Taulant Shehu: Balerini shqiptar që po “përkul” Gjermaninë me talentin e tij

810
Sigal

Bota e baletit është internacionale, nuk ka rëndësi se nga vjen, çelësi i suksesit është të duash të jesh aty”

Thonë se arti është fytyra më e mirë dhe e vërtetë e një kombi, kështu është edhe për vendin tonë.  Talentet shqiptare vazhdojnë të shkëlqejnë në çdo vend të botës edhe pse shumë prej tyre nuk janë bërë të famshëm ende në atdhe për suksesin dhe përkushtimin ndaj artit jashtë Shqipërisë. Taulant Shehu është një prej atyre që na bënë të gjithë shqiptarëve të ndihemi krenarë. 25- vjeçari, Shehu po lë gjurmë si balerinë profesionist që prej disa vitesh në Dusseldorf të Gjermanisë, në Stadtheater Wiesbaden, një nga teatrot më të fuqishëm sot. Karriera e tij nisi me në shkollën e mirënjohur të Cannes, në Francë, ku fal përkushtimit dhe dëshirës së madhe ndaj baletit, u shfaq ndër talentet më të mira dhe arriti të bashkëpunonte me koreografë mjaft të njohur të Gjermanisë. Rrëfimin mbi peripecitë e suksesit të arritur dhe planeve për të ardhmen, Taulanti e tregon më poshtë për gazetën “Telegraf”.

– Kush është Taulant Shehu, për ata që nuk e njohin…

– Një djalë i rritur në Tiranë nga një familje e mesme, por shumë e pasur me dëshirën për të më dhënë edukatën më të mirë, si dhe shumë të apasionuar për artin. Ka qenë mbështetja e jashtëzakonshme që unë, një artist i ri e i panjohur të arrija sukses e aq më tepër jashtë vendit, ku peripecitë e largimit nga Shqipëria drejt Francës nuk ishin aspak të lehta.

Baleti ka qenë ëndrra juaj apo ishte rastësi të hynit në botën e artit?

– Thonë që rastësia është mbret i botës…kështu që edhe për mua, krejt rastësisht…

– Cili ishte rrugëtimi juaj që prej studimeve në Francë?

– Mua m’u dha mundësia në atë kohë që të isha pjesë e shkollës së mirënjohur Cannes Jeunes Ballet. Fillimet qenë shumë të vështira, stili pedagogjik dhe perfeksioni i baletit klasik qe i përsosur në atë shkollë. M’u desh të punoja jashtë mase shumë, pasi vija nga një shkollë me teknikë ruse që është shumë më e prapambetur se ajo franceze.

– Ishte fati apo talenti juaj që ju ofruan kontratë pune në Gjermani?

– Fatin dhe talentin nuk i ndaj dot. Një artist ka shumë nevojë për të dyja…Unë qëllova në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, kjo pjesë ishte fat, por sigurisht që ishte edhe talenti dhe një vit pune shumë intensive në Cannes, që unë arrita të merrja një kontratë pune në Dusseldorf të Gjermanisë, një nga teatrot më të fuqishëm sot që as që mendohej në fillimin e studimeve në Cannes, pasi edhe vetë paketa e shkollës që unë kisha ishte vetëm 2-vjeçare.

Ju keni performuar edhe si solist, na tregoni disa prej këtyre shfaqjeve?

– Unë tani punoj si balerin profesionist, prej më shumë se 6 vjetësh, kështu që ka pasur shumë të tilla në karrierën time, veçoj këtu: Carmen, Sëan Lake, Carmina Burana, Sacre du Printemps, Romeo und Julia, Giselle, Mammatus, Six dancers, Petite Mort, etj..

– Cila ka qenë ajo performancë në të cilën keni marrë më shumë duartrokitje dhe përgëzime?

– Tani për çdo performancë, duartrokitjet dhe përgëzimet nuk kanë munguar kurrë, është pjesë e punës sime dhe është ajo kënaqësia  më e madhe që një artist merr në fund të ditës.

– Sa e vështirë është që një shqiptar të bëhet balerin i suksesshëm në Gjermani? Ju pengon ky fakt për të pasur një karrierë më të mirë?

– Bota e baletit është shumë internacionale nga vjen nuk ka aspak rëndësi, talenti dhe dëshira e madhe për të qenë aty ku do është çelësi i suksesit.

-Meqenëse, verën sapo e lamë pas, ku i kaluat pushimet?

-Sigurisht, tre javë në detin e bukur  jonian të Shqipërisë, është standard për mua dhe e bëj çdo vit, pasi kështu kam mundësi të kaloj kohë edhe me familjen. Që prej shumë vitesh kam dashur të shkoj në Afrikë.  Këtë verë më në fund mundësitë u krijuan dhe kalova dy javë të mrekullueshme atje.

-Për kuriozitet dhe fansat tuaj, a ka të dashur Taulanti? Nëse po, është shqiptare apo…?

-Unë kam ikur nga Shqipëria në moshën 18-vjeçare i sapo dal nga shkolla e baletit në Tiranë, kështu që atje kam ca miq e shokë, por fansa nuk mendoj se ka.  Por, për lexuesin e “Telegraf” po jap pak informacion rozë… unë kam të dashur, bashkëjetoj me të dhe ajo nuk është shqiptare.

SOMARIO

-Tashmë u bënë tre vite që performoj si balerin profesionist në teatrin Stadtheater Wiesbaden, të Dusseldorf. Koreografi me të cilin unë punojë është Stephan Thoss, shumë i njohur në Gjermani, kisha fatin të punoja me të, por balerini duhet të jetë gjithmonë në kërkim të eksperiencave të reja  për të qenë sa më i plotë në fund të karrierës së tij, duke e menduar kështu është koha edhe për mua për diçka të re.

BOX

E ardhmja si koreograf dhe bashkëpunimi me TOB-in

-Deri ku arrin dëshira dhe ambicia e Taulantit si balerin?

-Tani për tani të marr sa më shumë eksperiencë që mundem, të punoj me sa më shumë koreografë për të ndarë me to eksperienca dhe pse jo në të ardhmen të jem një i tillë. Tashmë, unë kam tre pjesë baleti, të cilat i kam krijuar vetë dhe janë pritur shumë mirë nga publiku, gjë që më frymëzon mua seriozisht për të parë veten si një koreograf në të ardhmen.

-Keni menduar të ktheheni në Shqipëri dhe të vazhdoni këtu karrierën tuaj, si koreograf ndoshta?

-Unë e dua shumë vendin tim, është pak paradoksale unë së shpejti aplikoj për të qenë shtetas gjerman. Por, vij rregullisht në Shqipëri e pse jo në të ardhmen do të kisha shumë dëshirë të bashkëpunoj me Teatrin e Operës dhe Baletit për të dhënë eksperiencat e mia.

 nga Zena Qama