7 minutat brenda kubit, që tronditën sistemin

335

Adi Krasta u rikthye në media siç ai di, fuqishëm. Që mbrëmë, me shfaqjen e tij në Prishtinë, monologu hyrës është shpërndarë në një trajtë virale duke thyer çdo rekord shqiptar publikimi e rishpërndarjeje.

Pa sponsor, pa makineri PR-i, pa salltanete studiosh gjigande, pa infrastrukture të sofistikuar mediatike, pa teknika të përsosura marketingu.

Nga një kub pak metra katrorë, i një televizioni të thjeshtë, nga Prishtina, në 7 minuta, i vetëm përballë makinerisë së shfrenuar të PR-it të regjimit, të shfaqjes 24 orëshe në ekranin e televizionit personal të liderit, që përdor çdo teknikë marketingu në “studiot” e veta gjigjande nga Shqipëria në Itali, në programin më të ndjekur atje, nga Rai në Turqi, mes liderësh e sheikësh të një prej Konferencave më të pasura në botë, shoqëruar nga sponsor që qarkullojnë miliarda…dhe Adi Krasta fiton një betejë, që as nuk e ka menduar e kërkuar. Përkundrazi, ia kanë shpallur që në vitin 2014. Ndërsa ai ka bërë gazetarin, qytetarin e angazhuar, një mega industri politike e mediatike e ka parë si “armik”.

Por Adi nuk ka fituar vetëm betejën e njeriut që në 7 minuta ka bërë media, portale, analistë, njerëz të thjeshtë t’u hyjnë analizave, të bëjnë editoriale, të bëjnë meaculpa, t’u ngjallen neurone, të marrin lupa gjigande për ta kqyrur deri në gërmë, për ta sulmuar….Adi ka fituar edhe një rekord me veten. Sepse nuk është hera e parë, që i vetëm del përballe publikut për të diskretituar një regjim.

Para 7 vitesh, iu desh një Pallat Kongresesh, disa të ftuar klasi dhe një infrastrukturë e angazhuar mediatike. Dhe bëri zhurmë, tronditi mentalitetin dhe elitat. Por jo sa mbrëmë ku në 7 minuta, i vetëm, në një studio minimaliste, ku asnjë prezantues i përmasës së Adit nuk do ndihej komod për një shfaqje të madhe, do shkundte më shumë se herën e parë mendjet, frikërat, bindjet, alibitë dhe broçkullat e sistemit.

Sado lupa t’i vendosen sot, sado të perceptohet si betejë kokë më kokë e një lideri jo demkoratik me një udhëheqës shpirtëror, mos harroni, Adi nuk ka kërkuar e nuk kërkon vota, nuk është në fushatë, nuk ka futur duart në xhepat e shqiptarëve e nuk po lyp vëmendje me çdo kusht. Ndaj llogari i jep vetëm familjes së tij.

Tjetërkujt i duhet vënë lupa me kërkesë llogarie për çdo hap hedh e çdo fjalë thotë.

Sot në historinë e shkurtër të medias shqiptare u shkrua një ndër paragrafët më domethënës të saj: 7 minutat që shpartalluan rrjetin dhe sistemin nga një kub.