10 shenja që tregojnë se ndoshta është shumë herët për të propozuar

117
Sigal

Çdo lidhje ka disa etapa të rëndësishme, të cilat, sigurisht, në varësi të çifteve, herë kalojnë shpejt e herë marrin të gjithë kohën e botës. Gjithsesi, kur vjen puna te propozimi, gjithnjë shtrohet pyetja: “A është ky momenti i duhur?” dhe nëse po hasesh me këto 10 shenja, ndoshta ende nuk ka ardhur çasti perfekt:

Je ende në “periudhën e mjaltit”

Sipas Lori Kret, eksperte dhe terapiste e licensuar për marrëdhëniet, thotë se: “Në muajt e parë të lidhjes, specifikisht në 6 muaj – 2 vite, përjetohet një fazë e cila udhëhiqet nga hormoni i joshjes. Gjërat mund të duken perfekte dhe ti do të martohesh direkt me personin me të cilin je lidhur, por kimia nuk është tregues i qartë që të kesh një marrëdhënie afatgjatë. Në shumë mënyra, lidhja e menjëhershme është supërfaqësore”, duke shtuar se më pas, njerëzit nisin të kuptojnë se cilat janë edhe “defektet” e personit me të cilin kanë krijuar një marrëdhënie.

Nuk e njeh shumë mirë personin tjetër

Misteri mund të jetë pak seksi në fillim të marrëdhënies, por nëse e ke marrë seriozisht lidhjen, duhet të dish shuuumë gjëra mbi partnerin, që më pas, të mos surprizohesh.

Marrëdhënia duket e pasigurt dhe e paqëndrueshme

Është shumë e rëndësishme që të ndihesh i/e sigurt në marrëdhënie, para se të marrësh hapin e propozimit. Sidomos, kur nuk ke 100% besim te partneri, apo kur mendon se për shumë gjëra nuk jeni në të njëjtën linjë.

Nuk ke takuar ende familjen, miqtë dhe rrethin e ngushtë të tij/saj

Nëse do të ndërmarrësh një hap madhor me partnerin/en, duhet patjetër që të bëhesh pjesë e jetës së tij, çka do të thotë: Të njohësh familjarët, miqtë, kolegët, njerëzit me të cilët kalon më shumë kohë. Nëse ende nuk i ke takuar, mbase është shumë herët për të ndërmarrë një tjetër hap.

Nuk ke folur për të ardhmen me detaje

Dëgjo, besoj jemi të gjithë shumë të rritur që të planifikojmë jetën me këto fjali: “Dua të martohem dhe të kem fëmijë me ty. Të kemi një gocë e një çun. Goca të ketë sytë dhe buzët e tua dhe karakterin tim”. Nëse po mendon të fejohesh/martohesh, duhet ta planifikosh mirë të ardhmen, të flasësh për financat, për shtëpinë dhe gjëra shumë të rëndësishme.

Ndihesh si në presion për të marrë vendimin

Prindërit dhe miqtë të pyesin shumë shpesh se kur do të fejohesh/martohesh? Nëse ti ndihesh i/e pasigurt për të propozuar, por e ndien si detyrim nga presioni i vazhdueshëm, të sugjerojmë të mos e bësh. Fundja, është jeta jote dhe duhet të të burojë nga zemra ky vendim.

Keni probleme shumë të rëndësishme për të zgjidhur

Nëse keni probleme të vazhdueshme, të cilat vërtiten rreth të njëjtës çështjeje, para se të merrni një tjetër hap, duhet të zgjidhni sfidat aktuale.

Ende s’jeni përballur me një konflikt të madh

Konfliktet e mëdha përcaktojnë nëse një lidhje është e qëndrueshme dhe mund të ketë të ardhme. Nëse ende nuk je përballur me një debat të “rëndë”, mbase ende s’e ke provuar qëndrueshmërinë e lidhjes.

Nuk ke një lidhje të fortë me partnerin/en

Mund të bësh një seks të paparë dhe të jesh super i/e tërhequr nga partneri/ja, por nëse nuk ke krijuar një lidhje të bukur dhe domethënëse emocionale dhe shpirtërore, mendojmë se fejesa/martesa është paksa një vendim i nxituar.

Ke një ndjesi sikur “është shumë shpejt”

Kur je në dilemë për momentin e duhur për të propozuar, dëgjo intuitën dhe zërin e brendshëm. Trupi dhe mendja ka disa reagime të tjera kur ti mendon për propozimin, ndaj përqendrohu tek to. Nëse për shembull kur mendon për propozimin përjeton ankth, të djersiten duart, apo ndien sikur trupi nuk është në gjendjen e zakonshme, ndoshta ende s’je gati për një propozim.