“Boria në Brataj ra” dhe currubaba ezhdërha…

1081
Sigal

Kristo MËRTIRI

-Nuk e di ende se cila ditë e javës mbeti me shenjë plot 5 vjet më parë në Lumin e Vlorës, në Brataj. Ishte ngritur e selitur edhe një tribunë e posaçme festive. Ah, sikur të qe gjallë “Selim Brati me poture”! Atë ditë thuhet se heshtën e dëgjonin veshpërpjetë edhe vetë kopetë e bagëtive me zile e këmborë në male. Do të ligjëronte i sapozbritur nga metropoli, vetë “biçimnjëshi” i Partisë Socialiste. Deputetë e militantë symbyllur e mendje-mbyllur e pagëzuan fët e fët si ngjarje të madhe historike. Madje dikush e kolisi publikisht pas Ismail Qemalit(?!). Ndërsa një ish-deputet në ekstazë, lëshoi një si pallmë e aksiomë ulëritëse përballë pjesëmarrësve në miting: “Miqtë e mi, dëgjoni dhe mos harroni, Sot u ka ardhur fati i bardhë në derë!… ( Veçse pati edhe nga ata kokoroçë që nuk e mbajtën dot me zor të qeshurën ironitherëse labe dhe i ngjishnin duart në ije). Të tjerë me ca karta “ekskluzive” në xhepa filluan të lajnë e të lyejnë pa hesap Kryetarin piktor. Por dy vargje i vunë kapakun asaj mikpritjeje labe me marrës kënge të përzgjedhur, me kthyes, me hedhës e isombajtës të talentuar:

“Anembanë bie kambana

 Edi Rama, Edi Rama !…”.

E, megjithatë, nuk ia kaloi dot atij këngëvajit tronditës të Feti Brahimit të famshëm, interpretuar nga mjeshtri Nazif Çela për fatkorbin e shqiptarëve brenda e jashtë vatanit të vrerosur. Nuk ia kaloi, as nga lotët e drithërimat në zemra, as nga duartrokitjet e psherëtimat dhimbjeshumë. Protomikut të rrallë sikur iu ndezën më tepër sytë, iu rrëqethën duar e këmbë dhe u ngjit si kalorës fluturak në tribunë. I dehur e i velur sa më s’ka, foli e mbajti iso me vendalinjtë. Hidhej pupthi e kapardisej si kaposh bio përballë vërshimit të përkëdhelive marramendëse të disa rilindistëvë të shfrenuar. Dhe buzëqeshte triumfalisht, sikur të kishte pranë jo bij e bija stërralli të Labërisë, por pula e zogj të Tepsisë! Dhe e ngriti lafshën përpjetë si një kreshtë vezulluese mbi kokë. Lumë euforie që sfidoi për pak çaste edhe vetë Shushicën e lashtë… Duke folur pa kartë e si me lugën në brez, zëri i tij plot premtime e betime më ngjante më tepër me një currubabë a pipëz lofate. Nuk shëmbëllente as me trumbetën që sajonim vetë në fëmijërinë e mërguar herët nga kjo botë e trazuar. Dhe as me ata bilbilat me lëkurë druri të njomë apo me pizgat fyell prej kallami e kashte. Por jehona e currubabave të Kryetarit ezhdërha (me trup të madh e të fortë) vazhduan edhe pasi mori kolltukun e Kryeministrit. Mirëpo, pa rrjedhur as dy vjet, tregojnë se fytyra e tij provoi edhe çaste të vrerosura përballë asaj treve gjatë zgjedhjeve lokale. Shumica e banorëve votuan e zgjodhën në krye të Bashkisë së madhe një bir Dushkaraku. Shkurt, zgjodhën Njerinë mbi partinë!… Ndërsa miku im i hershëm me rrënjët në Brataj po rrëfente jo pa humor e prush labërie, unë sikur rashë në të thella buzë Lanës në Tiranë, përbri Urës së Tabakëve. Po mërmërisja vetiu një këngë labe nga më të bukurat e më të moçmet në zemër të Lumit të Vlorës:

“Atë ditë të xhuma

 Boria në Brataj ra…”.

Historia flet shkoqur për 300 djem levendë. Iu përgjigjën borisë kushtrimtare. Rapsodi popullor tregon më tej:

“Thot’ bimbashi marshallah!

Ku janë rritur këta?

Në ato male me shkëmbinj

Ku rritet bredhi pa rrënjë”.

Dhe jo rastësisht kujtoj një nga ish- deputetët e zgjedhur me dorën e Ramës, të cilin një ditë befas e lëshoi pabesisht prapa gardhit rilindist. Por fare pak e dinë që atë burrë në Jug, kishte kohë që militantë e njerëz të thjeshtë e thërrisnin me nofkën “bimbash” (I kam dëgjuar vetë, nuk ma kanë treguar të tjerët). Edhe sot më vjen për të qeshur. Pa u ndalur këtu te ata “ilegalë” të kriminalizuar që Timonieri u fali mandate e kolltukë dhe i uli pacipërisht në tempullin e Demokracisë, në Parlament! Hatara të rralla e të papara ndonjëherë, që do të mbahen mend gjatë në historinë e pluralizmit politik. Bashkë me currubabat që shpesh e tregojnë të ënjtur e të fryrë mbi kokën vetmitare të Tepsisë. Sepse sot në majë të kalit pushtetmbajtës ekzekutiv, Kryeministri ezhdërha ëndërron e ngre kala me mendtë e veta. Por edhe pikëllohet, sidomos atje ku u fry e u shfry mitingu euforindjellës dhe pak më vonë humbi zgjedhjet vendore. Një shuplakë e merituar nga 47 fshatra labërie dhe nga një qytet minatorësh fukarenj si ai i Selenicës. Dhe nuk është thjesht e vetëm rënie besimi. Sepse qeveritë vijnë e shkojnë dhe e lënë lakuriq e pa shpresë. Tani ka mbetur vetëm t’i marrin shpirtin e sfilitur…Njerëzia pyesin ende: -Me mjaft rilindistë (jo socialistë) kokëtulë e eunukë, mos vallë mbolli bostan e i dolën kastraveca?! Sepse kupa e mashtrimeve u mbush dhe durimi po soset. Shumica e qeveritarëve qendrorë e lokalë ediramistë, janë ngjitur pa shkallë dhe si me katapultë, me zero përvojë e pa kurrfarë meritokracie. Prandaj qytetarët i kanë pagëzuar me emërtimin “karcinë vjeshte” të ardhur nga kullotat e lëvizjes “Mjaft” që nuk pipëtin më në asnjë rrugicë kryeqyteti apo nga “G 99” dhe nga furriqet e djeshme të Bashkisë. Ndërsa Timonieri i vetëm i Tepsisë ekzekutive vazhdon të prashisë në erë…(Mos vallë nuk po velet dot në fejsbuqe e ulluqe ? Apo i ka veshët pipëz duke dëgjuar me etje të pashuar filmin me zë e figurë të ngjizur në Brataj, ku më tepër çirren e përmirren sipas vargut bërtitës e marramendës. “Anembanë bie kambana

Edi Rama, Edi Rama!”.

Sepse boria e vërtetë kushtrimtare ra në një kohë tjetër pa lajle e lule, pa jargë militantësh mercenarë. Ajo i ka kapërcyer shumë herët e plot dinjitet kufijtë e Lumit të Vlorës. Se gënjeshtrat qeveritare nuk kanë vetëm këmbët të shkurtra. Populli i asaj treve ua vuri kufirin te thana qysh në zgjedhjet lokale, që nga Sevasteri-stacion i dashur i fëmijërisë sime- e gjer në Kotë. Kryeministri ezhdërha, jo rrallë flet mbarë e prapë, por në të vërtetë është tjetërsuar si kambanë pa thumb! Sepse dështimet tani janë konkrete e të prekshme në disa fusha jetike. “Rilindja e humbi virgjërinë herët. Ajo pret vetë tani në radhë të gjykohet si një lavire”,-theksonte me të drejtë ditët e fundit, një analist serioz. E, nëse nuk arriti t’i bënte mirë ato që përmendëm më lart, “të jepte të paktën shembullin që nuk do ta trajtonte veten dhe miqtë më mirë se popullin e tij…Vetë ai jeton në një vilë dhe pushon në hotele pa kurrfarë gjëje të përbashkët me standardet e popullit që përfaqëson. Fjala vjen, si t’ia vëmë emrin kësaj makutërie e papërgjegjshmërie të frikshme: Të enjten mësuam se institucionet shtetërore paskan llogaritur me dorën në “zemër” të shpenzojnë 2,5 miliardë lekë vetëm për automjetet, diku limuzinë e diku fuoristrada tepër luksoze. Pra, përballë mjerimit migjenian të shekullit të ri nëpër Shqipërizën tonë, Qeveria do të sigurojë e rehatojë prapanicat e zyrtarëve të lartë. O Tempora, o Mores ! (Pa llogaritur milionat për mobilimin e zyrave ministrore e kryeministrore sapo lëvizin nëpër postet e dhuruara, jo të fituara përmes betejave konkurruese dinjitoze). Mos janë mbledhur ato kafshatat e fakirfukarenjve me emrin “ndihmë sociale” që ua hoqën dhunshëm e shtazërisht të uriturve tek mbanin zvarrë shpirtin në dhëmbë?!… Apo është shtylla kryesore e “bashkëqeverisjes me qytetarët”? Kryeministrit ezhdërha i është kyçur goja nëpër mikrofona e pordhale, ndërsa korrupsioni po bën kërdinë . Tabori me trumbetarë po na trumbeton vetëm “suksese fantastike” në ERT e gjetkë. Po europerëndimorët, si e peshojnë Shqipërinë? “-Edhe në vitin 2018 mbetet një nga vendet më të korruptuara në Evropë. Nuk sundon Ligji, por Maliqi!… Po Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, vërtet është irrituar? Ja një fakt jo pak tronditës: Gjer më sot janë marrë 29 vendime, gjobë aspak e lehtë. E dini sa është fatura në favor të ankimuesve? 50 milionë dollarë ! Po nesër e pasnesër si do vejë halli vallë? Apo mban ende kurrizi i mbi 650 mijë pensionistëve të persekutuar, të fyer e të poshtëruar nga shteti i tyre në Demokraci (kupto: Shkërdhatokraci) dhe gjithë “shtresa e paprivilegjuar” që fshin lotët, hallet e dertet me mëngët e së majtës mashtruese ediramiste?…Po vendimet e formës së prerë, përse kanë mbetur varur në çengelin e Departamentit të Administratës Publike duke përqeshur shtetin ligjor? Askush nuk përgjigjet, as moralisht, as politikisht e as financiarisht në këtë rrumpallhane të pashoqe. Njerëzit e thjeshtë e pa shpatulla “të ngrohta” kanë humbur çdo shpresë. Ndërsa mercenarëve gjuhëlidhur pranë Timonierit nuk ua bën syri tërr dhe thonë se vetëm Ai mund të bëjë diellin e shiun në këtë vend! Sepse mburoja e nepotizmit ulërak i mbron nga çdo rrebesh ndëshkimi e drejtësie, nepotizëm që komandohet me fanatizëm nga Timonieri i tepsisë së ndryshkur ku i bie shpesh asaj currubabës telendare e gënjeshtare me gjepura rreth Kushtetutës kurrizdalë. Sot boritë e saj nuk dëgjohen as në mëhallë, sepse ia ka prerë fytin reforma mazgallë e “fatligxhafërisë” mediokre e hileqare. (Masakra e fundit në Resulaj të Vlorës, veç të tjerave, hodhi në erë edhe atë nismën vezulluese e mashtruese “Policim në Komunitet”! ).Hallexhinjtë i falen Strasburgut dhe premtimeve me ujë e dhallë. Dhe hyzmeqarët e tallavasë qeveritare i ka marrë malli të dëgjojnë hakërrimat e bejtes çjerrëse:

“Anembanë bie kambana

Edi Rama, Edi Rama!”.

Veçse nuk mund të harrojmë: Polit(h)ika e kambanave me thumb e pa thumb dhe currubabat e Kryeministrit ezhdërha, janë disa minare më poshtë nga lartësia historike e artistike e këngës “Boria në Brataj ra!”…