Si e bëri “VETTINGUN” Adolf Hitleri ose mbi “shtetin e dyfishtë”

598
Kur bie shi dhe kur kam ngé shkruaj në FaceBook nga një rekomandim leximi, që të tjerëve u duket esé. “Ernst Fraenkel, Shteti i dyfishtë – Një kontribut në teorinë e diktaturës”, New York 2010 (Oxford University Press): është një vepër e hershme, e botuar për së pari më 1941 jashtë Gjermanisë, pikërisht kur regjimi nazist i Rajhut të Tretë ndodhej në pikun e vet. Mirëpo ajo ribotohet dendur dhe në shumë gjuhë, sepse vlerësohet ndër referencat më të domosdoshme, si vepër që zbuloi dhe e shpalli sheshit se qysh lind e instalohet një diktaturë. Veçan për ne shqiptarët, që prej përjetimeve tona mund të pandehim – gabimisht – se një diktaturë vjen e vendoset vetëm në rrethanat specifike mbas një pushtimi a një lufte, si rrjedhojë e “fitores” së një force politike e cila imponohet si regjim diktatorial, çfarë edhe ndodhi në Shqipëri, etj. Politologu gjerman Ernst Frankel (1898-1975) na tregon që nuk ndodh vetëm ashtu siç mund ta dinim deri dje: një diktaturë mund të instalohet edhe në kohë paqeje, edhe në rrethana kushtetuese të një pushteti të arritur me vota, i cili fillon të cenojë e të cungojë liritë kushtetuese. Atëherë shtetasit ndodhen përballë një situate të deformuar: kur shteti i tyre nuk është më në funksion të tyre, por në funksion vetëm e vetëm të një pushteti, cilido qoftë ai. Ndër teknikat e larmishme të grushtit të shtetit është fjala për një grusht shteti mjaft origjinal: që nuk jepet nga jashtë pushtetit, për ta rrëzuar atë, por nga vetë pushteti për t’iu imponuar shtetasve në mënyrë jokushtetuese. Ta lexosh sot “Shtetin e dyfishtë” të Fraenkel-it i bie të jesh lexues me fat posa që ngjarjet në ndodhje e sipër në “Turqinë mike” dhe në Rumaninë “romantike” të japin dorë si një ilustrim me ngjyra i një deformimi të ngjashëm me atë që përshkruhet te “Shteti i dyfishtë”. Madje shejnitë e kufizimit të lirive kushtetuese dallohen sot aty-këtu edhe në vende të cilësuara si demokratike të Bashkimit Europian me shkasin e mbrojtjes së shtetasve nga “rreziqe potenciale”, si për shembull terrorizmi. Sepse gjithnjë duhet gjetur një shkas. Si e thoshte Don Kishoti i Nolit? “Do të të çkallmonj, veç sa të gjenj një sebep…”. Fraenkel-i ballafaqon në veprën e tij dy entitete shtetërore: një Shtet normativ (Normenstaat), i mbështetur në kushtetutën e vendit dhe legjislacionin përkatës, dhe një shtet paralel që e ka quajtur “Maßnahmenstaat”, i cili mbetet në politologji koncept i tiji origjinal. Duke qenë term i ri dhe jo i lehtë për t’u përkthyer, anglishtja e ka dhënë me “Prerogative State”, frëngjishtja me “État discrétionnaire”, italishtja me “Stato discrezionale”. Shqip mund të thuhej “Shtet i masave të veçanta”, “Shtet i masave të jashtëzakonshme” ose thjesht “Shtet i masëmarrjes”. Janë partitë në pushtet ato që synojnë ta prodhojnë një shtet të tillë paralel brenda shtetit kushtetues. Dhe shtetasit, kur u ndodh tjetërsimi ndaj shtetit, që do të thotë kur shteti u duket si diçka e dhënë “nga lart”, që nuk e kanë krijuar ata vetë për t’u shërbyer po atyre vetë, u shpëton fakti që shteti si krijim historik nuk ka qenë dhe nuk është dhe as mund të jetë produkt i partive. Kreu “Partia si instrument i shtetit të masave të jashtëzakonshme” në librin e Fraenkel-it përbën njërin nga krerët më të kuptueshëm për lexues si tanët. Në Rajhun e Tretë goditja Shtetit normativ iu dha nëpërmjet një akti të njohur si “Karta e Jashtëzakonshme Kushtetuese”, më sak të emërtuar “Dekreti për Mbrojtjen e Popullit dhe të Shtetit” i 28 shkurtit 1933. Ishte një ndërhyrje dinake në kushtetutën gjermane, shpallur në formë dekreti mbas djegies së Rajhshtagut – pra me t’u gjetur shkasi – dhe përbëhej nga tri seksione, të cilat autori i ka botuar në Shtojcat e librit. Kështu filloi në Gjermaninë naziste kontrolli i sistemit gjyqësor nga partia në pushtet nëpërmjet policisë politike, instrument tipik i “shtetit të masave të jashtëzakonshme”: Maßnahmenstaat. Nuk u përdor termi anglosakson vetting, mbase ngaqë anglosaksonët qenë “armiq” të Rajhut të Tretë. Të drejtat e një individi do të vareshin nga vlerësimi politik që i bëhej atij. Deri edhe një dokument fillestar, për shembull certifikata e lindjes, mund të mos jepej nëse nuk miratohej nga policia politike. Nëpërmjet kësaj teknike “shteti i masave të jashtëzakonshme” zuri të veçonte mes shtetasve të shtetit normativ ata që llogariteshin “armiq” në bazë arsyesh politike. Dhe nuk qe më çështje individësh: fjala ishte për masëmarrje qartësisht arbitrare ndaj grupesh popullsie të paracaktuara si “armiq të regjimit”. Si të tillë, “armiqtë e regjimit” do të asgjësoheshin edhe ekonomikisht etj. Ekzistimi kushtetues i lirive mbetej në fuqi, për sy e faqe i pacenuar, ndërsa ekzistimi i tyre në realitetin e përditshëm gjerman ishte asgjësuar kryekëput dhe “sovraniteti popullor” kishte mbetur një fjalë goje. Kishte edhe gjermanë që rezistuan, që nuk u pajtuan, që protestuan dhe madje u flijuan duke lënë kokat për ta mbrojt.
Sigal