Marika Kallamata: Unë, Margarita Xhepa dhe Drita Agolli erdhëm në një ditë në Teatrin Popullor

1034
Sigal

INTERVISTA/ Flet “Artistja e Merituar”, Marika Kallamata

Ka luajtur mbi 50 role në tetar dhe 16 në filma, por thekson se mund të luajë akoma. Kur fitoi konkursin e cilësuan për role karakteri, role karakteresh dhe ajo i qëndroi besnik këtij cilësimi duke luajtur role të tillë që kanë lënë gjurmë tek spektatori. Edhe pse 83 vjeç ajo ka një kujtesë fenomenale, që i kujton ditët në teatër që kur ishte 20 vjeçe. Ka dhënë shfaqje në të katër anët e atdheut, ku publiku i priste si heronj. Në gjithë shfaqjet që janë dhënë biletat priteshin për 2 orë dhe njerëzit zinin radhë me ditë të tëra. Në shfaqje vinin të gjithë udhëheqësit, por Enveri vinte në raste të veçanta. Pengu i saj është se ka akumuluar shumë eksperiencë që mund t’i shfrytëzojë në filma të ndryshëm, por që sot filmat janë të pakët dhe kërkesat për aktorë janë po të pakta.

 Roli i parë në teatër?

Kur kam ardhur në ish -Teatrin Popullor, sot Teatri Kombëtar isha proviste, pra dy vjet në provë duke na dhënë nga një rol të vogël. Ishte viti 1952 kur shkela për herë të parë në teatër dhe gjithmonë mendoja se ishte një ëndërr e largët. Kam luajtur në një  pjesë sovjetike “Gjashtë Dashnorët”, që në fakt ishte “Gjashtë të dashuruarit pas flamurit”.  Regjisor ishte Andrea Malo. Por ishte përkthyer më thjeshtë tek ne. Unë kisha rolin e gjyshes. Ishte një komedi me një regjisor rus. Mbas dy vjetëve ne dhamë prova për t’u pranuar si definitiv, pasi ishim ende në provë. Në Shqipëri ende nuk kishte një shkollë për aktrim. Pra më shumë ishte dëshira, pasioni dhe talenti ynë që na kishte shtyrë të hynim në aktrim.

 Kush dha prova për definitiv bashkë me ju?

Ne ishim tre artiste, Margarita Xhepa, Drita Agolli dhe unë. Aso kohe kishin disa ushtrime që jepeshin të ndryshme për interpretim sikundër kryesore do të bëje dhe një interpretim nga roli ekzistues, që bëje në teatër.  Ka qenë një pjesë e Ostrovskit “Për maçokun nuk ka gjithmonë karnaval”. Rolin e kishte Esma Agolli unë e dubloja në teatër, jo vetëm se ajo ishte e sëmurë, por në fakt unë isha dublantja faktike se atëherë çdo rol  kishte dublant. Ky rol ishte i një shërbëtoreje, e cila ishte paksa budallaqe, që gjithmonë rrinte duke qeshur, nuk merrte asgjë seriozisht, i bënte përshtypje çdo gjë që shihte në rrugë, pra ishte e hallakatur. Pra në provim unë luajta këtë pjesë, ku në juri ishte dhe një regjisor rus, shumë i përgatitur. Më atë që unë performova të gjithë ngelën të kënaqur, pra e kalova provimin shumë mirë.  Pra nga proviste, kandidate për në teatër fitova të  drejtën definitive. Ishte një gëzim i madh, pasi nëse s’do fitoja, kthimi mbrapa do të ishte disfatë për mua. Pra Margarita Xhepa, Drita Agolli dhe unë dolëm shumë mirë dhe kaluam direkt në Teatrin Popullor.

A ju dhanë ndonjë përcaktim rolesh, kur fituar konkursin?

Po, mua më etiketuan për role karakteresh, e specifikuar, Margarita Xhepa për role heroike, Drita Agolli për role të veçanta. Për ne filloi një jetë e re. S’ishte e lehtë në atë kohë të filloje punë si aktore. Ne po thyenim disa tabu.

Nuk pati lëvizje në institucione të reja të kulturës?

Pas një viti pati. Në Tiranë u hap dhe Estrada e Tiranës, një institucion i ri pa përvojë. Ata thirrën Margaritën se kishte eksperiencë, por ishte dhe e bukur, e mirë, gojëmbël dhe plot talent. Përveç Margaritës në Estradë për ndihmë shkuan dhe shumë aktorë të teatrit, Besi Levonja, Meriopi Çobani, etj…derisa u  ngrit Estrada dhe pastaj u kthyen sërishmi, pasi Teatri kishte shumë nevojë për ato figura.

 Ju në atë kohë kishit bërë shkollë për aktrim?

Unë e theksova ne si fillim u futëm në sajë të talentit, dëshirës, kurajës, këmbënguljes. Në vitin 1958 dha urdhër Ministria që ne që nuk kishim bërë Liceun Artistik të shkonim në shkollë. Në atë kohë ata që punonin tek Ansambli i Ushtrisë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve, TOB, Estrada, Teatri Popullor duhej të mbaronin shkollën. Ne fillonim shkollën në 7 e 30 dhe mbaronim në 12:00. Shumë  artistë mbaruan këtë shkollë.

 Ju keni filluar në vitin 1952 deri në 1987,  ku për 35 vjet s’jeni larguar asnjëherë nga teatri dhe sa role keni luajtur?

 Unë jetën time artistike e fillova në teatër dhe aty e mbylla. Dua të them se në pension dola në vitin 1982, por punova dhe pesë vjet si e jashtme, pa ndërprerje. Nuk jam larguar asnjë ditë. Madje, unë edhe pas daljes në pension kam luajtur edhe pesë vjet të tjera.

 Ju që filluat këtë rrugë, kishit një trashëgimi familjare që lidhej me artin, apo ishte një dëshirë personale, një dhunti?

S’kam pasur asnjë pjesëtar të familjes që merrej me art. Ishte një dëshirë e imja, një shtysë e brendshme, një pasin që mbiu pa e ditur as vetë.

 Kush ka qenë regjisori juaj i parë që ju ndërgjegjësoi në vitalitetin dhe  rëndësinë e teatrit?

Ka qenë regjisori Pandi Stillu. Për mua ai mbetet një ndër regjisorët pikantë të teatrit, i cili përgatiti me dhjetëra regjisorë të rinj. Ai i ndihmonte të rinjtë dhe u besonte role. Kështu ndodhi dhe me mua.

Cilët kanë qenë regjisorët e rinj që filluan të evidentohen?

Ishin disa, ku unë do të përmend Mihallaq Luarasin, që kishte studiuar në Hungari, apo Kujtim Spahivogli, që kishte  studiuar në Moskë, i cili ishte dhe pedagog në Institutin e Arteve. Mund të përmend Andrea Malon, regjisor-pedagog, etj.. Por në atë kohë kishte dhe regjisor të jashtëm.

Një mori rolesh, ku jeni ndjerë më keq?

Nuk kam pas ndonjë rast të veçantë që të jem ndjerë keq në skenë. Unë ju thashë që rolet e mia kanë qenë role të karakterit, episodik dhe unë i merrja me seriozitetin më të madh. Binte gongu unë isha në gatishmëri, plot emocion dhe dëshirë.

 Në atë kohë thoshin që në Teatrin Popullor zinin radhë për të prerë bileta, a është e vërtetë?

 Kjo ndodhte me të vërtetë. Gjithmonë zihej radhë, pasi ne vinim në skenë tema nga të ditës,  tema të luftës pasi ende ruhej jehona e luftës, vinim pjesë klasike, ku njerëzit ishin të ethshëm të shihnin këto pjesë si Shekspiri, Goldon, apo klasikët rusë apo spanjollë. Di shumë mirë që vinin dhe familjarisht kur vinim në skenë pjesët klasike. Pra prindërit merrnin fëmijët që të edukoheshin me këto pjesë me karakter edukativ. Ishin dhe pjesët e tjera me përditshmëritë e jetës, ku spektatori gjente veten dhe çka shihte gjatë ditës. Ishin ngjarje konkrete. Biletat shiteshin shumë shpejt dhe ne s’ua plotësonim dëshirat të afërmve. Shumë herë njerëzit e mi ngeleshin qejfprishur, pse  s’u siguroja biletë. Por neve deri në katër bileta na jepnin. Kështu që rregulloheshim me shoqet, njëherë ua jepja unë katër biletat, njëherë mi jepnin ato.

Po nga udhëheqësit e kohës kush vinte më shumë në teatër?

Udhëheqësit vinin të gjithë, por Enveri me Mehmetin vinin rrallë. Ministrat e Arsimit dhe të kulturës vinin rregullisht në teatër. I ndiqnin me seriozitet.  Mbaj mend që nga Manush Myftiu dhe deri tek Thoma Deliana. Por ajo që kam të fiksuar është se udhëheqësit kryesor ngjiteshin në skenë dhe i takonin të gjithë aktorët.

 Kur e mban mend më mirë Enver Hoxhën që ka ardhur  në shfaqje dhe ju ka takuar ?

Ah! Ka qenë në dramën “Orët e Kremlinit”. Ishte një nga dramat më të bukura të atyre viteve. Kur mbaroi shfaqja gjithë salla u ngrit në këmbë. Enveri së bashku me ta, pastaj ai u ngjit në skenë dhe na takoi me radhë. Ju lumtë,- tha, vërtet ishte një shfaqje e bukur. Dihet si ishin emocionet tona para Enverit.

 Si veprohej me repertorin?

Këtu duhet ndalur. Repertori kontrollohej pastaj vihej në skenë. Jo ço material që i tekej regjisorëve mund të shfaqej. Çdo gjë kalonte në filtër. Për nivelin artistik të veprës as që bëhej fjalë. Duhet të themi se pas vitit 1962 repertori klasik u zvogëlua ndjeshëm. Por kjo solli atë  që ju dha përparësi dramaturgjisë sonë. Kjo solli një frymë të re, por mbi të gjitha krijoi hapësirë të madhe për krijuesit tanë. Në këto vite deri në 1987 pati shumë krijimtari të autorëve tanë. Madje, u bënë shumë drama të bukura, shumë komedi të bukura. Por dhe vetë ne ishim më të lehtësuar në interpretim pasi ishin pjesë shqiptare.

Cila nga dramat tona në atë periudhë ka pasur më shumë sukses?

Ka qenë drama “Halili dhe Hajrija” që mund të them  se është vënë në skenë mbi 220 herë. Pas saj mund të përmend “Familja e peshkatarit”, po kështu, “Shtatë Shaljanët”,  “Toka jonë”, madje me këtë dramë kemi bërë turrne nga jugu në veri.  Mund të them se aty ku shkonim sallat  mbusheshin dyfish. Shumica rrinin në këmbë.

Cila ishte e veçanta e shfaqjeve?

E veçanta ishte se na sillnin dhe shkollat në mënyrë të organizuar të dielave paradite apo dhe qytetarë që punonin me turne dhe që s’kishin mundësi t’i ndiqnin paradite. . Kjo bëhej pasi nxënësit i kishin në mësim këto krijimtari.

 A ishte e vështirë të shkonit nëpër Shqipëri?

Shumë e vështirë, por nuk e ndjenim. Nuk e ndjenim sepse na prisnin mirë, gjenim ngrohtësi, gjenim  atmosferë. Kudo na shihnin si perëndi. Kur mbërrinim në një qytet të largët, të lodhur nga rrugët me gropa të paasfaltuara, të lodhur nga makinat e këqija, kur gjenim atë ngrohtësi tjetërsoheshim.

 Po në Teatrin Popullor ka pasur dënime masive si në muzikë në Festivalin e 11-të?

Jo. Ne kemi pasur ndonjë rast kur dhe pse janë bërë provat gjenerale, shfaqja na është anuluar. P.sh  komedia  “Rrufe në mot të mirë”,  kur flitej për pemën e ullirit. Atëherë të prisje një ulli duhej të merrje leje në sa e sa vende. Në atë komedi Kadri Rroshi kishte rolin kryesor, unë kisha një rol karakteri, ishte Robert Ndrenika. Në provat gjeniale u thanë shumë fjalë të mira, një ditë para shfaqjes u anulua.

 Me cilët nga aktorët e mëdhenj ke pasur role të spikatur?

Unë kam luajtur në çdo dramë apo komedi pasi kisha role karakteri, por më shumë kam luajtur me Marie Logorecin tek “Toka jonë”, “Shtatë shaljanët”. “Gjashtë dashnorët”  apo me Violeta Mnaushin në “Zonja nga qyteti”, Zonja nga fshati”, “Orët e Kremlinit”, etj…

Po nga aktoret kë keni pasur më shumë miqësi?

Sigurisht me Margarita Xhepën pasi ishim në një moshë, ishim nga Myzeqeja dhe kishim hyrë në një ditë në teatër. Por dua të them se, me Esma Agollin, Drita Pelingun, Violeta Manushin, Besa Imamin e të tjera kam shkuar si mos më mirë. Ne kishim një miqësi të vërtetë. Nuk kishim zhelozi të sëmura, por xhelozia pune, për nxitje, në emër të së mirës. Ajo shoqëri nuk vjen më. Madje, edhe kur ishim të dubluar ne nuk bënim shere, e mirëkuptonim njëra-tjetrën dhe shkonim tek njëra- tjetra pa teklif. Ne ishim shumë të lidhura dhe e nxisnim njëra -tjetrën.

 Në çfarë viti e keni marrë titullin “Artiste e merituar”?

Titullin “Artiste e Merituar” e kam marrë në vitin 1985. Titullin ma ka dorëzuar vetë Ramiz Alia. Por para këtij titulli kam marrë tre dekorata “Naim Frashëri klasit  3”, “Naim Frashëri 2”, “Naim Frashëri 1”. Pra nuk ishin të rastësishme. Në atë ditë e ka marrë këtë titull dhe Roza Anagnosti, ndërsa Xhanfise Keko mori titullin “Artiste e Popullit”. Ishte  një nga ditët e mia më të bukura pasi vlerësimi moral atëherë ishte si një gjë e madhe.

 Të merrje atëherë një titull ishte shumë e vështirë, ndërsa sot titujt sikur blihen. Mendimi juaj?

Ai regjim kishte të metat e veta, por jo çdo gjë duhet ta hedhim poshtë. Kur merrje një dekoratë apo titull më parë diskutohej në kolektiv, diskutohej edhe në parti. N.q.s s’e meritoje s’bëhej “Pazar” me të. S’hynte në punë miqësia për vlerësimet.

 Sa role keni luajtur në kinematografi?

Unë gjithsej kam luajtur 16 role, por role episodik, role si figurantë, por rol që ja vlen të përmendet është tek filmi “Fillim i vështirë”, “Ata ktheheshin nga lufta”, “Dolli e dasmës time”, “Një baba tjetër”, “Radiostacioni”, “Kur hidheshin themelet”, “Nxënësit e klasës time”, e shumë të tjerë.

 Ku e ke gjetur veten më mirë në film apo në teatër?

Secila gjini ka veçoritë e veta, por teatri mbetet teatër. Aty je i drejtpërdrejtë, reagimi i njerëzve është i menjëhershëm. Nis gabon herën tjetër e korrigjon. Ndërsa në film s’i ke këto komoditete dhe këto cilësi. Por nga ana tjetër filmi mbetet më popullor, më i përhapur, të bën më shumë të njohur.

 A jeni lënë paksa  në harresë nga shteti për vlerësime?

 Në fushën e aktrimit ne s’jemi lënë në harresë, pasi jemi aktivizuar kohë pas kohe. Madje dhe në filma kam marrë pjesë. Por në vlerësimet morale nga shteti them që duhet më shumë vëmendje. Këto kohë kam pasur dy role çalamaneje. Tek  filmi “Streha e të harruarve”,  ku ngjarja zhvillohet në një azil pleqsh dhe “Një baba tepër” ngjarja zhvillohet para estradës, ku ishte shkurt dhe aq ftohtë sa m’u bllokua këmba dhe isha e detyruar të luaja çalamanen.

 Ke ndonjë peng në jetën skenike?

Gjithë karakteret që kam luajtur më kanë mbushur me një bagazh që mund të krijoj karaktere të tjerë. Pra jo peng, por kam akumulim që dua t’i shfaq. Kam akoma për të dhënë.

 Ç’mendim keni për shkollën shqiptare të aktrimit?

Ka qenë dhe mbetet një shkollë shumë e mirë. Gjithë kjo plejadë aktorësh të mëdhenj që kam përmendur më lart, por edhe tek tub rinjtë si Ndriçim Xhepa, Suela Konjari, Anila Bisha, Luiza Xhuvani, janë nga kjo shkollë që kanë lënë gjurmë dhe që mund të themi me plot gojën se shkolla shqiptare e aktrimit ka qenë dhe mbetet shumë cilësore.

 Nga regjisorët shqiptarë kë do të veçoje?

Janë shumë, shumë sa nuk bëj dallime. N.q.s do përmend emra kam frikë se do lë ndonjë dhe do i mbetet qejfi.

 Si e nise rrugën e aktrimit?

Në Fier kishte shumë grupe amatore, për aktrim, grup valleje,  estradë, vegla muzikore, sportiste, etj…Unë kisha qejf për aktrim dhe u angazhova në disa pjesë me këto grupe. Më parë provova veten në këngë, por kur më thoshin bë zërin e parë bëja zërin e dytë, kështu që u tërhoqa. Pas këtyre shfaqjeve mendova të vija në Tiranë të provoja veten. Kështu pas dy vjetësh shfaqje me trupat amatore të Fierit erdha në Tiranë për konkurs dhe fitova.