Arif Vladi: “Pengu im të realizoj me orkestër simfonike 5 këngët monumentale”

959
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtari i mirënjohur Arif Vladi; Festivali i Këngës Popullore Qytetare, një mesazh historik

Ai është një ndër këngëtarët shqiptarë që ka lënë gjurmë në gjithë bashkëkombësit tanë, në të katër anët e globit. Por këngët e tij për Kosovën, ishin zjarri  i luftës. Në repertorin e tij ka mbi 150 këngë si dhe 6 CD dhe dy recitale që përbëjnë një rekord me vete. Por ai nuk pushon pasi kënga është jeta e tij. Së fundi ai ishte një ndër 10 këngëtarët e Festivalit të dytë të Këngës Popullore Qytetare.

 Si ishte organizuar ky Festival i Këngës Popullore Qytetare?

Ky Festival ishte organizuar  në vazhdimësi,  të atij që u zhvillua vitin që shkoi, me të njëjtën tematikë, ku ishin 10 këngë të traditës, ku u vunë përballë 10 krijime të reja. Logjika është që sa mundet krijimtaria e re të shkojë në gjurmët dhe motivet e këngëve të traditës, apo sa është në gjendje ajo të konkurrojë apo të kalojë më tej këngën e traditës, të asaj që ka lënë gjurmë, që ka lënë emër, që ka një rrugë të gjatë që ka ecur.

 Ju konkretisht çfarë këngësh kënduat, pra cilën nga këngët e traditës dhe cilën nga këngët e reja?

 Nga këngët e traditës unë këndova këngën “Hajredin Pasha”, një këngë që është  shumë e vjetër, që vjen qysh në pushtimin turk, kur Dibra ka luftuar kundër turqve. Hajredin Pasha mbetet një hero legjendar, një luftëtar i paepur, një trim i pashoq. Përballë kësaj kënge një kompozitor dibran, Tomçini, që ka shkruajtur shumë këngë popullore, por dhe vepra të tjera, si valle simfonike, këtë radhë kompozuar një këngë me motiv lirik, motiv dashurie, plot ndjenjë me titull  “Edhe unë dikur ashik kam qenë”.

 Si u përzgjodhën këngëtarët?

 Këngëtarët u përzgjodhën nga krahina të ndryshme të vendit, duke mos pasur njëanshmëri. Kështu dhe këngëtarët e tjerë kënduan një këngë të krahinës së tyre pastaj kaluan në këngën e dytë, që përsëri ishte me muzikë të kësaj krahine, me motive të asaj krahine. Pra secili këngëtar, si këngën e vjetër ashtu dhe të renë duhet e kishte me motive të asaj krahine, pavarësisht tematikës, legjendave, epiko-heroike, apo lirike, por mbi motivet popullore të kësaj krahine duhet të ngrihet kënga.

 Pra kënga juaj ka një kompozim të veçantë, pra flasim për këngën e re…

Po. E rroka paksa më lart. Ky ishte kompozim ekstra, kompozim enkas për Festival  me kompozitor Tomçini dhe tekst të Fran Vukaj.

 Sa këngë keni realizuar me kompozitorin Tomçini?

Kjo mund të jetë kënga e 35. Pra është një ndër kompozitorët e mi të preferuar, apo më mirë të themi që pëlqejmë shumë njeri tjetrin. Kemi një bashkëpunim të frytshëm.

Po kompozimet e tjera me kë i ke?

Shumë kompozime i kam me Edmond Zhulalin, Tish Diaja, Agim Krajka, pra me kompozitorët më të mirë.

Muzika pa tektsin nuk mund të jetë aq e bukur.

  Me cilët poetë ke bashkëpunuar?

Shumicën e teksteve e kam me poetin e mirënjohur Gjok Beci.  Shumica e kompozitorëve më të mirë shqiptar kanë kërkuar vetë bashkëpunim me Gjok Becin. Ndaj tekstet e tij, janë qysh në Festivalet e para të RTSH.  Disa nga tekstet më të mira Gjok Beci i ka bërë me Feim Ibrahimin por edhe me Çesk Zadenë apo Tish Dajinë, Pjetër Gaci, i cili  e vlerësonte jashtëzakonisht shumë. Ai brez kompozitorësh nuk jeton më dhe dua të them se ata kanë gjurmë të mëdha, gjurmë të pashlyeshme, pasi kanë bërë epokë në muzikën shqiptare. Ka dhe kompozitorë të rinj shumë të talentuar, por sërishmi, kur mendohen ata të parët sikur na ka ngjitur me ta. Po ashtu edhe kompozitorët e rinj, bashkëpunojnë gjerë me Becin.

 Në shumë intervista, kam arritur në konkluzionin që ju keni arritur në repertorin tuaj në 150 këngë të kënduara si mund ta themi premierë?

 Mendoj se i kam kaluar. E keqja është se s’i kam numëruar të gjitha. Pra them si këngë krijimtari, jo si këngë të repertorit të tjerëve që këndohen dhe në dasma. Pra si mund të themi me gjuhën tuaj, premierë. Them për këngët  që qëndrojnë. Për mendimin tim repertori i një këngëtari duhet të jetë aq sa këngë i rrojnë, aq sa këngë i ridëgjohen, këndohen dhe i pëlqen ende publiku. Pra, flasim për këngë që për herë të parë janë ekzekutuar nga unë jo të kënduara më parë nga të tjerë.

 Ju jeni ndër të parët që keni dhënë recitale në Shqipëri në periudhën e sistemit komunist. Kur dhe sa këngë kishte repertori juaj në atë periudhë?

 Po unë kam dhënë dy recitale që për kohën kanë bërë shumë bujë. Secili recital kishte nga 16 këngë të gjitha të pakënduara, pra premierë. Në recitalin e parë që e kam dhënë në Teatrin e Estradës, biletat janë shitur një javë para dhe pse shfaqja zgjati 6 ditë. Ditën e fundit, thuajse isha ngjirur dhe s’doja të dilja, por Drejtori i Teatrit më tha janë prerë biletat. S’kisha çfarë të bëja. Dola duke sakrifikuar.

 A mendon të bëni sërishmi recital?

Recitalet janë të shenjta. N.q.s do dalësh, o dil o mos e merr iniciativën të dështosh. Unë arrita të korr sukses dhe nuk ngutem. Nuk e shpërdoroj veten në këtë drejtim.

 Sa Cd ka realizuar Arifi?

Kam realizuar gjithsej 6 CD me këngët më të mira. Realizimi është bërë në 23 vjet duke qenë në korrent të zhvillimeve të tregut muzikor. Sot nuk duhet të bëhet këngë për këngë për të mbushur disqet, por duhet bërë art në këngë. Kënga, muzika, është delikate, një moment po të iku, s’e kap më dot. Nuk është vlerë numri i disqeve, i këngëve, por shitja e tyre, ajo që spektatori, apo qytetari i thjeshtë e kujton në makinë, në rrugë, në plazh, në komente.

 Ky Festival nuk ka çmime?

Jo. Ky është festival pa çmime, një festival prestigjioz, honorifik, që përcjell mesazhe harmonia mes brezave, që përcjell  kujdesin që duhet të tregojmë për këngën popullore qytetare. Është një Festival shumë sinjifikativ, që për mua përbën një shtysë, një përpjekje serioze të muzikantëve tanë, për ta ruajtur këtë këngë nga huazimet.  Pra është një mbështetje morale që muzikantët tanë i bëjnë të gjithë këngëve popullore të të gjitha trevave shqiptare. Këto këngë kanë dhe një mision historik, pasi pjesa e parë e këtyre këngëve mbi tekste historike është ndërtuar. Unë jam i mendimit dhe dëshiroj që ky festival të vazhdojë dhe të ecë në rrugët më të bukura të trashëgimisë shqiptare në këtë lloj muzike. Çmimet do ta çekuilibronin disi këtë festival. Secili këngëtar do këndojë dy këngë, ku kënga e parë do të jetë kënga e traditës dhe kënga e dytë do jetë kënga e sotme po që ka në bazë po këtë traditë, por që këndohet për herë të parë, pra kompozim i ri.

 Cili është pengu juaj?

Ah, kam një peng. Kam një peng prej disa vitesh, pasi kam disa këngë monumentale, që janë folklorike, në traditën e zonave të veriut, por që kërkojnë orkestër të madhe simfonike. Janë këngë shumë specifike, që nuk mund të depërtohet dot në ‘to pa këto lloj orkestrash. Jakup Ferri me bajrak, është një këngë monumentale, e cila kur kam shkuar jashtë thoshin: “Kjo është simfonia e Ballkanit”.  Tekstin e kësaj kënge e ka bërë Marash Mëhilli. Këto lloj kënge mund të marrin vlerat e duhura vetëm me orkestër simfonike. Ndryshe ngelen të cunguara.

Sa këngë janë të tilla?

Janë rreth 5 këngë të tilla, të cilat dikur i kam realizuar me orkestrën e Dibrës dhe më vonë me orkestrën e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve. Kjo e dyta është më e realizuara. Pra fuqia e këngës, teksti, marrin vlera vetëm me një orkestër të tillë. Ose kam një këngë duet “Arbëria, Dardania”, që është realizuar në studio. Realizimi është bërë i mirë, por kurrsesi si duan specialistët. Ajo duhet realizuar me orkestër simfonike. Kjo këngë ka si kompozitor Edmond Zhulalin dhe si tekst Gjok Beci. Këtë këngë e kam kënduar vetëm në dy evente. Është këngë epiko-historike.