Jeta dhe vepra e profesor Birçe Haskos, është shumë e pasur në aspektin jetësor dhe artistik. Në moshën 84 vjeçare u nda nga jeta ky bir i denjë i Dukatit, Labërisë dhe Shqipërisë. U preka thellë shpirtërisht se humba shokun e fëmijërisë, mikun e mençur, e të talentuar, intelektualin e shquar, ku marrëdhëniet dhe komunikimi kishin bashkudhëtuar pa u ndërprerw gjatë gjithë jetës, falë respektit reciprok, traditës,koncepteve, karakterit, moralit dhe botkuptimit për jetën. Ai, u lind në fshatin Dukat, në një familje me rrënjë të thella patriotike, ku mori edukatën familjare, mësimet e para, për të qënë njeri modest, me kërkesa ndaj vetes, për t’i dhënë sa më shumë shoqërisë, pa pretenduar përfitime prej saj. Pas mbarimit të shkollës së mesme Pedagogjike “ Jani Minga” në Vlorë, e nisi jetën profesionale si mësues në fshatrat e Tepelenës dhe mandej u kthye në Vlorë, ku punoi në fshatrat e Novoselës. Falë talentit të tij të spikatur dhe prirjeve të tija artistike, në vitin 1965 konkurroi për aktor dhe fitoi konkursin. Në vitin 1969, përfundoi studimet për art dramatik dhe për rezultatet e larta në mësime, u emrua pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, ku ka ligjëruar për shumë vjet lëndën kryesore “Mjeshtëri Aktori”. Karriera e tij pedagogjike është shumë e gjatë, plot 42 vjet.

Duke qënë pedagog i shumë brezave të artit skenik ka një karrierë të pasur artistike, jo vetëm në mësimdhënie, por dhe në shumë role që ka luajtur në Teatrin Kombëtar dhe në kinematografi. Me punën e palodhur, aftësitë profesionale dhe sjelljen korrekte, arriti të emrohet Dekan i Artit Skenik për shumë vjet. Si pedagog ka lënë gjurmë jo vetëm te kolegët,që flasin me admirim dhe respekt të veçantë, por dhe te studentët që flasin fjalët më të mira, se ishte tepër korrekt, kërkues i rreptë, me cilësi të lartë mësimdhenëse dhe sillesh si edukator e prind me përkujdesjen dhe këshillat e tija miqësore. Krahas punës si aktor e professor, Ai kishte dhe një përkushtim e përkujdesje shembëllore dhe për familjen. Profesorin dhe aktorin e shquar të teatrit dhe kinematografisë Birçe Hasko, publiku i gjerë e kujton për batutat e tija fishkëlluese në disa filma që ka interpretuar si “ Kur zbardhi një ditë “, ku thotë: “ shofer mbaje se më shpëtoi”, te filmi “ Përrallë nga e kaluara “, ku thotë : “ ja ligji ja dhe Maliqi “, e plot të tjerë. Në shumë filma profesor Birçja ka lënë gjurmë, si te filmi “Parrulla “, që u shfaq në Kanë të Francës dhe u nderua me çmimin e “ Rinisë “. Roli që ka interpretuar Birçja, është duartrokitur në mënyrë freatike për 15 minuta nga spektatori, për cilësinë e lartë të interpretimit.

Një spektator i ardhur nga Parisi, pas shfaqjes të filmit, në konferencën e shtypit, i është drejtuar më këto fjalë Birçes: “ Dhe tani që të kam përpara, të kam frikë”, Ky fakt tregon sa shumë ishte përfshirë në qënien e tij, roli i Birçes. Një rast tjetër sinjifikativ nga një plak tiranas , e ndalon në rrugë kur po shkonte në mësim dhe i thotë: “ E di çfarë je Ti, Ti je kripa e gjellës në kinematografinë shqiptare “, e plot episode të tjera, që tregojnë për popullaritetin që kishte fituar me lojën e tij artistike. Për veprimtarinë e pasur aktoreske,duke debutuar më shumë se 40 filma, si mjeshtër i karakterit, Birçe Hasko është vlerësuar me dekorata e tituj nderi, duke filluar nga “ Artist i Merituar “, “ Mjeshtër i Madh “, “ Qytetar Nderi i Bashkisë Orikum “, “ Personalitet i Shquar i Labërisë”, “ Qytetar Nderi i Memaliaj” “ Doctor Honoris Causa “, e tituj të tjerë. Për interpretime të larta është nderuar me medalje në katër fima artistik. Profesor Birçe Hasko, do mbahet mënd për modestinë, ndershmërinë dhe atdhedashurinë, që s’ka bërë kurrë kompromisë me asnjë lloj konjukture. Ai, nuk e harroi kurrë origjinën dhe fshatin e tij të lindjes, ndaj dhe jo rastësisht kishte lënë amanet që të prehej në përjetësi pranë të parëve të tij, Në Dukat. Jeta e tij bohemë, është një shembull që të frymëzon.



















