Shtëpia Botuese “Morava” sjell për publikun “Martesa e përsosur” e autores Jeneva Rose, dinamikat nga vrasja e dashnores te mbrojta

51
Sigal

LIBËR I RI

Titulli: Martesa e përsosur

Autore: Jeneva Rose

A do të pranonit të bëheshit avokatja mbrojtëse e bashkëshortit tuaj, nëse ai akuzohet për vrasjen e dashnores së tij?

Asnjë martesë nuk është e thjeshtë e aq më pak e përsosur. Por, nëse është e përfshirë në një vrasje, ajo bëhet edhe më pak e përsosur. Pikërisht në një situatë të tillë të vështirë e të koklavitur ndodhet çifti Sara dhe Adam Morgan.

Ata po e kalojnë 10-vjetorin e martesës larg njëri-tjetrit. Sara është në Uashington, ku po përgatitet për një çështje të rëndësishme gjyqësore, ndërsa Adami është në shtëpinë e tyre të dytë, larg qytetit, ku po përpiqet të shkruajë romanin që do t’i ndryshojë jetën.

Sara Morgan është një avokate e suksesshme 33-vjeçare dhe një ndër ortaket kryesore të një kompanie ligjore. Një profesioniste e spikatur, tërësisht e përkushtuar në punën e saj, e përllogaritur për të mos i lënë asgjë rastësisë, së cilës duket se  jeta i shkon pikërisht ashtu siç e ka parashikuar.

Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për bashkëshortin e saj, Adamin.  Ai është një shkrimtar që, pavarësisht se përpiqet, dështon vazhdimisht, ndaj  karriera e tij konsiderohet jo edhe aq e suksesshme. Tashmë ka filluar të ndihet i lodhur nga marrëdhënia që ka me Sarën, e cila pjesën më të madhe të kohës ia kushton punës.

Larg qytetit, në shtëpinë e tyre të dytë, të veçuar mes pyllit, Adami përfshihet në një lidhje pasionante me Kelli Samërsin.

Kohë më vonë, një mëngjes, gjithçka kthehet përmbys. Adami arrestohet për vrasjen e Kellit, e cila u gjet e goditur për vdekje me thikë në shtëpinë e dytë të Adamit dhe Sarës.

Shumë shpejt Sarës do t’i duhet të  marrë përsipër çështjen më të vështirë të jetës së saj: të mbrojë bashkëshortin e saj i cili është i akuzuar për vrasjen e dashnores së tij.

Gjithçka ngre pyetjen: është fajtor apo i pafajshëm Adami?

Martesa e përsosur është një libër që nuk e lëshon dot nga dora. Atëherë kur ti mendon se e ke kuptuar atë që po ndodh, autorja i jep një kthesë tjetër komplotit, duke t’i hedhur poshtë të gjitha hamendësimet dhe e kthen historinë në një udhëtim emocionues, nga i cili nuk dëshiron të largohesh.

— THE DAILY READER

*  * *

“Gjithmonë jam ndier sikur Sara e vinte botën nën këmbë, ndërsa unë mezi ia dilja të jetoja në të. Kështu kishte ëndërruar të bëhej ajo – një grua e realizuar, protagonistja e një shfaqjeje solo, ku mua më bie për pjesë të jem vetëm një personazh i dorës së dytë. Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Ne u njohëm kur unë isha në vitin e tretë në Universitetin Duke, ndërsa ajo në vitin e parë. Ajo studionte për shkenca politike, ndërsa unë studioja për letërsi. Në atë kohë, të dy e ëndërronim famën. Sara donte të bëhej një avokate e suksesshme, kurse unë doja të bëhesha njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj të brezit tonë. Pas pesëmbëdhjetë vjetësh, njëri nga ne vazhdon ende të presë për t’u bërë.”

*  * *

“Ua hodha sytë disa herë dhe shkëmbyem vështrime dashamirëse. Ata e dinin kush isha: avokatja e përbindëshit që u mori diçka të shtrenjtë dhe jo thjesht avokatja, por vetë bashkëshortja e tij. Nuk e di për ç’arsye ata tregoheshin të mirë me mua. Më shihnin si të isha në anën e tyre, një viktimë, e gjendur në gjithë këtë katrahurë që la pas personifikimi i së keqes, që ndodhej në anën tjetër të xhamit. Diçka që na kish rënë për pjesë të gjithëve.”

Për autoren

Jeneva Rose është autore e disa librave bestseller të New York Times-it. Ka shitur më shumë se 2 milionë kopje në mbarë botën dhe librat e saj janë përkthyer në 27 gjuhë të ndryshme, si dhe janë përzgjedhur si skenarë filmash.

Martesa e përsosur është libri i saj i parë, i cili e bëri të njohur anë e mbanë botës. Dëshira dhe pasioni për të shkruar e ka shoqëruar që kur ishte e vogël dhe mbështetësja më e madhe e saj ka qenë nëna, ashtu siç shprehet edhe vetë: Faleminderit nënës sime, kampiones së leximit të gjithçkaje që kam shkruar. Gjithmonë i lija mbi tavolinën e kuzhinës poemat, historitë e shkurtra apo kapitujt e një libri që kisha shkruar, që ajo tʼi lexonte kur të kthehej në shtëpi nga turni i dytë. Kur zgjohesha të nesërmen në mëngjes, i gjeja hapësirat e bardha të fletëve mbushur plot me komplimente dhe shënime që tregonin sesa krenare ndihej ajo për mua dhe më inkurajonte të vazhdoja të shkruaja. Madje, ishte ajo që më mësoi si të praktikoja nënshkrimin tim me emrin e parë dhe  atë të mesit – “Jevena Rose” – sepse ajo mendonte që do të shndërrohej në një emër të madh. Dhe veç kësaj, ishte praktikë e mirë për librat që do të nënshkruaja një ditë, siç thoshte ajo. Ime ëmë kishte të drejtë dhe unë doja që ajo të kishte jetuar aq gjatë sa të mësonte se sa shumë të drejtë kishte pasur. Do të doja me gjithë shpirt të dëgjoja fjalët e saj: “TË KISHA THËNË!”