Zbulohen sms mes El Chapo-s dhe aktores Castillo

601
Detaje të një flirti të mundshëm vetëm me mesazhe telefonike mes lordit të drogës meksikane El Chapo dhe aktores Kate del Castillo kanë pushtuar Meksikën ndërsa zyrtarët vendas thonë se obsesioni, fiksimi i Joaquin Guzman për aktoren bëri që ai të hutohet, të ulë vigjilencën dhe në fund të arrestohet. Guzman, 57 vjec, u arrestua në qytetin verior Los Mochis, 6 muaj pas arratisjes spektakolare nga një burg i sigurisë së lartë në Meksikë, aty ku u rikthye sërish tani. Autoritetet meksikane thanë se kanë përgjuar një seri mesazhesh dhe bisedash telefonike të 43 vjecares Castillo, e cila arriti të realizonte edhe një takim sekret mes saj, Guzman dhe yllit hollivudian Sean Penn në tetor të vitit të shkuar.

Një zyrtar i lartë meksikan zbulon se një nga arsyet përse Guzman u cmend dhe e lëshoi veten muajt e fundit, ishte pikërisht fiksimi për aktoren Del Castillo, ndaj dhe kishte kërkuar disa herë me ngulm, sic kuptohet nga mesazhet, të takohej me të në Los Angelos. Vetë aktorja ka reaguar, për të treguar versionin e saj të ngjarjes në Twitter, duke falenderuar mbështetësit dhe duke shkruar: “Shumë njerëz, që nuk më suprizuan aspak, zgjodhën ta shfrytëzojnë këtë ngjarje për të sajuar histori që nuk janë aspak të vërteta. Asgjë nuk është ashtu sic duket”, tha aktorja.

Ngrohtësia e mesazheve të shkëmbyera mes El Chapos dhe aktores kanë suprizuar ndërkohë shumë meksikanë, që e kanë cilësuar vërtet si një tragji-komedi këtë histori. Guzman ka nisur kontaktet me Del Castillon që në vitin 2012, në kohën kur aktorja ishte në krye të fushatës publicitare të Loreal dhe Ford, kur kjo e fundit foli për herë të parë për liderin e kartelit të drogës duke e quajtur një njeri të besueshëm dhe të fjalës, madje duke theksuar se i besonte më shumë atij sesa qeverisë. Ndërkaq në shtëpinë sekrete të Guzman, të zbuluar tashmë nga policia, u gjetën një seri dvd me filmat e aktores, sikurse edhe postera dhe portrete të saj të varura kudo.
Sigal