, që me sa duket, i shkaktoheshin nga astenia nervore, që dalë – ngadalë po bëhej kronike. Kuptohet se shkaku kryesor i saj ishte paaftësia. Shpesh ndiente ankth dhe duart i laheshin nga djersa të ftohta, kur nxënësit i bënin ndonjë pyetje që dilte sadopak nga teksti dhe mësimi i ditës. Ndërsa, kur dëgjonte për kontrolle nga drejtoria, e aq më tepër nga seksioni i arsimit të rrethit, kalonte në gjendje depresive. Atëherë, tërë ankthi, obsesioni dhe tmerri, të ndyra në vorbullën e ndërgjegjes së tij të trazuar, derdhej mbi nxënësit e ngratë si flaka nga goja e minotaurit. Ato dy orë në javë të mësimit artistik, të cilat për nxënësit duhej të ishin si çlodhje e argëtim, ishin kthyer për ta, në makthin e jetës. Ajo klasë i ishte bërë si arena, ku tigri priste gladiatori dhe tigri na ishte Avniu.

Paaftësia dhe pasiguria e kishin pajisur me një shqisë të posaçme për të nuhatur rreziqet dhe situatat që mund t’i komplikonin jetën. Kishte fituar një mjeshtëri të pagabueshme për të lexuar çdo shprehje fytyrën, për të kapur çdo ngjyrim zëri mirëkuptues apo kritik, çdo të trokitur dere, për hair apo qeder, madje disa thoshin me qesëndi, se dallonte edhe zilen e telefonit, kur e merrte drejtori. Shkurt, në të vërtetë, ata që e njihnin mirë, e dinin më shumë sesa tigër. Por Avniu i shkretë, ishte një gazelë me sytë e veshët pipëz. E gjithë intuita dhe nuhatja e tij,mrekullisht e rafinuar, ishte gjithmonë në pozicionin mbrojtës dhe mimetizimi,por virtuoze përballë dobësisë më të vogël, për të kompensuar dhe sulmuar me saktësinë e nepërkës. Ishte në gjendje të duronte çdo lloj poshtërimi për të mbajtur vendin e punës, ashtu siç mundte të bënte paudhësinë më të ndyrë për të arritur atë që donte. Me shkathtësinë e tij manipuluese, kishte arritur të fitonte një farë ndikimi tek Drita, e cila kishte jo shumë kohë që kishte filluar aty si mësuese. Disa herë dhe e terrorizonte, sidomos në raste kur vinte sadopak me vonesë. Sipas tij, ajo rrezikonte pushim nga puna, por gjithsesi ajo s’ duhej të merakoset, se me atë punë do të merrej Avniu që e kishte mirë me drejtorin. I fliste, i qahej, i mburrej, e bënte për të qeshur. I ziu ende nuk ishte martuar dhe se ishte gati babai i saj në moshë. Hiqej se ishte zhgënjyer nga pabesia dhe zemërgurësia e femrave. Dhe siç ndodh shpesh me ata që i hyjnë detit me këmbë, i ndihu fati. Një ditë, pa pritur e papandehur, drejtori pësoi një atak kardiak e vdiq. Kurrë s’u mor vesh sesi ndodhi, as se me urdhër të kujt, por Avniu u bë si biçim nëndrejtori, deri në përfundim të atij viti shkollor. Kështu, e gjithë pëlhura e hipokrizisë dhe intrigës thurur me aq kujdes, mori edhe vulën zyrtare që i mungonte. Por nuk shkojnë shumë kohë dhe Avniu e pa veten pedagog në një nga universitetet private. Drita si një vajzë e zgjuar që ishte, e njohu cektësinë e mendimit që kishte Avniu dhe u distancua prej tij. Pas një martese, ajo pati një djalë ku pas shumë vitesh ai iu rrit e na shkon student pikërisht në fakultetin ku ishte pedagog Avniu. Një ditë djali i Dritës na shkon në shtëpi krejt i marrë fund, e sapo hapi derën thotë:

– Babi, mami,po ju njoftoj se unë e lash shkollën, nuk do të iki më!

– Si? Iu përgjigjën ata njëzëri të shqetësuar nga ky vendim i papritur, flokët e tyre u ngritën përpjetë.

– Mos e nxirr më atë fjalë nga goja! – i tha Drita duke i tundur gishtin tregues.

– Ti nuk e di sesa lekë harxhojmë ne për një vit? Ne po sakrifikojmë për të të bërë artist, – Shpërtheu nëna e tij e skuqur e tëra, ndërsa duart i dridheshin nga nervat.

– Po mos mbaj shpresë moj nënë se do bëhem unë artist, me atë shkollë që më keni dërguar ju. Pedagogu ynë mund të jetë gjithçka, por vetëm pedagog për art nuk është. Sot u zura nënë me atë dhe i thashë se nuk shkoj më të dëgjoj mësimin e tij. Ai do të na kthejë vite e vite pas në kohë. Kur i jap ndonjë ide, ai më ofendon, “Ik mor tru peshk”, më thotë ,- nuk më kupton se është me kohën e qepës, ashtu si thotë gjyshi ynë.

-Po çfarë pyetje i bëre mor djalë ? – e pyeti babai i tronditur.

– Ju profesor,– i thashë,- po na përgatitni artist për të ardhmen apo të na zgjoni të kaluarën? Ju mësues mund të them, se s’jeni profesor, për mendimin tim. Ju po na vrisni kreativitetin. Ju nuk dëgjoni apo s’ju interesojnë idetë e studentëve. Unë nuk kam besim te kjo shkollë, sidomos tek ju. Nuk dua të jem njeri që të zvarritem, por dua të ngjitem. Secili nga ne ka forca e dhunti të ndryshme dhe po presim t’i nxjerrim nga brendësia jonë në sipërfaqe duke na drejtuar drejt ëndrrave tona.

– Kush është ky profesor mor bir, si quhet?

– Avni quhet baba.

– Si? Avni x?

– Po baba!

– Mos, çfarë kam bërë!

– Pse thua ashtu baba? Si qëndron puna?

– Drita, po ky është ai Avniu i famshëm që më futi atë mikun që na pruri atë shumë lekësh kur isha në ministri, për t’i dhënë diplomën, ai që s’ kishte haber fare nga arti. Mos more, na qenka bërë profesor?! T’i Drita e ke fajin se kur të pyeta – Si thua Drita,t’i pranoj paratë? Ti më the — “O frikacak, kështu ka ardhur koha, është turp të mos marrësh se të quajnë budalla, të mbytur”…

Ndërkohë i biri iu drejtua Dritës:

-Po pse moj nënë, korrupsionin t’i e quan vlerë?!

– Mirë thotë gjyshi baba: “ç’ke moj kokë që s’ dëgjon, koka bën koka pëson”, por në këtë rast e pësova unë…