Si më ngarkoi Thoma Deliana për ndërtimin e studios të filmave artistikë

1347
Abaz Hoxha 
Ndoqa me shumë interes paraqitjen nga ana e kryeministrit E. Rama të projektit të teatrit të ri Kombëtar. Më bënë përshtypje në veçanti dy gjëra: 1. Si është e mundur që ky projekt për të cilin para 10 ditëve është thënë që nuk ekziston dhe pa pritur paraqitet i plotë dhe i përfunduar? Disa herë është deklaruar nga kryetari i bashkisë, ministrja e Kulturës dhe kryeministri se nuk ka asnjë projekt. Kjo tingëllon se në të vërtetë personeli artistik është vënë para një fakti të kryer që është vendosur më parë dhe diskutimet u bënë sa për sy e faqe, 2.- Si është e mundur që ky projekt paraqitet nga kryeministri si fakt i kryer dhe nuk është marrë fare mendimi i personelit artistik që do punojnë atje? Kjo tregon se nuk është përfillur fare mendimi i aktorëve, tregon një megalomani dhe prepotencë nga ana e kryeministrit që hiqet se i di të gjitha, është kompetent për çdo gjë dhe vendos vetë për gjithçka karakteristikë që e ka treguar në të gjitha fushat që vendos vet dhe s’pyet askënd, dhe monopolizon CD gjë sikurse edhe që mbas këtij veprimi fshihen qëllime shumë të dyshimta. Në hartimin e projekteve madhore me rëndësi kombëtare para se të arrihet në projektin përfundimtar, qoftë edhe si projekt-ide kalohet në disa faza. Meqenëse kam drejtuar të gjitha ndërtimet e kinostudios të filmave artistikë sikurse edhe objektin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit po ju jap përvojën time në këtë fushë. Fillimisht po theksoj se qoftë projekt-idenë, qoftë detyrat e projektimit nuk i bën as kryeministri, as ministri as drejtori i një institucioni por me të merren specialistët e sektorit që detyrimisht duhen të konsultohen me personelin që do ta shfrytëzojë atë objekt. Për ndërtimin e studios të filmave artistikë që do të ngrihesh më thirri ministri i arsimit Thoma Deliana dhe më ngarkoi të drejtoja grupin e projektimit. Në atë kohë unë drejtoja sektorin e kinemave dhe kisha shumë probleme me furnizimin me filma të një rrjeti të gjerë të kinemave që ishin ndërtuar në të gjithë Shqipërinë, me përkthimin dhe subtitrimin e filmave të huaj, me kontrollin teknik dhe udhëheqjen metodike të gjithë rrjetit kinematografik. Prandaj i thashë në se duhej ta lija atë detyrë. Ai më urdhëroi se do ti bëja të dyja duke qenë se kisha qenë për gati 11 vjet më parë dhe si krye-inxhinier i kinostudios. E kisha të vështirë si për ngarkesën ashtu edhe për njohurit e kufizuara ndonëse kisha një përvojë në drejtimin e kinostudios në të gjitha proceset e prodhimit të filmave, prodhimi i të cilëve kishte filluar të zgjerohej. Kisha edhe një përvojë të shkurtër disa mujore që kisha punuar në studiot kinematografike të Barrandovit ne Çeki /Pragë/. Puna e parë ishte hartimi i projekt idesë, grumbullimi i informacionit duke u konsultuar gjerësisht me kineastët, regjisorët, inxhinierët e zërit, skenografët, operatorët, laborantët etj. Mbas kësaj hartova programin dhe projektin teknologjik të funksionimit të çdo hallke mbasi flitej për një kompleks që nga atelierët e xhirimit, studio e regjistrimit dhe sinkronizimit, sektorin e montazhit, repartet ndihmëse të ngritjes të dekoreve, dhomat e aktorëve, repartet e kostumerisë, rrobaqepësisë, të rekuizitës, të grimit dhe në veçanti një qendër te furnizimit me energji elektrike si për ndriçim ashtu edhe për ndriçimin e dekoreve gjatë xhirimit, me sistemin e mbrojtjes nga zjarri, të kondicionimit të ajrit dhe në veçanti ne përpunimin akustik të mjediseve të xhirimit për të krijuar një mjedis të shurdhër ku të mos kishte përqendrime, kumbime dhe jehonë te zërit që pengonte xhirimet sinkron. Rëndësi të veçantë kishin edhe dimensionet e atelierit në mënyrë që të punohej paralelisht me turne që ndërsa një grup xhironte, turni i dytë ngrinte dekorin e skenës tjetër dhe grupi i treti ishte i gatshëm të çmontonte dekorin ku kishin përfunduar xhirimet. Kjo ishte e domosdoshme mbasi ne nuk kishim mundësi të ndërtonim shumë atelierë. Po kështu duhesh menduar për skelat e ndriçimit dhe vendosjen e prozhektorëve në tavan dhe izolimit nga zhurmat e jashtme si bubullimat gjatë kohës së keqe dhe zhurmave të tjera që pengonin xhirimet sinkron. Mbasi u hartua projekti teknologjik u shtrua për diskutim në kolektivin krijues të kinostudios dhe vetëm atëherë u përgatit detyra e projektimit që iu dërgua Institutit të projektimit dhe u ngrit grupi i projektimit ku përveç arkitektëve Kostaq Sahatçi dhe Pandeli Borova, inxhinierit të instalimeve hidrosanitare/ Pullumb Nishani/ dhe të elektrikut/Bardhyl Mullai/ gjithnjë isha në dispozicion për sqarime edhe unë si teknolog që sqaroja çdo pyetje te mundshme. Problemi i dytë ishte vendi ku do ndërtohej mbasi kinostudiot nuk ndërtohen afër zonave të banimit për arsye të krijimit të zhurmave reciproke por njëkohësisht edhe në afërsi për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë për sigurimin e burimeve te energjisë elektrike furnizimit me je, shfrytëzimin e mjediseve të xhirimit në eksterier, mundësive për sigurimin e figurantëve sa me afër dhe për të eliminuar ekspeditat e largëta dhe të kushtueshme për xhirimet jashtë ateliereve, ndërtimet e dekoreve ne natyre,. Për këtë unë kërkova që kinostudio e filmave artistikë të ndërtohej në zonën ku sot është blloku i ndërtesave në zonën “Komuna e Parisit”. Atje kishte mundësi të mëdha për furnizimin me energji elektrike mbasi ishte pranë nënstacionit elektrik tek Qyteti i Nxënësve, ishte pranë parkut zoologjik dhe botanik, pranë liqenit artificial dhe parkut kombëtar si dhe universiteteve që do te ishin objekte te xhirimit. Këtë kërkesë nuk ma pranonin as kinostudio dhe as organet drejtuese prandaj bëra përpjekje të mëdha për ti bindur. Për këtë organizova një shfaqje filmi ku ftova ministrin, zëvendës ministrat drejtorin e përgjithshëm të urbanistikës, kryearkitektin e Tiranës, drejtorin e policisë zjarrfikësve, drejtorin e arkitekturës, disa drejtorë ndërmarrjesh ndërtimi etj. Filmi ishte një bashkëprodhim midis Gjermanisë perëndimore dhe studiove rumune “Beteja për Romën”. Pas shfaqjes më pyetën pse e shfaqa këtë film. Ju thashë se ky film është xhiruar komplet në atelierët e studiove rumune /BUFTEA/ dhe në eksterierët për rreth studios pa pasur nevojë të ekspeditave. Meqenëse pata përsëri rezistencë këmbëngula dhe organizova një konsultë me personalitetet drejtuese që drejtoheshin nga zv/kryeministri që ishte edhe inxhinier ndërtimi. Ja u mbusha mendjen dhe shkuam në vendin që propozova dhe ata u bindën që të ndërtohej atje dhe firmosën edhe vendimin përkatës të qeverisë për lejen e ndërtimit. Por fatkeqësisht, për një mosmarrëveshje me kryeministrin ky vendim u pezullua dhe nuk pati askush kurajën ta ngrinte çështjen përsëri kështu që u ndërtua aty ku është sot. Theksoj se ndërsa ndërtimi i atelierve kishte përparësi anën teknologjike dhe jo paraqitja e jashtme në rastin e teatrit kombëtar kanë përparësi të dyja, si ana funksionale ashtu edhe paraqitja e jashtme mbasi kemi të bëjmë me një objekt që përfaqëson kulturën e një kombi. I theksova të gjitha këto se për ndërtimin e objekteve kaq të rëndësishme në radhë të parë duhet të flasin specialistët dhe personat që do punojnë në këto objekte të cilët i dinë të gjitha detajet që janë ndeshur gjatë punës dhe do të punojnë në ato objekte dhe as administratorët dhe aq më pak ministrat e kryeministrat. Për sa i përket problemit tjetër që u shtrua për diskutim unë jam i mendimit se ai teatër duhet prishur se ka qenë ndërtuar si një ndërtesë provizore, por edhe për faktin se nuk përfaqëson ndonjë objekt që ka të bëjë me një Teatër Kombëtar. Por njëkohësisht ai teatër ka një histori të suksesshme ku kanë filluar dhe janë rritur disa breza aktorësh shumë të suksesshëm, ku janë shfaqur shumë kryevepra të dramaturgjisë prandaj ka vlera të jashtëzakonshme historike që duhen ruajtur si një muze i teatrit. Prandaj në teatrin e ri mendoj se duhet të jetë një sallë e veçantë ku të vendoset një maket i madh i teatrit ekzistues sikurse dhe një muze i aktorëve dhe veprimtarisë të dramaturgjike.

Shënim: Maketi i studiove është bere mbas ndërtimit nga arkitekt Zhani Canco. Ndertesa tjetër është një pamje ballore e Arkivit Shtetëror Qendror të Filmit


Sigal