Seri Allushi/ Komuniteti dhe problemi i pronave

547
Sigal

*Ekonomist Agrar

Klasa politike shqiptare postkomuniste, e drejtuar nga individë përgjithësisht me mendësi komuniste, i ofruan popullit, për çështjen e pronave, një legjislacion në përmbajtje komunist, por edhe me hapësira të mëdha korruptive. Bazuar në këto ligje, pasuritë dhe asetet, e krijuara nga puna e popullit në dekada, u rrëmbyen padrejtësisht nga njerëz me pushtet, nga matrapazë e hajdutë gjithfarësh. Një ndër ligjet e miratuar në atë kohë është edhe ligji 7501, sipas të cilit, pas shpërbërjes së kooperativave, toka duhej të  ndahej, për frymë të popullatës që banonte e punonte në kooperativë, duke përjashtuar pronarët që e trashëgonin atë brez pas brezi. Ky ligj (7501), nga shumica e popullit u vlerësua si ligji më absurd që nuk mbështetej në asnjë normë juridike e as zakonore dhe që shkaktoi përçarjen dhe konfliktin më të madh e më të paparë në historinë qindra vjeçare të popullit shqiptar. U përjashtuan nga e drejta për të marrë tokën e tyre qindra mijëra familje me arsyetimin se, në atë moment nuk banonin në fshat, apo nuk punonin në kooperativë, megjithëse ishin bashkëformues të kooperativës dhe de fakto ishin anëtarë të  saj, sepse kishin në kooperativë tokat e tyre. Për fat të keq, kështu ndodhi edhe në fshatin tonë, në Dukat, ku Ligji 7501, u zbatua rigorozisht, madje  edhe më i thelluar. U përjashtuan nga e drejta për të marrë tokën e tyre qindra familje dukatase, duke u ndarë komuniteti në dy palë, në  një  konflikt të thellë e të rrezikshëm, sepse i morën njëri-tjetrit tokën, pra i mohuan identitetin dhe origjinën dhe e lanë pa vendlindje e pa atdhe. Këtë veprim nuk e ka bërë historikisht asnjë pushtues i huaj në Shqipëri, por as Regjimi i Zogut e as ai i Enver Hoxhës, që megjithëse bëri reformë agrare, nuk la pa tokë as kundërshtarët e tij politikë. Në rastin tonë problemi nuk është ligji, por fakti që dukatasi  ka pranuar t’i marrë pronën dukatasit – pra është çështje burrërie, ndershmërie e korrektese, kur dikush pranon t’i marrin tokën bashkëfshatarit, vëllait, kushëririt, apo gjitonit të tij. Vetëm për këtë arsye, kemi ardhur në një moment që  për pak metra, apo dynymë tokë, nuk e shikojmë dot më njëri-tjetrin, nuk e urojmë në  gëzime e nuk e ngushëllojmë dot në hidhërime, megjithëse na lidhin  qindra fije. Për këtë situatë doemos që është përgjegjëse klasa politike, por, zotësia e pleqësisë së komunitetit është kur i zbaton ligjet sipas parimit “Mishi të piqet e helli të mos digjet”. Për këtë arsye, pleqësitë  e fshatrave të zonës verilindore të vendit, nuk pranuan ta ndajnë tokën me ligjin 7501, por secili mori tokën që i kishte lënë gjyshi, duke mënjanuar kështu konfliktet dhe vetëgjyqësitë. Ndarja e tokës, sipas ligjit 7501, është një padrejtësi e madhe që duhej të ishte menduar mirë, jo vetëm nga komisionet e ndarjes së tokës, por edhe nga vetë ata që pranuan të marrin pronën e tjetrit. Arsyeja është fare e thjeshtë: Populli nuk mund të ndërrojë shtëpitë e pronat sa herë që ndryshojnë regjimet politike e qeveritë, por vetë populli, duhet të respektojë pronën e njëri-tjetrit, sepse po nuk deshe vetë, nuk ka ligj që të të  detyrojë t’i marrësh pronën bashkëfshatarit, fisit apo gjitonit tënd. E drejta e pronësisë mbi tokën nuk është aq e thjeshtë për t’u tjetërsuar. Ajo copë tokë që secili shqiptar zotëron në këtë Shqipëri, përfaqëson identitetin e   fisit apo të familjes së tij, pra ajo është fiks Atdheu i tij. Për atë tokë luftuan e u vranë Kosovarët gjatë një shekulli, e atë tokë po kërkon komuniteti çam sot e 70 vjet dhe me siguri që do ta marrin. Çdokush duhet të dijë se kurrë e asnjëherë nuk mund të ndryshojë pronësia mbi tokën me ligje e vendime të qeverive që vijnë e prapë ikin. Atë e kanë zgjidhur e përcaktuar shekujt. Ajo nuk tjetërsohet dot edhe duke e vrarë pronarin trashëgimtar, sepse mbrapa tij janë trashëgimtarët e tjerë. Është fakt që, Qeveria, për mënyrën se si u zbatua Ligji 7501, nuk imponoi, as kontrolloi apo dënoi asnjë komision vendor fshati. Kjo u vërtetua në  fshatrat e rretheve veriore, ku secili mori tokën e gjyshit. Pra edhe në Dukat mund të ishte vepruar në të njëjtën mënyrë. Por çfarë ndodhi kur u prish kooperativa? Gjithë atyre që banonin jashtë fshatit, që de fakto ishin anëtarë të kooperativës, bashkëfshatarët nuk u dhanë asgjë, madje ua morën edhe tokat që trashëgonin, duke shkaktuar një konflikt të skajshëm, i cili do vazhdojë edhe për qindra vjet të tjera dhe që  kërkon domosdoshmërisht zgjidhje. Ka ndonjë që  thotë se “juve që nuk banonit në fshat nuk ju takon të merrni tokat tuaja, sepse ju nuk punuat në kooperativë, kurse ne e punuam tokën për vite me radhë ”….etj. Por, kjo nuk përbën një arsye logjike që të justifikojë që të marrësh tokën e tjetrit: Së pari,  çdo  bashkëfshatar ka ikur nga kooperativa kryesisht  për nevoja të shtetit dhe me leje të organeve drejtuese të Partisë e të pushtetit në fshat. Së dyti, dikush nuk punoi, por  kishte lënë tokat e tij, nga të cilat merrej prodhim çdo vit dhe atij nuk iu dha asgjë, as qira për tokën e as prodhim, as nëpër vite e as kur u shpërbë kooperativa. Madje në fund u morën edhe tokën, duke mos zbatuar as Statutin e kooperativës, sipas të cilit, “…anëtari i kooperativës kur dëshironte mund të dilte nga kooperativa, duke marrë edhe tokën e tij….”. Gjithsesi, të shpronësuarit e Dukatit, kanë edhe mbështetje ligjore për pretendimin e tyre, si në Kushtetutën e Republikës, në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, në presionin e institucioneve europiane dhe të ShBA-ve, të cilat me insistim kërkojnë rregullim përfundimtar të çështjes së pronësisë. Bazuar në këto të drejta ndërkombëtare, por edhe në të drejtën zakonore e logjike, pretendimi dhe kërkesa e atyre që kërkojnë  pronat e trashëguara është më elementarja, është më e drejta në botë, – kërkojnë pronat që i kanë krijuar e blerë të parët e tyre – pra kërkojnë rrënjët e tyre dhe për këtë duhet të ndihen keq edhe ata që i kanë marrë. Për këtë çështje kaq të mprehtë edhe të moshuarit e fshatit, duhet të thonë fjalën e tyre të pjekur e të drejtë, sepse ata i njohin  edhe normat zakonore, por dinë edhe pasojat dramatike që vijnë nga konfliktet e pronësisë. Realisht ato pak toka, nuk pasurojnë as pronarët që i trashëgojnë dhe as ata që i kanë marrë, por pronarët  trashëgimtarë kanë një arsye madhore që insistojnë –ata duan të kujtojnë e të respektojnë punën e djersën e prindërve e gjyshërve të tyre, duan që fëmijët e tyre të mbeten të lidhur me fshatin, me të afërmit dhe njerëzit e origjinës nga kanë rrënjët e gjakun e tyre. Njëherësh ata ndihen edhe të fyer e të nëpërkëmbur, kur nuk mund të afrohen më tek prona e tyre, ku kanë lindur e janë rritur. Ja, këtë kërkojnë qindra familje dukatase dhe për këtë, roli i Shoqatës dhe i Pushtetit Vendor është shumë i rëndësishëm. Merrni shembull fshatrat e Bregut, apo shkoni në fshatrat e zonës veriore të vendit, ose në ndonjë shtet tjetër ish socialist, ku çdo gjë është zgjidhur duke respektuar trashëgiminë e pronës e duke ia kthyer atë të zotit. Mendimi që tashmë nuk mund të preket ligji 7501, se bëhet “ hataja”, se dikush ka bërë investime e dikush tjetër e ka thurur, nuk është arsye për të  mbajtur pronën e tjetrit e të sillesh indiferent sikur je vetë  pronari i saj, sepse kjo sjellje nuk është  dinjitoze dhe nuk të  çon larg. Dikush tjetër  thotë  që  nuk e mora, por ma dhanë tokën e tjetrit, po sikur të  të  urdhërojë shteti që të zaptosh shtëpinë e komshiut, a do ta bësh? Dikush tjetër thotë të mos ngacmohet çështja e pronave, se na prishet uniteti i fshatit. Realisht uniteti, për këtë arsye, është i prishur e i bërë copë-copë dhe vetëm zgjidhja, e këtij problemi e normalizon unitetin. Këtë situatë  mund dhe duhet ta zgjidhin bashkëfshatarët që i kanë marrë këto toka . Është në nderin e tyre, në moralin e burrërinë  e tyre, që secili “pronar i ri”, pavarësisht nga ligji, individualisht duhet të afrohet e të bashkëbisedojë me pronarin e vërtetë, të cilit i ka marrë tokën, edhe kur ndokush ka bërë investime, sepse po të  ekzistojë dëshira e mirë, gjenden edhe zgjidhjet. Kjo është një nevojë e domosdoshme, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të ndajnë përgjithmonë sherrin me njëri-tjetrin, pa pritur gjë nga shteti.

Në rast se, nuk veprohet kështu, me këtë përgjegjësi, për ta zgjidhur problemin e pronave vetë bashkëfshatarët, me mirëkuptim me njëri-tjetrin, pavarësisht nga ligji, do të mbetemi të ngërthyer me njëri-tjetrin në një hasmëri, në një armiqësi e në një urrejtje pa fund, sepse pronën nuk ta fal asnjë e asnjëherë.