Asnjëherë nuk ka pasur zgjedhjet të lira

475
Sigal

Analizë nga Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Shqiptarë zgjohuni, ndryshe erdhën Piramidat e PPP-ve, të cilat identifikohen me Koncesionet e qeverisë! Në Shqipëri ka rënë Piramida e Drejtësisë. Partia kontrollon ligjshmërinë e akteve të Pushtetit Ekzekutiv dhe Legjislativ

Shqiptarë zgjohuni, ndryshe erdhi edhe Piramida e Sudes, e cila identifikohet me PPP!

 

Prof. Dr. Elmaz Sherifi:

Vetëzgjimi nga mosbesimi!

Kjo tezë është formuluar nga Karl Poper. Lidhja për Drejtësi e Progres e zhvilloi këtë tezë në programin e saj, duke potencuar – si i thonë vëllezërit kosovarë “vetëzgjimi nga mosbesimi është fuqia e ndryshimit pozitiv dhe zhvillimit”. Kam konstatuar se disa studiues fajin për prapambetjen e Shqipërisë, ia faturojnë si gjithnjë, popullit! Ata votojnë, ata zgjedhin qeverinë që meritojnë – thuhet rëndom. Mendoj, se nuk janë plotësisht të saktë. Sepse në Shqipëri asnjëherë e në asnjë kohë nuk ka pasur zgjedhje të lira e demokratike, që zgjedhësit të realizojnë lirinë politike të zgjedhjes. Ata votojnë, nuk zgjedhin. Standardi më i ulët demokratik ishin votimet e 30 qershorit për vetëqeverisjen vendore, e cila u ul në nivelin e votimeve për Këshillat Popullore të Rretheve, si para 1990-s. Ç’duhet të bëjmë? Të vetëzgjohemi nga mosbesimi e dëshpërimi që thelloi edhe frika nga “tërmeti”! Këtë zgjim duhet ta realizojë grupimi social, i cili potencialisht rritet dhe e njeh si funksionon Piramida e Drejtësisë e Hans Kelzen, por edhe Piramida e Nevojave e Maslow. Në Shqipëri Piramida e Drejtësisë ka rënë, sepse nuk funksionon Gjykata Kushtetuese si interpretuese e Kushtetutës. Por nuk funksionon, as pushteti gjyqësor, përderisa nuk ka Gjykatë të Lartë.

-Kush e kontrollon ligjshmërinë e akteve të pushtetit ekzekutiv? Partia, kryeministri!

-Kush kontrollon kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë e ligjeve që bën parlamenti i sajuar dhe i paplotësuar sipas Kushtetutës? Partia!

-Po shkeljet procedurale të gjykatave e prokurorëve që cenojnë rëndë liritë e të Drejtat Themelore të Njeriut, në një proces gjyqësor, jo të drejtë e ligjor? Partia!

Pra në Shqipëri ka rënë Piramida e Drejtësisë, dhe duhet të ngrihet zëri i njerëzve që e kuptojnë këtë “anarki kushtetuese e institucionale”. Të mos ia lëmë “barrën” popullit që nuk e kupton ç’është shteti i së Drejtës, dhe nuk ka “fuqi intelektuale” të kuptojë edhe Piramidën Maslow. Shqiptarët e mirë nuk mund të kuptojnë stadin e katërt dhe të pestë të hierarkisë së nevojave, të Piramides Maslow, vetëbesimin dhe vetë aktualizimin. Të moshuarit dëshirojnë një jetë më të mirë, por ata nuk e njohin Shtetin e së Drejtës, pasi kanë trashëgiminë e një shteti partiak. Të rinjtë e, sidomos, studentët duhet të vetëzgjohen nga mosbesimi e të mos joshen nga ofrimet rastësore për arsye elektorale në administratë, por të bëhen promovues të një modeli të ri qeverisjeje, që në themel ka parimet e dy piramidave që analizuam. Bashkë me ta, aktorë të rëndësishëm për “vetëzgjimin nga mosbesimi” të bëhen emigrantët në vendet e BE dhe fëmijët e tyre të shkolluar, që e konstatojnë kontrastin e thellë, midis qeverisjeve moderne dhe keqqeverisjes në Shqipëri. Të mos vdesim duke pritur, kur do përfundojnë “lëkundjet e tërmetit”, por ta krijojmë një “tërmet” kundër qeverisjes partiake. Shqiptarë zgjohuni nga mosbesimi, ndryshe erdhi edhe Piramida e Sudes, e cila identifikohet me PPP!