Erieta Gajtani Koliqi: “Artisti ka armë të vetën artin, jo gjuhën”

660
Sigal

PERSONAZH/ Flet piktorja dhe stilistja, Erieta Gajtani Koliqi: Meritën për edukimin dhe moralin artistik e ka nëna ime

E sheh gjithmonë të qeshur dhe krenare për çka ka arritur. Stiliste dhe piktore, dy profesione që ajo i mban si dy binjakë duke mos humbur ekuilibrat. Pikturat e saj tashmë i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë, por ajo kurrë nuk e mbivlerëson artin e saj, por e përcjell atë me thjeshtësi dhe korrektesë. Vuajtjet e regjimit komunist e kanë bërë më të kujdesshme në jetë, më korrekte dhe më studiuese. Nuk e mbivlerëson punën e saj, por dhe ruan raporte të drejta me shoqërinë dhe artistët në përgjithësi. Nuk është xheloze ndaj kolegëve, por kohën e racionin në raport me punët që kryen.

 Si do ta përshkruanit fëmijërinë që rrjedh nga një familje me tradita tiranase në një persekutim komunist ?

1) E rritur dhe lindur në Tiranë, rrethanat e sollën që fëmijëria të kalonte në një kalavar vuajtjesh dhe persekutimi. Meritën për edukimin dhe moralin artistik e ka nëna ime, bijë nga një familje e fisme tiranase (Demneri) artiste, argjendare dhe pse mbijetonte duke punuar natë e ditë të na rriste, gjente kohën të na ushqente me dashuri për artin.

  Cilat ishin ëndrrat tuaja në atë sistem dhe a i realizuat?

Ëndrrat e mija ishin pafund dhe brenda atyre mundësive të pakta u bëra kjo që jam sot.

 Kur e keni bërë pikturën e parë dhe cili ishte vlerësimi që more?

 Pikturat e para janë të fëmijërisë, patën goxha vlerësim nga profesorët e mi.

 Përse këmbëngulni shumë tek peizazhet?

 E adhuroj natyrën, më magjeps bukuria dhe ngjyrat e saj.

  Cila është ekspozita e parë dhe si është vlerësuar?

 Unë kam një studio, ku punoj dhe aty kam 10 vjet që ekspozoj punimet e mija, aty i kam pasur vlerësimet, kritikat dhe ofertat për gjithë artin tim. Më vjen mirë që punimet e mija mi vlerësojnë brenda dhe jashtë kufijve. Në studion time modeste pres vazhdimisht piktorë dhe admirues arti.

  Vaji është teknika juaj e preferuar, perse?

Unë i kam ushtruar gjithë teknikat e pikturës akuarel, pastel, guash dhe pigmente te ndryshme. Mendoj se, ka ardhur koha me pjekurinë time artistike të përdor ngjyrat e vajit në telajo për efektin dritë, kolorin e ndezur dhe jetëgjatësinë e vet pikturës, e cila bëhet më e bukur nga vitet që kalojnë.

 Cilët janë piktoret femra dhe meshkuj që ju keni preferuar?

 Nuk kam preferenca të veçanta, e adhuroj artin e të gjithë artistëve meshkuj apo femra, kanë mënyrat e tyre të punës, preferenca, të cilat i respektoj.

  Sot, a i kanë përfituar të persekutuarit mohimet e diktaturës?

Të persekutuarit kanë përfituar nga demokracia lirinë fizike dhe fjalën e lirë, por rehabilitimi i tyre moral dhe financiar lë shumë për të dëshiruar këto 23 vjet. Ato meritojnë shumë më shumë se kaq. Rininë s’mund t’ia kthesh dot, por Dinjitetin duhet patjetër.

  A keni ndonjë peng?

Sigurisht që kam, shpresoj ta realizoj me fëmijët e mi, të cilët janë të tre artistë.

  Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?

 Femra është forcë, është Jetë.

 Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

Sot femrat përballen me shumë probleme. Ato rurale përballen me konceptin kanunor, që s’i lë të ecin përpara, kurse të qytetit përballen me maskilizmin që i sheh si rivale në çdo aspekt të jetës.

 A ka krijuar qeveria “Rama” hapësira për femrat?

Rama vet si person nuk i ka trajtuar mirë femrat, shpresojmë të emancipohet në këtë drejtim.

 Po profesionin e stilistes kur e filluat?

 Duke qenë artiste në shpirt dhe në profesion stiliste ishte pjesë e dëshirës time. Nuk e pata të vështirë fare të bëja tre sfilata me një sukses të plotë dhe të kontribuoja në shtëpi financiarisht me këtë zanat.

 Ku e zhvilluat sfilatën e parë si stiliste?

Sfilata ime e parë është pak specifike, është bërë në maj të 1997-s në një kohë të vështirë dhe të frikshme për punën time dhe të vajzave që i merrnim në fshehtësi të plotë për provat e sfilimit, me sponsorizimin e TVSH-së. Sfilata pati shumë sukses, të tjerat erdhën rrjedhimisht.

  Sa e vështirë është të jesh sot stiliste?

 Stilistja profesioniste ka vështirësi, kryesisht nga tregu i pandershëm, por vlerat e stilisteve të mirëfilltë nuk do zbëhen. Ato mbijetojnë fal aftësive për t’u përballur me këtë treg me dinjitet.

 Cilat janë stilistet tuaj të preferuar ?

Nga stilistet shqiptare është Marjana Eski, nga të huajt gjigandët e modës, ku marrin frymëzim gjithë stilistët.