Sejmen Gjokoli/ Mesazhet që vijnë nga Vjena…

529
Sigal

Nuk di pse disa vite me radhë ditën e parë të vitit që nis ta filloj me përcjelljen e Koncertit të Vjenës, dukshëm klasik, por edhe me gjetje mjaft të larmishm,e që të ngërthejnë përpara ekranit.

Një concert, që në fakt si “magnet” mbërthen përpara ekranit miliona shikuesë anë e mbanë botës, jo vetëm ata që konsiderohen si njohës e bartës të kulturës e muzikës klasike, por edhe të tjerë art e kulturëdashës, kjo ngase përfundimisht kjo muzikë  mbetet e përbotshëme e asnjëherë  jashtë kohe.

Më ka ngacmuar gjithmonë, jo vetëm ajo që ndodh brenda asaj skene e salle magjike vjeneze, por edhe intermexot muzikore me klipe e gjetje fantastike.

Po ajo ç’ka mundëm të përcjellim këtë vit është vërtet një befasi e bukur dhe krejt e pa zakontë në historinë e këtij eventi kulturor me fuqi botërore.

Muzika tradicionale shqiptare këtë herë nuk erdhi nga ndonjë skenë sido kudo, por bash nga skena vjeneze në koncertin ku transmentohen përmes interpretimesh virtuoze maja të krijimtarisë muzikore klasike nga korifejtë  e pentagramit botëror.

 Në katër minuta, në ditën e parë të vitit,  si një prelud i jashtëzakonshëm artistik, visare të qenësishme të muzikës tradicionale shqiptare përcillen drejtpërdrejt në të katër anët e botës, në plot 90 shtete e me mbi 50 milionë shikues.

Nuk ka si të  mos ngazëllehesh e të emocionohesh nga kjo ngjarje, që pa mëdyshje meriton të arkivohet në lajmet më të qenësishme që kanë ndodhur këto kohë për kulturën tonë në përgjithësi dhe atë tradicionale në veçanti.

Pas çertifikimit dhe shpalljes “Kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit” që UNESCO i bëri “iso-polifonisë” shqiptare,  duket se përfshirja në agjendën e Filarmonisë së Vjenës e një tjetre vlere shpirtërore të muzikës tradicionale shqiptare, është një rast tjetër fatlum për kulturën tonë kombëtare.

Veç të tjerash kjo po tregon se edhe një here, këtë radhë nga një institucion tjetër  prestigjioz i kulturës europiane, madje edhe nga një kryeqytet jo vetëm i një shteti  europian, por edhe i kulturës botërore, sytë u kthyen nga shpirti krijues tradicional i shqiptarëve.  Por, ndërsa ditët pas transmentit të kolazhit me muzikën tonë tradicionale të titulluar  “ Albanian soul, “ose“ Shpirti shqiptar” po kalojnë duke vendosur distancën e natyrshme, edhe emocionet që përjetuam nga befasia e këtij gjesti jo të zakonshëm,  ja lë vendin mesazheve që përcillen prej kësaj ngjarje.

Pikërisht, pas emocioneve të forta që njeriu ndjen pasi ka përcjellë përmes ekranit magjinë e Koncertit të filarmonisë së Vienës kam guxuar të shkruaj e botoj dy vite më parë, po në gazetën Telegraf, artikullin me titull “ Për një koncert vjenez shqiptar “.

Atëhere as mund ta mendoja që pikërisht dy vite më vonë, pikërisht nga ky concert, do na vinin përmes një interpretimi virtuoz ca avaze orgjinale nga muzika jonë popullore, përpunuar e luajtur me mjeshtëri nga talente shqiptare, pjesë e orkestër famëmadhe.  Atëhere vetëm shtroja si një ide që edhe ne shqiptarët brenda vendit tonë të paktën të mund të kishim, në çdo fundviti, koncertin tonë “vjenez” me perla të folkut shqiptar.

Natyrisht mesazhet që vijnë prej kësaj ngjarje janë shumëplanëshe, siç është edhe roli që duhet të marrë diplomacia kulturore dhe për të mund të flitet jo pak nga specialist të fushës, por unë dua ta përqëndroj këtë shkrim në detyrimin dhe përgjegjësinë që shteti në radhë të parë duhet të këtë ndaj ruajtjes dhe menaxhimit të vlerave tona si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore.

Nuk them ndonjë gjë të re, kur më duhet të shkruaj se pasuria jonë shpirtërore në fakt është “pasuria” që ne kemi tonën e me të krenohemi si europianë, por pikërisht për këtë lypset që kujdesi ndaj saj të jetë edhe më i dukshëm.

Ka një çoroditje marramendëse e një vështrim aspak dashamirës e ligjor, kur vjen puna për menaxhimin e këtyre vlerave të qënësishme e të lidhura fort me identitetin tonë kombëtar.

Rasti i Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, që është thirrur të mbahet në prillin e këtij viti, është treguesi më kokëfortë se si janë katandisur institucionet e kulturës në këto vite të stërgjatura tranzicioni. Një zallamahi e pa falshme dhe e pa kuptueshme në radhë të parë me funksionimin dhe menaxhimin e strukturave të  kulturës, aq sa në shumë raste vet rrogëtarët në këto institucione janë të fundit që njohin apo dashurojnë vet këto vlera shpirtërore. Dhe, ndërsa paguhen si kujdestarë, apo menaxhues të këtyre vlerave shpirtërore, në të shumtën e institucioneve kulturore në qarqet e vendit as kuturisin të thonë një fjalë për gjendjen e kësaj pasurie unikale.

Por të vjen keq që ende nuk po del kush për të orientuar ca politika dobiprurëse e për t’i bërë të mundura më mirë ca punë që, në radhë të pare, në institucionet e kulturës ( ato që mbajnë emrin e cilësuar Kombëtare, sidomos), të mos u gjëndet njerëzve punë, por punës njeriun.

Më duhet të them se “këmbanavve” për një përkujdesje më të madhe e një përgjegjshmëri më të lartë për ruajtjen, transmentimin dhe menaxhimin e vlerave tona shpirtërore  në jo pak raste u “kanë rënë” edhe njerëz e personalitete të cultures, por ende “guri” nuk po e gjen vendin.
Mesazhi i Dritëro Agollit, gjysmë viti më parë, drejtuar edicionit të gjashtë të Aulona Inter Folk Festival, në pozicionin e Presidentit të nderit të Festivalit, mbetet vërtet sa i çmuar, po aq dhe unikal.  Atëhere, poeti Petrit Ruka, i frymëzuar dhe impresionuar nga mesazhi i njeriut të madh  të letrave shqipe i kushtoi një shkrim të posaçëm këtij “amaneti” të madh të Dritëroit, por siç ngjet rëndom në këto raste, ata që duhet të dëgjojnë, asnjëherë nuk kanë vesh.

Mesazhet që për “ shpirtin shqiptar “ vijnë nga Vjena sikur më thonë  t’i përcjell edhe unë disa pasazhe të mesazhit që vjen nga Dritëroit ynë  :

  Këndoni dhe kërceni këngët dhe vallet e gjyshërve

…Le t’i rikëndojmë dhe le t’i rikërcejmë këngët dhe vallet e gjyshërve, duke shtuar diçka nga zëri dhe  lëvizjet tona, pa ua cënuar harmoninë e përhershme tingujve, lëvizjeve dhe ngjyrave të fjalëve. Edhe gjyshërit ndër këto krijime shtuan zërat e tyre, prandaj ato kanë ardhur deri tek ne më të plota dhe më të qëndrueshme. Një valë gjyshërish ka hequr e ka shtuar diçka, një valë tjetër gjyshërish, gjithashtu, ka vënë një ngjyrë e ka sjellë një tingull në trupin e tyre, prandaj ato nuk janë harruar. “Tradita është e gjallë,  kur këndohet dhe kërcehet, kur përkedhelet” – më thoshte një këngëtar nga Tepelena. Edhe ne poetët kemi marrë hua të madhe nga stërgjyshërit, kemi marrë vargje dhe vjersha të tëra, duke bërë pak krehje dhe me shumë përkëdhelira. Pastaj po të hyjmë thellë kohëve dhe thellë vendeve, edhe nga vendet prej nga vijnë festivalistët e huaj të“Aulona Folk Festival”, do të gjejmë Robert Bërnsin, Longfelloun, Pushkininetj, që kanë marrë kaq shumë hua, jo vetëm nga popujt e tyre, por dhe nga popujt përreth.

Muzika: kënga, vallja dhe meloditë me vegla komunikojnë mes popujve,  duke qënë një gjuhë e kuptueshme prej të gjithëve. Popujt e kuptojnë njëri tjetrin prej muzikës, lëvizjeve,  edhe pse fjalët mund të mos t’i kuptojnë.

Prandaj“Aulona” festival është një mundësi më shumë për të komunikuar mes nesh, mes popujve të rajonit dhe më gjerë, për ti kënduar paqes dhe për të shkëmbyer kulturat tona. Këndojini dhe kërcejini edhe në Vlorë këngët dhe vallet e gjyshërve tuaj, qofshin ata shqiptarë, grekë, turq, italianë, malazes, kroat, sllovak, polak, bullgarë, etj.

Këngët e gjyshërve janë tradita e botës dhe si e tillë, kudo ku mbahet gjallë, ajo është si  në shtëpinë e vet. E po, nga mos u heqësh kapelen në shenjë nderimi këtyre gjyshërve tanë të mëdhenj?

Suksese Vlorës dhe festivalistëve të “Aulonës”!

 

Kështu shkruan e thotë Dritëro Agolli për shpirtin shqiptar dhe shpirtërat e popujve të tjerë.

 Në duam t’i dëgjojmë të përcillen prej Vjene, a Vjenave të tjera europiane këngët dhe vallet tona tradicionale, shpirtin shqiptar të patjetërsueshëm, e në duam që përsëri të emocionohemi e krenohemi si shqiptarë, le t’i bëjmë më mirë ca punë kulturore dhe le ta dëgjojmë dhe Dritëroin se ç’thotë.