Prof. Dr. Lush Susaj/ Ditëlindja e Nënë Terezës duhet të na çojë në këmbë, politika hesht

624
26 gushti i çdo viti është ditëlindja e Nënë Terezës, shembullit më të mirë të urtësisë, dashurisë, paqes, mirësisë dhe shërbesës së njerëzimit. Këtë vit është përvjetori i 106-të i lindjes që përkon edhe me shenjtërimin e sajë, nga ku Nënë Tereza dhe vendi i origjinës së sajë (Shqipëria) rikthehen edhe një herë në qendër të vëmendjes së mediave, kulturës dhe historisë botërore. Për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga heshtja e institucioneve të historisë, kulturës dhe mushkopolitikës, ditëlindja e Nënë Terezës (dhe të gjitha evenimentet që lidhen me jetën dhe veprën e saj) janë ditë të rëndësishme të kujtesës dhe historisë sonë kombëtare. Për çdo vatër shqiptare, përvjetorët e Nënë Terezës janë kthyer në ditë feste e krenarie. Janë ditët e kujtesës mbi origjinën, identitetin dhe kontributet e vazhdueshme të Shqiptarëve në kulturën dhe historinë e qytetërimit të Europës dhe mbarë Botës demokratike. 

Në këto ditë të ndërthurjes së shkëlqyer të historisë sonë kombëtare me historinë botërore, shqiptaret kanë të drejtë që të ndihen krenar dhe të lumturohen që një bijë e tyre arriti që të bëhet e përbotshme dhe e pavdekshme sepse i shërbeu mbarë njerëzimit duke rrezatuar paqe, mirësi, dashuri e shërbesë për të gjithë popujt e botës. Në Vatikan, Indi, etj, janë organizuar dhe vazhdojnë të organizohen aktivitete të shumta, si dhe janë drejt përmbylljes përgatitjet për shenjtërimin e sajë. Ndërsa në Tiranë ku Nënë Tereza ka jetuar e ku ka edhe varret e prindërve të sajë, ka një heshtje të pakuptimtë. Ka një heshtje në bllok të programeve televizive, të institucioneve të kulturës, të arkivave, të muzeumeve, një heshtje e pashembullt për botën demokratike. Heshtja ndaj kontributeve dhe figurave të tilla me përmasa botërore tregon edhe një herë faktin se sa të penguar dhe të vetëshkatërruar jemi nga vazhdimësia dhe trashëgimia stopuese bizantine, otomane dhe komuniste. Megjithatë, shqiptarët janë një popull shumë më i ditur e më largpamës se politika. Për pasojë, edhe këtë ditë të paharruar e të ndritur të historisë sonë kombëtare, shqiptarët e kujtojnë dhe festojnë të bashkuar, pa dallime e ndasi pasurore, krahinore, fetare e politike. Në këtë kontekst, shkrimtari Ismail Kadare (Paris 1999) shkruan: “Një pjesë e “liderëve” shqiptarë, si në Shqipëri, si në Kosovë e gjetkë, kanë nevojë të ngutshme të qytetërohen. Ata janë shumë larg nivelit të përfaqësimit që meritonte populli shqiptar. Ky popull është i varfër e është i rreckosur, por është drama e tij e rëndë që kërkon, ashtu si çdo tragjedi, një nivel të lartë të përfaqësimit”. Për të gjithë shqiptarët e më gjerë, 26 gushti i çdo viti është ditëlindja e Nënë Terezës, është një ditë e veçantë feste e reflektimi, është dita më e mirë për të kujtuar e për t’u ndier të lumtur për figurat dhe kontributet e vyera e të vazhdueshme të kombit tone. Është dita për t’u ndier krenarë për origjinën, autoktoninë dhe vazhdimësinë shekullore të plazmës Iliro-Arbënore.
Në ditë dhe momente të tilla

Në ditë e në momente të tilla, shqiptarët, ndonëse me probleme të mëdha ekonomike, politike e shoqërore, mund të meditojnë që të shohin akoma më mirë kontributin dhe rrolin e tyre në historinë e Shqipërisë, Europës dhe Botës. Kjo është dita më e mirë për të parë dhe për të kujtuar edhe njëherë se si kontributet dhe qëndrimi i Shqiptarëve në shekuj, kanë qenë, janë dhe do të jenë në anën e drejtë të historisë së zhvillimit të shoqërisë dhe të mendimit njerëzor. Ditëlindja e Nënë Terezës, është dita e madhe e shqiptarëve, është dita për të e kujtuar edhe një herë se si nga gjiri i këtij populli të lashtë të Europës, kanë dalë jo vetëm mbretër e heronj të shumtë të Antikitetit, por edhe 16 shenjtor, shumë krerë botërorë të Vatikanit, heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti dhe bamirësia e kësaj bote, e përjetshmja, e ndritura dhe e shenjta Nënë Tereza. Politika dhe institucionet e shtetit tonë, ndonëse heshtin, nuk mund të anashkalojnë ndjesën dhe borxhin e madh që i kanë Nënë Terezës, familjes së sajë dhe gjithë kontributeve kombëtare që u goditën pa mëshirë e pa shkak. Heshtja institucionale dhe mungesa e atmosferës festive të këtyre ditëve na rikthen tek ajo kujtesa jo e largët popullore. Na kujton atë mënyrën se si diktatura komuniste dhe pasuesit e sajë (në këto 26 vite të regjimeve hibride-katoviciane), kanë vlerësuar e trajtuar Nënë Terezën, me të gjithë origjinën, trashëgiminë dhe familjen e sajë të harruar e të syrgjynosur. Jemi dëshmitar të gjallë për atë mënyrën e njohur se si institucionet dhe figurat e larta politike e shtetërore të diktaturës komuniste, për vite e dekada me radhë e kanë quajtur Nënë Terezën me epitete të tilla si: “shtrigë”, “agjente të Vatikanit”, “mashtruese” etj. Heshtja dhe mungesa e vëmendjes shtetërore e politike ndaj kësaj figure të madhe të paqes e mirësisë botërore janë simptomat më të frikshme të një vazhdimësie dekadente e mjeruese të sjelljeve komuniste të kamufluara me demagogji demokratike e sherre politike të panevojshme.
Drejtuesit dhe institucionet komuniste

Drejtuesit dhe institucionet komuniste të Shqipërisë së vitit 1974 arritën deri aty sa nuk e patën lënë Nënë Terezën për të ardhur në Shqipëri e për të marrë pjesë në varrosjen e nënës së sajë, Drande Bojaxhi. Dihet se si diktatura komuniste e pati mbajtur të fshehtë, që të mos festohej e as të kujtohej, edhe ditën kur Nënë Tereza mori çmimin NOBEL në vitin 1979. Në këtë kontekst, harresa dhe varfëria e aktiviteteve kulturore e historike të këtyre ditëve, duket se burojnë nga mentaliteti, doktrina, sjellja dhe trashëgimia komuniste ndaj kontributeve, figurave dhe vlerave të kombit shqiptar. Për fat të mirë, Nënë Tereza, ka një identitet botërisht të njohur, të vetëdeklaruar e të dëgjuar nga goja e sajë, ku thotë se: “ jam shqiptare me fis e me farë”. Në këtë kontekst dua të sjell në kujtesë faktin se si për të mbrojtur origjinën e pakontestueshme Iliro-Dalmate të Aleksandrit (ju kujtoj se nga e njëjta origjinë Iliro-Dalmate është edhe Nënë Tereza), gjithnjë i referohemi zbulimit dhe përkthimit të testamentit të Aleksandrit nga Lucia Ndin (1997) ku thuhet: “Unë Aleksandri, bir i Filipit, mbretit të maqedonasve, mishërim i monarkisë, krijues i Perandorisë Greke, biri i Zeusit, bashkëbisedues i Brahamanëve dhe i Pemëve, i diellit dhe hënës, triumfues mbi mbretëritë e Persëve e të Medëve, Zoti i Botës prej ku lind dhe ku perëndon dielli, nga Veriu në Jug, pinjoll i farës së shquar të popujve ilirikë të Dalmacisë dhe Liburnisë dhe të popujve të tjerë të së njëjtës gjuhë që popullojnë Danubin dhe zonën qendrore të Thrakës, u sjell dashurinë, paqen dhe përshëndetjet e mia dhe të të gjithë atyre që ndjekin sundimin e botës. Duke qenë se ju gjithmonë me jeni treguar të besës dhe të fortë e të pathyeshëm në betejat e bëra krah meje, ua jap dhe ua dorëzoj juve në zotërim të lirë gjithë hapësirën e Akuilonit e deri në skaj të Italisë së Jugut. Askush tjetër, veç jush, të mos guxojë të vendoset dhe të qëndrojë në ato vende dhe po u gjet ndonjë i huaj, ai do të mund të qëndrojë vetëm si skllavi juaj dhe pasardhësit e tij do të jenë skllevër të pasardhësve tuaj. U shkrua në Kështjellën e qytetit të Aleksandrisë, themeluar prej meje, buzë lumit madhështor të Nilit, në vitin XII. Me vullnet të perëndive që nderohen në mbretëritë e mia, Zeusit, Marsit, Plutonit dhe Minervës, perëndisë së perëndive. Dëshmitar të këtij akti janë Atleti, logotheti im, dhe 11 princa të tjerë, të cilët unë po i emëroj si trashëgimtarë të mi dhe të të gjithë Botës, meqenëse po vdes pa lënë pasardhës”. Këtë problem Nënë Tereza e ka zgjidhur për së gjalli, duke deklaruar me krenari, kudo e me mijëra herë origjinën e saj shqiptare.
Nënë Tereza është bijë e Shqipërisë dhe e mbarë njerëzimit

Jeta ka provuar se si një shpirt i tillë, një edukatë e tillë kultivohet dhe krijohet më mirë se askund tjetër në ato familjet e vjetra shqiptare, ku për më shumë se 3000 vite me radhë është ruajtur e vazhdon të ruhet e papërlyer dhe e pandotur fara, historia, shpirti, zakonet dhe vazhdimësia e plazmës autoktone të kombit tonë. Pavarësisht nga injoranca dhe heshtja e mushkopolitikës dhe institucioneve mushka të saj, kujtesa jonë kombëtare do ta kujtojë dhe nderojë përjetë Nënë Terezën. Nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse nuk mund të pushojë e as nuk mund të vritet kujtesa e një kombi, orët dhe zanat e të cilit me 26 gusht 1910 shkruan fatin e vajzës së vogël, që lindi në vatrën e varfër të shqiptarit Kol Bajaxhiu, detyrën dhe misionin e madh të paqes dhe dashurisë njerëzore. Orët dhe Zanat e Shqipërisë dhe të Europës së lashtë, që ditën që lindi i caktuan detyrën hyjnore për të qenë shembulli dhe shërbesa e përjetshme e popujve të botës dhe emblema e mirësisë, e identitetit, autoktonisë dhe e madhështisë së kombit shqiptar.
Sigal