Xhensila Seferi: “Fotografia është përkëdhelja me më pak “rrezik” për një femër”

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” modelja shqiptare Xhensila Seferi: “Bukuria e vajzave shqiptare spikat kudo”

Në javën e parë të shtatorit u mbyll finalja e konkursit nacional dhe internacional të “Raggaza Moda e Spettacolo” në Itali. 90 vajza të ardhura nga e gjithë bota sfiduan njëra-tjetrën në fushën e spektaklit, të modës dhe të recitimit. Në këtë eveniment të rëndësishëm merrnin pjesë edhe gjashtë vajza nga Shqipëria të përzgjedhura nga agjencia Top Model Fashion, ku ndër tyre ishte edhe supermodelja Xhensila Seferi, e cila me sharmin dhe bukurinë e saj tërhoqi vëmendjen e disa kompanive prestigjioze, sepse ashtu siç edhe e thekson Xhensila në këtë intervistë dhënë për “Telegraf”, “bukuria e vajzave shqiptare dallon dhe spikat kudo”.

NOA

Xhensila ishe një ndër vajzat që u përzgjodhe për në edicionin e 15 të “Raggaza Moda e Spettacolo” në Itali, a mund të na thoni diçka më tepër rreth këtij eventi?

Udhëtimi në Itali, bashkë me 5 vajzat e tjera të zgjedhura, ishte mjaft interesant. U përzgjodhëm nga agjencia Top Model Fashion, ku është dhe agjencia në të cilën unë kam një kontratë. Një agjenci mjaft serioze, e cila po organizon evenimente të veçanta dhe po bën punë shumë profesionale. Aty nuk ka vetëm modele, por ne jemi një staf i zgjeruar me fotograf, stiliste, etj.. Dua të theksoj këtu se drejtori Endrit Hoxhaj, së bashku me Besnik Rama dhe fotografin Arglen Hajro, na shoqëruan gjatë këtij udhëtimi.

Si ndihesh kur përfaqëson bukurinë shqiptare?

Të përfaqësosh Shqipërinë, bukurinë shqiptare e bën me shumë krenari. Bukuria e vajzave shqiptare dallon dhe spikat kudo.

Në këtë event, a mbete e kënaqur nga interesi që treguan për ty?

Po shumë e kënaqur. Në Raggaza Moda e Spettacolo u përzgjodha nga shumë fotograf për foto dhe casting gjithashtu. Madje edhe nga kompani, të cilat shumë shpejt do të vijnë në Shqipëri për eventin e radhës që ngelet një surprizë.

Si ishte niveli fotografik krahasuar me atë çka ofrohet këtu tek ne?

Realisht aty më bën shumë fotografi dhe dua të them se niveli fotografik ishte shumë i lartë.

Deri ku shkon ekstravaganca juaj?

Ka një aksiomë, ku nuk shkelet, kujdesi ndaj vetvetes.

Për të qenë modele mjafton vetëm të jesh e bukur apo duhet të kesh edhe performancë të mirë?

Të jesh e bukur nuk mjafton, të jesh modele në perfomancë nuk mjafton sërish, ajo që duhet të dish është që me anë të mendjes të menaxhosh këto të dyja.

Meqenëse je shumë e dhënë pas fotografisë, cili do të ishte përkufizimi yt për foton?

Siç e ka shprehur në mënyrë elokuente Marlyn Monroe: Fotografia është përkëdhelia më me pak “rrezik” për një femër. Në të vërtet unë e ndjej këtë përkëdhelje…

A është modelingu për ty një profesion?

Modelingun e shoh si hobi, si një pasion…. profesioni për mua është diçka tjetër, por dhe profesioni im ka lidhje me skenën, kam mbaruar Shkenca Politike dhe studioj për Drejtësi.

Përse ke kaq pasion për modelingun?

Nuk jam vetëm unë që më pëlqen modelingu, por çdo femre, sepse vetë moda ka karakter femëror, pasi ka të bëjë me stilin e paraqitjes.

Sa jeni e kënaqur me trupin tuaj?

Të afektosh të tjerët me perfomancën e trupit tënd për një femër, thellë- thellë është kënaqësi.