“Tirana 1920-1944”, një libër me vlera historike

852
Sigal

Libri promovohet në 3 tetor tek sallën e “UNESCO”, pranë Muzeut Historik Kombëtar

Me rastin e 400- vjetorit të themelimit të Tiranës si qytet dhe 94- vjetorin si kryeqytet, autori i librit Tirana 1920-1944, Spiro Vasil Mehilli, ditën e premte me 3 tetor 2014 në sallën e “UNESCO”, pranë Muzeut Historik Kombëtar, promovon librin “Tirana 1920-1944”. Në këtë libër, prej 271 faqesh dhe i mbështetur në 172 burime arkivore, na jep një pasqyrë të hollësishme megjithëse shkurt mbi historikun e qytetit të Tiranës dhe të pazarit të vjetër, që fatkeqësisht nuk i ka mbetur asgjë në sipërfaqe, përveçse fusha mbrapa pallatit të Kulturës. Në libër tregohet me hollësi se çfarë ka ndodhur në qytetin e Tiranës me shpalljen de-fakto kryeqytet dhe më pas de-juro. Këtu lexuesi do të gjejë: se si ka evoluar ky qytet, duke marrë tiparet e një qyteti  europian. Kështu do të shikojmë se si filloi shtypi në Tiranë, që brenda 24 vitesh arriti që të ketë 24 shtypshkronja dhe të botonte 131 tituj revistash dhe gazetash, ndërtimin e rrugëve që për kohën ishin tërësisht moderne dhe qëndrojnë ende në këmbë sot e kësaj dite. Diçka tjetër është edhe transporti rrugor, detar. Sallat e vallëzimit e deri një numër i madh shtëpish publike që flasin për një civilizim, hotelet e shumta, kinematë dhe teatrot, studiot fotografike, hapja e shumë shkollave të ciklit të ulët dhe të mesëm, ngritja e spitaleve civil dhe ushtarak, marrëdhëniet me botën e jashtme, në hapjen e ndërsjellë të legatave dhe konsullatave, e shumë e shumë materiale të tjera.

Spiro Vasil Mëhilli është lindur në Tiranë më 12 dhjetor 1939. Në vitin 1958 mbaroi Politeknikumin Mjekësor. Nga korriku e deri më 13 dhjetor të po atij viti, ushtroi profesionin e ndihmësmjekut në Lokalitetin e Baldushkut, duke pasur në ngarkim 16 fshatra. Nga dhjetori i vitit 1958 deri më qershor 1959, ka qenë marinar në Shkollën e Instruksionit në Pasha Liman. Nga korriku i po atij viti e deri në korrik të vitit 1961, ka qenë student për inxhinier radioelektronik në shkollën që mbante emrin e “Aleksandër Stepanoviç Popovit”, në qytetin e Petrodvorjecit (Petërgof), 29 km larg Leningradit, tani Shën-Petërburg. Në vitin 1961, pasi u kthye në atdhe, filloi Fakultetin e Mjekësisë, të cilin e mbaroi në vitin 1966. Karriera e tij si mjek filloi e mbaroi në ushtri, prej të cilave, 3 vjet në Brigadën Xheniere të Urahedhësve në Kavajë, si Shef i Shëndetësisë së brigadës dhe 3 vjet në Brigadën e Tankeve në Sauk, po Shef Shëndetësie, e pjesa tjetër, në Institutin e Kërkimeve Mjekësore Ushtarake, (Spitali i Përgjithshëm Ushtarak). Aty ka punuar në sektorin e Radio-Toksikologjisë deri sa doli në pension. Është kualifikuar në Budapest, në vitin 1993. Në vitin 1985 mori titullin “Kandidat i Shkencave”; në vitin 1990, “Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor” dhe në 1993 ‘ Doktor i Shkencave”. Për 18 vjet ka qenë pedagog i jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë, ku ka dhënë lëndën e Radiobiologjisë. Për disa vite ka qenë sekretar i Buletinit të Mjekësisë Ushtarake. Në karrierën si mjek, ka botuar katër libra mjekësorë, dy prej të cilave mbajnë emrin e tij: “Sëmundja e Rrezes” -1981 dhe ‘Klinika, Paraklinika dhe Mjekimi i Sëmundjes së Rrezes” -2003; ndërsa dytë tjerët, me bashkautorë. Ka botuar mbi 60 artikuj shkencor si dhe ka përkthyer dy libra: Interpretimi Klinik dhe Paraklinik i Analizave Kliniko Biokimike”, të autorëve Q. Koshçug dhe A. Levit; dhe “Mjekët e Vietnamit në Luftë”, të GalIkin.

Nga viti 1999, i është përkushtuar letërsisë. Ka botuar:

1      – Kur thinjet kujtesa, (Roman). -2000.

2      – Lulja e majit, (16tregime). -2001.

3      – Shtëpitë e shpirtit, (Ese). -2002.

4      – Dritëhijet e një perandorie, ose 305 vjet dinasti

e Romanovëve. (Roman).-2005.

5-    Zjarret    e natës, (Roman). -2007.

6-    Faqe të Munguara -Tirana – Kinematë – Filmat. (Ese) – 2009.

7-    Ismail Mal’Osmani njeriu i librit-2010.

8-    Idili i Thyer(7 Novela). -2010.

9 – Një natë me balerinën ruse (20 tregime). – 2011.

10-Arti i Shtatë në Tiranë (ese). – 2011. 11 – Tirana (1920-1944). – 2012.

12-  Në ferrin e bardhë, (roman).- 2013.

13-  Varri i Ashikut, (roman).- 2014.