Vetingu, pasqyra ku ndërkombëtarët dhe politika shohin dështimet e tyrë

148

Shumica e trupit gjykues të KPA e përbërë nga kryesuesja Ina Rama, relatorja Mimoza Tasi dhe anëtari Sokol Çomo, megjithëse konfirmuan gjetjet dhe konkluzionet e KPK për shkarkimin e Xhengo e rikthyen në detyrë duke I dhënë si masë ,riedukimin për 1 vit në Shkollën e Magjistraturës. Prokurori kishte probleme me kriterin e pasurisë, anën profesionale, pastërtinë e figurës dhe lidhje me persona të përfshirë në krimin e organizuar

Shumica e trupit gjykues të Kolegjit e përbërë nga kryesuesja Ina Rama, relatorja Mimoza Tasi dhe anëtari Sokol Çomo, megjithëse konfirmuan gjetjet dhe konkluzionet e KPK në kriterin e pasurisë dhe shumicën e konstatimeve për figurën, vlerëson ndryshe lidhur me përdorimin e një automjeti në pronësi të një personi të përfshirë në krimin e organizuar.

Sigal

“Komisioni e shkarkoi Xhengon, duke e konsideruar të papërshtatshëm për profesionalizmin, në kuadër të cënimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë”.

“Problemet e konstatuara në kriterin profesional, nuk janë të një natyre që mund të shërohen nëpërmjet trajnimit njëvjeçar”.

“Shumica ka mbajtur qëndrim të ndryshëm edhe për gjetjet në kriterin profesional, duke çmuar se mangësitë nuk janë të një rëndësie të tillë sa të sjellin penalizim”.

Vlerësimi i ndryshëm nga shumica e trupit gjykues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të gjetjeve në vetingun e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për prokurorin e Tiranës, Julian Xhengo i dha këtij të fundit mundësinë për të vijuar funksionin, pasi të jetë trajnuar me sukses për një vit në Shkollën e Magjistraturës. Komisioni e shkarkoi Xhengon nga detyra më 14 shtator 2022, duke e konsideruar të papërshtatshëm për profesionalizmin, ndërsa gjetjet në kriterin pasuror dhe atë të pastërtisë së figurës u konsideruan në vlerësimin tërësor, në kuadër të cënimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Shumica e trupit gjykues të Kolegjit e përbërë nga kryesuesja Ina Rama, relatorja Mimoza Tasi dhe anëtari Sokol Çomo, megjithëse konfirmuan gjetjet dhe konkluzionet e KPK në kriterin e pasurisë dhe shumicën e konstatimeve për figurën, vlerëson ndryshe lidhur me përdorimin e një automjeti në pronësi të një personi të përfshirë në krimin e organizuar. Shumica ka mbajtur qëndrim të ndryshëm edhe për gjetjet në kriterin profesional, duke çmuar se mangësitë nuk janë të një rëndësie të tillë sa të sjellin penalizim, por mund të shërohen përmes trajnimit në Shkollën e Magjistraturës. Bazuar në këto qëndrime të ndryshme për figurën dhe profesionalizmin, shumica e KPA vlerëson se nuk mund të konkludohet për cënim të besimit të publikut tek drejtësia. Anëtarja e pestë e trupit gjykues, Rezarta Schuetz, e cila ka dalë në pakicë, shprehet se shkarkimi duhej të ishte lënë në fuqi. Ajo çmon se problemet e konstatuara në kriterin profesional, nuk janë të një natyre që mund të shërohen nëpërmjet trajnimit njëvjeçar. Sipas saj, së bashku me problemet e konstatuara për pasurinë, duhet të kishin sjellë konfirmimin e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra për këtë subjekt.

Mendimet ndryshe për pasurinë

Lidhur me një automjet të Xhengos, Komisioni ka arritur në përfundimin se nuk ka gjetur arsye bindëse për të justifikuar objektivisht, ligjërisht dhe financiarisht blerjen e mjetit nga subjekti sa ½ e shumës që pala shitëse kishte shpenzuar vetëm një muaj e gjysmë më parë. Po ashtu, nuk ka gjetur shkaqe objektive që të justifikojnë humbjen e konsiderueshme të pësuar nga pala shitëse. Për rrjedhojë, vlera e mjetit është konsideruar sa ajo e paguar nga shitësja dhe në këtë version të analizës financiare Xhengo ka rezultuar me bilanc negativ. Subjekti ka pretenduar në ankim se është i pabazuar dhe në kundërshtim me të gjitha provat e administruara konkluzioni i Komisionit se për automjetin ka dhënë deklarime të pasakta dhe kontradiktore për të fshehur vlerën reale të paguar për blerjen. Ai ka parashtruar se nuk arrin të identifikojë në vendimin e Komisionit çfarë deklarimi të pasaktë dhe aq më tepër kontradiktor, ka bërë në lidhje me rrethanat e blerjes së këtij automjeti.

Por, KPA i ka qëndruar konkluzionit të Komisionit lidhur me balancën negative

Po ashtu, shumica e KPA ka gjetur të drejtë edhe konkluzionin e Komisionit për pasaktësi të Xhengos në deklaratën “veting”, për arsye se nuk ka shënuar prindërit si persona të lidhur, të cilët dhe këta duhet të deklaronin një banesë në Tiranë, në pronësi të babait. Kolegji konstaton se nga aktet në fashikujt e Komisionit, subjekti ka qenë pjesë përbërëse e familjes prindërore deri më 17 tetor 2016, ndërsa pas kësaj date figuron i vetëm. “Trupi gjykues vëren se në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit për vetingun e magjistratëve, Xhengo ka qenë në të njëjtën certifikatë familjare me prindërit, që për rrjedhojë janë persona të lidhur që duheshin shënuar në deklaratën “veting”, si dhe të ishte lidhur dokumentacion për të vërtetuar burimet e pasurive të tyre. Në vlerësimin përfundimtar, KPA e gjen të bazuar qëndrimin e Komisionit se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pasaktë në deklaratën “veting”, pasi nuk ka pasqyruar pasuritë e familjarëve të tij. Po ashtu, ka gjetur të drejta përllogaritjet në analizën financiare të Komisionit. Megjithatë, shumica e Kolegjit ka bërë vlerësim të ndryshëm për peshën e këtyre gjetjeve në procesin e vetingut të Xhengos. “Në ndryshim nga qëndrimi i Komisionit, trupi gjykues i Kolegjit vëren se rrethanat e mësipërme të lidhura vetëm me kriterin e vlerësimit të pasurisë, nuk mund të konsiderohen si elemente të mjaftueshme për të konkluduar që kanë cënuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, sipas parashikimeve të nenit 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016”, vlerëson shumica. Schuetz në pakicë vlerëson se këto gjetje në kriterin e pasurisë duhet të kishin passjellë lënien në fuqi të vendimit të Komisionit, si dhe të ishin pjesë integrale e vlerësimit të përgjithshëm për subjektin. “Vlerësova që problematika e konstatuar për pasuritë e subjektit, përfshirë veprimet e kryera, deklarimet e pasinqerta, fakti që gjatë procesit të rivlerësimit ka arritur të mbledhë deklarata noteriale që u vlerësuan se nuk pasqyrojnë të vërtetën edhe nga shitësit e automjetit, vite pasi janë kryer veprimet dhe teorikisht në pozitat e publikut të gjerë, sikurse edhe mungesa e burimeve për krijimin e pasurive në vlerën prej 735.352 lekësh, duhet të ishte vlerësuar minimalisht si një ndër aspektet me peshë në vlerësimin e përgjithshëm të subjektit të rivlerësimit”,- shprehet Schuetz ndër të tjera.

Vlerësimi figurës

Në kriterin e figurës, Komisioni ka konstatuar se subjekti nuk ka deklaruar në mënyrë të saktë emrin e pronarit të një mjeti që ka përdorur, që pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se është person i përfshirë në veprimtari të krimit të organizuar. Xhengo ka pretenduar se vetëm gjatë hetimit administrativ të kryer ndaj tij, ka mësuar për herë të parë se automjeti në atë kohë ka qenë në pronësi të shtetasit në fjalë, duke theksuar se nuk e ka njohur asnjëherë, si dhe nuk ka pasur asnjë lloj kontakti të çfarëdolloj natyre me të. Po ashtu, ka parashtruar se nuk ka pasur asnjë motiv për të fshehur faktin që automjeti ka qenë në pronësi të një personi, të cilin nuk e njihte, ashtu si nuk njihte dhe personin tjetër P. Gj. që gabimisht e ka deklaruar pronar. Komisioni i ka vlerësuar të dyshimta deklarimet e subjektit, duke i cilësuar të qëllimshme për të fshehur faktin që mjeti ka qenë në pronësi të shtetasit S. Sh., person me precedent penal. Megjithëse KPK nuk ka evidentuar kontakte të Xhengos me shtetasin S. Sh., mosveprimet e tij për një përgjigje të saktë dhe shteruese në lidhje me pronësinë e mjetit, janë marrë në konsideratë në vlerësimin përfundimtar të çështjes. Ndryshe nga KPK, trupi gjykues i KPA vëren se subjekti i rivlerësimit, në cilësinë e pasagjerit në këtë automjet, ka bërë përpjekje për të sqaruar rrethanat e përdorimit, si dhe për të marrë të dhëna në lidhje me pronësinë e mjetit. “Mbetet i pabazuar konkluzioni i Komisionit se subjekti i rivlerësimit, me deklarimet e tij, ka pasur si qëllim të fshehë faktin se automjeti ka qenë në pronësi të një shtetasi me precedentë penalë”, vlerëson Kolegji dhe shton se gabimi në deklarimin e pronarit të automjetit, nuk mund të sjellë penalizim. Po ashtu, Kolegji e gjen të pabazuar konstatimin e Komisionit se deklarimi i subjektit për pronarin e automjetit bëhet i pabesueshëm, pasi me të ka udhëtuar dhe një koleg, subjekt rivlerësimi, i cili është pyetur dhe përgjigjur në lidhje me këtë fakt, të evidentuar dhe në vendimin e përkatës. KPA çmon se Komisioni, vlerësimin duhet ta bënte në bazë të rrethanave dhe të fakteve që kishte në dispozicion nga hetimi në lidhje me subjektin në fjalë, dhe jo të prezumonte dijeninë e Xhengos për pronarin e automjetit nga hetimi dhe konkluzionet e një vendimi tjetër. Po ashtu, në vlerësimin tërësor KPK, ka konsideruar dhe disa informacione nga organet ligjzbatuese për veprime të kundërligjshme lidhur me një çështje. Xhengo ka parashtruar në ankim se, në rezultatet e hetimit dhe në seancën dëgjimore, nuk i është kërkuar ndonjë sqarim për informacionet e evidentuara për këtë çështje. Ai ka pretenduar se nuk ka qenë e qartë, se cilat informacione konfidenciale ka pasur Komisioni dhe për çfarë veprimtarie të kundërligjshme bëhet fjalë! KPA i jep të drejtë Xhengos dhe vlerëson si të pabazuar dhe kontradiktor konkluzionin e Komisionit se në vlerësimin e kriterit të figurës, ka elemente që cënojnë besimin e publikut te subjekti, duke iu referuar konstatimeve në analizimin e një çështjeje të trajtuar tek aftësitë profesionale. “Pasi rezulton se në përfundim të vlerësimit për këtë çështje, vetë Komisioni ka konkluduar se pretendimet e denoncuesit në lidhje me korrupsionin, mbeten të pavërtetuara, duke mos u dhënë peshë problematikave të konstatuara në këtë çështje në drejtim të kriterit të kontrollit të figurës”, ka publikuar Reporter.

Profesionalizmi dhe cënimi besimit

Në rivlerësimin profesional, KPK ka konkluduar se subjekti nuk ka treguar aftësi të mira profesionale e organizative; se ka zvarritur në mënyrë të përsëritur hetimin e çështjeve penale; si dhe ka cënuar etikën e prokurorit jo vetëm në gjendjen në kushtet e konfliktit të interesit duke ushtruar detyrën, por edhe për shkak të mangësive të përsëritura – gjetje që janë vlerësuar shkarkuese. Xhengo ka marrë dhe në vitin 2014 masë disiplinore “vërejtje” për shkak të zvarritjeve të theksuara dhe të pajustifikuara të proceseve gjyqësore, për shkaqe të papërligjura në ligj. Shumica e Kolegjit çmon se vonesat në veprimet e kryera që kanë ardhur si pasojë e ngarkesës në punë, tregojnë më së paku mangësi të aftësive organizative të subjektit të rivlerësimit për të përballuar ngarkesën në punë e për të kryer në mënyrë të efektshme procedurat hetimore, përfshirë mbikqyrjen e dërgimit pa vonesë të akteve të njoftimit. “Mangësitë e konstatuara në veprimtarinë e subjektit të rivlerësimit janë kryesisht të natyrës së organizimit të punës dhe të veprimit me efikasitet në kryerjen e veprimeve procedurale, të cilat kanë afektuar indikatorin e aftësive organizative. Në një vështrim harmonik të kritereve/niveleve të vlerësimit të magjistratit sipas nenit 78 të këtij ligji, ku indikatorët e aftësive profesionale dhe të etikës e angazhimit ndaj vlerave profesionale, […], konsiderohen me peshë determinante, trupi gjykues konkludon se mangësitë e aftësive organizative të konstatuara në rastin e subjektit të rivlerësimit vlerësohen të pamjaftueshme për t’u konsideruar si shkak për shkarkimin e tij”, vlerëson shumica e Kolegjit duke e arritur këtë përfundim dhe në bazë të parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit. Sipas shumicës, mangësitë profesionale të Xhengos mund të shërohen nëpërmjet programit të trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës, brenda një viti dhe ka vendosur pezullimin e tij deri në kryerjen e këtij detyrimi. Bazuar në këto konkluzione, shumica ka vlerësuar gjetjet e konstatuara nuk janë të mjaftueshme as për të konkluduar se subjekti ka cënuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë dhe ka vendosur dërgimin e Xhengos për një vit në Shkollën e Magjistraturës. Schuetz në pakicë vlerëson se problemet në aspektin profesional janë të një natyre dhe sidomos vazhdimësie, që tregojnë për një qasje konstante të subjektit e që përbën zgjedhje të tij, nga për rrjedhojë “nuk mund të argumentohen se korrigjohen nëpërmjet trajnimit të mëtejshëm”. “Në kushtet që subjekti i është dhënë një masë disiplinore në vitin 2014, ‘për shkak të zvarritjeve të theksuara dhe të pajustifikuara të proceseve për shkaqe të papërligjura’, e cila rezulton të mos ketë sjellë asnjë efekt, si dhe nëse analizohen shpjegimet me natyrë justifikuese, shfajësuese e nëpërmjet të cilave subjekti shmang çdo përgjegjësi individuale për gjithë pyetjet e ngritura, e gjej të pabazuar kanalizimin e problemeve të konstatuara dhe qasjes minimizuese e shfajësuese të subjektit në proces, në problem që shërohet nëpërmjet trajnimit të mëtejshëm të një magjistrati me mbi 16 vjet karrierë”, arsyeton Schuetz dhe thekson se mangësitë duhet të sillnin shkarkimin e Xhengos nga detyra.