Violeta Alem Yzeiraj: Naftëtarët e Ballshit ishin të dashuruar shumë me librin

663
Sigal

Intervistë me Znj. Violeta Alem Yzeiraj, ish librashitësja e parë në Ballsh

Violeta, ju jeni një bijë e Mallakastrës. Keni lindur dhe jeni rritur në Ballsh. Aty kaluat fëmijërinë dhe rininë tuaj. Ç’mund të na thoni për këtë?

 Është e vërtetë që kam lindur në Ballsh. Vij nga një familje me ndjenja atdhetare e patriotike. Gjyshi im, Fata Goxhaj, është një nga dëshmoret e parë të Mallakastrës, ndërsa babai, Alem Goxhaj, qysh i ri mori armët dhe u inkuadrua në Brigadën e Parë Sulmuese. Tani nuk jeton. Invalid i luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, plagosur tri herë. Nëna ime, Jemineja, është nga një familje e nderuar nga Starja e Kolonjës. Vëllai i saj, Barjam Rizaj ka qenë komandant  i Artilerisë së Korpusit të Korçës. Prindërit më edukuan me dashurinë për dije, dashurinë për njerëzit, më edukuan me dashurinë për Ballshin dhe Mallakastrën.

 Si u rrit Violeta, ku e mbaroi shkollën 8-vjeçare dhe atë të mesme?

 Shkollën 8-vjeçare dhe atë të mesme i mbarova në Ballsh. Unë u rrita bashkë me qytetin tim naftëtar. Sigurisht Ballshi kishte në fillim vetëm 10-15  familje autoktone. Me zbulimin e vendburimeve të naftës në Drenovë, Kash, Hekal dhe vënien e tyre në shfrytëzim, filloi dhe zhvillimi i qytetit për të plotësuar kërkesat e punëtorëve për strehim. Por një rritje të vrullshme qyteti pësoi me ndërtimin dhe vënien në shfrytëzim të Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës. U bë dhe ngritja e një sërë shkollash, ku përveç gjimnazit, u hap dhe shkolla dy-vjeçare, ajo e Rezervave dhe Teknikumi i Naftës të cilat përgatitnin kuadro për Uzinën.

 Kur ju pyeta më thatë: Shkollën e mesme e mbarova në Ballsh. Cilat janë disa nga konsideratat tuaja për mësueset dhe mësuesit e shkollës?

 Kanë qenë mësues të shkëlqyer si metodistë mësimdhënës. Ata na rrinin gjithmonë pranë dhe na konsideronin jo si nxënës, por si shokë e shoqe. Të tillë mund të përmend: Vnjesa Spahiun, Haredin Rudin, Paulin Teteskinin, Qemal Isufin, Haredin Elmazin, Hajdar Sulajn, mësuese Hatemen etj, të cilët ishin model për ne nxënësit.

 A zhvillonit aktivitete artistike dhe ju a merrnit pjesë në to?

 Po, zhvillonim aktivitete të larmishme e jo vetëm në Ballsh, por edhe nëpër fshatra. Unë vetë isha pjesëmarrëse e grupeve artistike duke qenë soliste. Jepnim numra estrade, koncert me këngë e valle nga nxënësit e shkollës, koncerte recitale etj.

 Mbas mbarimit të shkollës ju u punësuat si librare, në të vetmen librari të hapur në Ballsh. A ishte kënaqësi të punoje me librin?

 E ndjeja veten mirë dhe të privilegjuar që punoja me librin. Punova dhjetë vjet. Ishte libraria e parë që u hap në Ballsh. Njerëzit, intelektualët e naftës, mësuesit, nxënësit vërshonin kur vinte furnizimi. Që t’u shuaja kureshtjen dhe t’u jepja përgjigje të sakta për çdo pyetje për librin, i lexoja vetë dhe pastaj ua rekomandoja. Më kujtohet se si Mihallaq Luarasi, Sotir Skorovoti, Viljam Stefani, Luan Bejko dhe shumë drejtues të tjerë të ndërmarrjeve të naftës, më jepnin porosi e unë ua rezervoja librat.

 Mbas dhjetë vjetësh ju erdhët në Patos, ku u strehuat së bashku me bashkëshortin e fëmijët. Punuat si shefe administrate në ndërmarrjen e “Naftësjellësit”, por dhe si kryetare e Gruas.

 Të punosh në naftë është nder. Naftëtarët janë krenaria e Atdheut. Sakrificat e tyre në punë janë të jashtëzakonshme. Atëherë kërkesa në punë ishte e madhe. Sikur paksa të pësonte lëvizje bilanci, gjithë administrata gdhihej në ndërmarrje. Sigurisht, kjo për gratë ishte e lodhshme dhe e mundimshme. Ju e kuptoni çdo të thotë larg fëmijëve. Ata çdo minutë kanë nevojë për dashurinë e ngrohtësinë e nënës.

 Po si kryetare e Gruas së ndërmarrjes, kishit vështirësi në punën me gratë?

 Jo, përkundrazi kisha kënaqësi. Pse? Sepse unë i konsideroja shoqe të ngushta, të barabarta. Madje me to mund të punoja më mirë unë se sa drejtori, sigurisht në drejtim të problemeve që mund të dilnin dhe që duhet t’i zgjidhnim. Bënim shumë ekskursione, festime ditëlindjesh, recensione librash e filmash, për të cilat mua më ndihmonte puna si librare.

 Ç’ mund të na thoni për barazinë gjinore midis burrit e gruas?

 Unë nuk dua që kjo barazi të ngelë një slogan. Në shumë drejtime gruaja është më superiore se burri. Atë e gjejmë në të gjitha sferat e jetës, politike, shoqërore e institucionale. Ajo e thotë me kompetencë fjalën e saj. Është nënë, edukatore, shoqe. Jo më kot veprat më të mira në art, pikturë, këngë, skulpturë u kushtohen grave.

Demokracia e një vendi duket nga fakti se sa respektohet e i jepet mundësia që ajo ta tregojë vetë forcën dhe kapacitetin e saj.

 Intervistoi:  Fatmir  Yzeiraj