Zbulim arkeologjik në Amantia, çfarë u gjet në varrin e lashtë

769
Sigal

Sipas Drejtorisë së Ruajtjes së Trashëgimisë Kulturore të Vlorës, gërmimet janë kryer në dy varre antike, që më herët kishin rënë pre e gërmimeve ilegale dhe dhunimit.

Sipas gjetjeve, bëhet fjalë për dy varre, një që i përket periudhës ilire dhe një varr i periudhës osmane. Gjetjet janë kryesisht objekte qeramike.

“Përgjatë kësaj jave specialistët e D.R.T.K-Vlorë dhe I.K.T.K kryen gërmime arkeologjike shpëtimi në varrezën antike (Nekropolin) dhe qytetin e sipërm (Akropolin) të Amantias. Në zbatim të vendimit Nr. 280, datë 17.08.2020 të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, u gërmua dhe dokumentua varri me muraturë tulle, i cili ishte dhunuar nga akte vandale në muajin Gusht të këtij viti gjatë punimeve për gërmimin e varrit monumental në hyrje të parkut arkeologjik. Nga gërmimi i tij u zbulua dhe dokumentua një inventar i pasur objektesh arkeologjike, kryesisht enë qeramike. Varri nga një vlerësim paraprak duhet ti përkasë shek. III-II p.Kr. Gjithashtu në zbatim të vendimit Nr. 381 datë 06.11.2020 të K.K.T.K.M, u krye dokumentimi i një varri cist pranë hyrjes monumentale në akropolin e Amantias. Nga gjetjet e inventarit varri rezulton se i përket periudhës otomane, duke na dhënë për herë të parë një informacion të rëndësishëm për vendbanimin e kësaj periudhe. Krahas pasurimit të parkut arkeologjik me monumente të reja për t’u vizituar dhe të dhëna me rëndësi për historinë e qendrës antike, nga gërmimet e këtij viti u rikuperuan objekte të një rëndësie të veçantë që do të pasurojnë stendat e muzeve lokal dhe kombëtar”, bën me dije DRTK Vlorë.