Petrit Ruka/ Folklori i Tepelenës, ky madem i pashterur folklorik

1310
Sigal

 15 shtatori-Dita e Çlirimit të Tepelenës

Tepelena jonë e vogël mund të krenohet pa ia bërë syri tërr se mund të akuzohet për ndonjë krekosje provinciale, sic ndodh rëndom me vendet e vogla. Historia dhe kënga, pasuria e saj folklorike. Pas kaq dekadash, tani kur po trokas në muzg të jetës, jam bindur më në fund, se Vendlindja ime dhe e juaja, është një kryeqendër folklorike, një thesar i çmuar i artit popullor dhe ndoshta një nga margaritarët më të të rrallë në thesarin e kulturës sonë kombëtare në fushën e trashëgimisë popullore. Mbetet një çudi më vete dhe për t’u studiar seriozisht, se cilat janë arsyet që njerëzit e kësaj ane kanë krijuar kaq shumë perla folklorike, duke shkruar me to historinë e jetës, të luftrave dhe ngjarjeve të këtij vendi.
E me që jemi në 15 shtator, në festën e çlirimit të këtij retthi, le ta nisim që këtej. Dihet që Lufta Nacinalçlirimtare, krahas gjakut të ndershëm për liri, derdhi në trashëgiminë e këngës popullore edhe disa nga kryeveprat e letërsisë së saj gojore. Dua t’ju kujtoj se kënga më e thekshme kushtuar atyre mijra djemve e vajzave që ranë në lulen e rinisë, për të bërë Shqipërinë e re, është lindur këtu, në Tepelenë dhe me sa di unë prej një djali nga fshati Bënçë…
Vini re çfarë mrekullie ka në këtë përgjithësim poetik.
“Seç erdhi pranvera, ra një zi për ne,
Lule, more trima që ratë për atdhe.
Ju kish lindur nëna për një botë të re,
Lule more trima, që ratë për atdhe.”

Ky është një himn i vërtetë, për më të madhen dhe më të ndriturën luftë të organizuar që kanë bërë ndonjëherë shqiptarët në histori për lirinë e tyre. Kënga është ngritur mbi fjalë kaq të thjeshta që në pamjen e parë mund të të krijojnë mendjelehtësinë të mos i marrësh edhe aq seriozisht nga pikepamja e fuqisë emocionale. Por është krejt e kundërta. Së pari ajo ngihet mbi kundërti të forta emocionale. Pikërisht atëhere kur erdhi pranvera, mu në mes të gëzimit pllakos një zi, madje ajo bie, nuk vjen. Kënga thotë “ra,” a thua se kemi të bëjmë me një fenomen natyror që bie nga qielli, si shiu, bora, tërmetet, tufanet. Ajo “ra” sepse ajo është e madhe, nuk erdhi. Gjërat e vogla vijnë, të mëdhat bien, pllakosin. Është fjala për dhembjen dhe ajo është kaq e madhe sa vetëm mund të bierë. Doemos, kishte ndodhur hataja. U vra Asimi, Abazi, Mustafai, dhe dhjetra djem te tjerë 20- 25 vjeçarë. Ata i kish lindur nëna “për një botë të re,” thotë kënga. Ata ishin taksur si kurbani i madh i lirisë. Një brez i tërë i falur për kohë të madhe. E çuditshme. Po të bësh një logari të thjeshtë për moshën e tyre, del që shtatzanitë e nënave të djemve të rënë ishin shtatzani në kohë lufte, të viteve 19, 20, 21, të atyre viteve kur gjëmonte dyfeku në Kotë e Drashovicë dhe ku burrat tepelenas shkruajtën një epope të ndritur gjaku.
E me që jemi tek lufta le të ngjitemi pak në Kurvelesh.
“Kurvelesh, o zemra ime, Kurvelesh
Të dërgon Duçja lëvdime, Kurvelesh…”

Ndërsa ti shqyen sytë se si është e mundur kjo hata, se si ka ndodhur ky turp aty ku nuk ka patur kurrë tradhnjëëtipërgjigja vjen si.rrufe artistike. I beftë dhe drithërues, vjen vargu gjëmëmadh që të shastis… “Me top e me bombardime….
Ne marrim frymë lirisht.
Doemos, këto janë lëvdimet që mund të dërgoj Duçja e me këto lëvdohet Kurveleshi ynë. Gjetja është gjeniale. Të tillë dekorata pranon Kurveleshi i Bilbilenjve, asgjë tjetër. Me to është mësuar prej njëmijë e ca vjetësh. Dhe tjatër lëvdatë nuk do veç heroizmit të tij. Një mrekulli e tërë në pesë gjashtë vargje. Tabloja është rrënqethëse, njerëzia është nëpër shpella, po nuk jepet, qiejve kalojnë gjylet dhe foshnjat kanë mbetur jetime. Po nënat nuk jepen edhe kur qumështi i gjirit thahet nga rropama e luftës. E tillë është kjo rracë e pamposhtur, nuk jepet edhe kur greku vjen me urë në dorë sin ë vitin 1913.
Secc na erdhi greku me urë në dorë
Gratë e Kurveleshit shkojnë për në Vlorë,
Me djepe në krah, me foshnja në dorë,
Qaj, moj Shqipëri, ulër moj e gjorë..

Këtu vargu i parë është i çuditshëm. Nuk fillon me mjerimin e masakrave ashtu sikundër mund të pritet në një këngë lufte. Por me habinë e madhe deri në një hata. Ka ndodhur një gjëmë. Fqinji, me të cilin ka kaluar një vëllazëri prej qindra shekujsh ka bërë një gjë të pamendueshme. Është cmendur dhe është vërsulur me urën e zjarrit në dorë kundër vëllait të tij, sapo ai ka formuar një shtet. Tek fjala e vogël “seç” është mpiksur një habi deri në tmerr. Kjo është fuqia marramendëse e këngëve tepelenase, e poetëve të rrallë që lindin këto male. Më tej pamja është biblike dhe e gdhendur me kaq pak fjalë. Mijra gra dhe fëmijë zvarriten poshtë nëpër ullishtat e Vlorës, por burrat janë aty, tek përroi i Salarisë ku beteja vazhdon me muaj të tërë dhëmbë për dhëmbë. Nuk ka gjumë viti 1913. Dhe kënga labe tepelenase, si asnjë historian, gazetë apo akademi e tërë sjellë në tre rreshta tërë atmosferën e luftës aty. Një grusht burrash, të futur në një shpellë diku matanë përroit të Salarisë, presin agimin që të dalin të luftojnë. Por gjylet nuk i flenë të marrin një sy gjumë për ditë të tëra. Dhe ja se si përshkruhet në mënyrë gjeniale një situatë lufte.
Hall i madh që na ka zënë,
Nuk na lënë gjylet të flemë,
Do këndojmë apo çdo bëjmë?!

Ç’janë këta burra të marrë që nuk ua bën syri tërr. Nuk dinë ku i kanë fëmijët, nuk dinë në se do gdhihen gjallë deri nesër. Po atyre aq u bënë. Me që është errësirë dhe nuk luftojnë dot, atëherë mund të këndojnë këngë labe, një ilaç çudibërës për zemrën. Të tjerët nuk e dinë, po ata e dinë që në bark të nënës se si mbahet zemra gjallë. Me këngë labe…
Çfarë njerëzish janë këta që luftën dhe vdekjen e kanë kaq të zakonshme e të papërfillshme. A kanë emra dhe çfarë sekreti zotërojnë?! Kënga vjen në ndihmë me spjegime të kursyera deri në magjepsje.
Mersin Meçe, rahmet xhani,
Hodhi zinxhirët tek varri…
O djem këtu u mbani,
Se nuk ka vend Junani…
Si është e mundur që të vizatohet vetëm më 15-16 fjalë një portret kaq i qartë dhe madhështor? Ja që kjo mund të ndodh në këngën labe tepelenase. Një burrë nga Dhemblani bën të pabërën, na thotë kënga. Lidhet me zinxhirë pas varrit të vet. Domethënë bën një pakt me varrin e tij. Dhe tani ç’mund t’i bëjnë gjylet këtij Mersin Meçes?! Më thuani ju, me se mund ta trembësh këtë burrë? Fuqia e këtyre vargjeve është një magji që nuk komentohet. Dhe nuk e tepëroj aspak, në se ju them që ajo ia kalon për nga dendësia artistike dhe emocionale edhe Lidhjes së Prometeut me zinxhirë te vepra e Eskilit “Prometeu i Lidhur.”
Dhe ja, sepse…Në se heroi i parë i botës, Prometeu, pasi u vodhi zjarrin dhe gërmat në Olimp Perëndive dhe ua dha njerëzve, Zeusi e dënoi duke e lidhur me zinxhirë tek shkëmbinjtë e Skithisë. Por ky heroi i këngës labe këtu është ku e ku më i paepur. Nuk e lidhin, vetëlidhet në emër të lirisë pas varrit të tij.
Shtatë vjet më vonë, një shoku tjetër të Mersinit i vjen thirrja e luftës në mënyrë urdhërore:
“O Selam do veç në Vlorë….
Do vete në paça forë,
Vini re se cfarë modestie prekëse dhe përgjigje të pabujë zgjedh poeti popullor në përgjigjen e Selam Musait. Sa burrërisht përgjigjet: “do vete në paça forë.”
Dhe si për t’i ngritur kultin e lavdisë Heroit të Njëzetës, poeti popullor tepelenas gjen një rrugë të tërthortë që të shqyen mendjen për nga bukuria mahnitëse. Nuk e vlerëson vetë Selam Musanë, por gjen një gjykatës suprem, më të madhin e jetës mbi tokë, diellin. Ia drejton atij pyetjen se ku bie, kur del në mëngjez, ku ka qejf të ndriçoj përsëpari.
“O dielli proto ku bie? “
Dhe dielli e ka përgjigjen në majë të gjuhës:
“Në malet të Salarie…”
Selam Musai kur vije… e të tjera.

Se përse dielli bje më parë se në Himalaje në këta “malet e Salarie,” kjo nuk ka nevojë për spjegim dhe poeti popullor nuk merret me sqarime të kota, nga ato që bëjnë të patalentuarit. I kursen fjalët se ato i çmon më shumë se floriri. Dielli është diell dhe e di vetë se çfarë burrash nderon. Mençuri drithëruese. Gjetje brilante nga ato që edhe Shekspiri mund t’i kish zili. Po, pa asnjë mëdyshje fuqia e këtij folklori është mahnitëse.
Dhe më tej… Si mos të jesh krenar kur deri më sot kryevepra e folklorit shqiptar, kënga “Mbecë more shokë, mbeçë…” është mbledhur së pari në Dhemblan të Tepelenës dhe nuk ka ende një dëshmi tjetër t’ia rrëzoj gjeografinë. Të gjitha gjasat janë që djepi i saj i ngjizjes është Tepelena. Struktura e saj dhe sidomos trajta e foljes “mbeçë” e përforcojnë edhe më shumë këtë pohim.
Lakonizmi, ja magjia e artit të madh. Kapërcime të befta që të trondisin.
“Ra një ves e mbuloi dhenë,
ra Tafili në Tepelenë…
Çfarë prisni që të ketë midis vargut të parë dhe të dytë, sqarime se përse është këtu fjala?! Për shpejtësinë e këtyre burrave, për befasinë e këtij trimi dhe të shokëve të tij. Paralelizmi midis vesës që bie e mbulon dhenë dhe kryengritësve të Tafili nga Buzi, nuk ka nevojë për asnjë koment. Në letërsi, arti i heqjes së fjalëve të teprta në një poezi quhet elips dhe është një kryemjeshtëri e të shkruarit. Populli as që e ka dëgjuar ndonjëherë këtë fjalë, por e di me zemër, me instikt, me gjak. Ja që e di, sepse ka lindur bashkë me këngën, e ka atë mu në gjakun e tij.
Në një këngë për Hodo Nivicën vijnë nga Tepelena jonë ca pamje që nuk i gjen dot as poshtë mureve të Trojës, nga ato që shkruan babai i letërsisë botërore, Homeri. Në se ato do të ishin përkthyer në gjhuhë të mëdha dhe do të ishin bërë pronë e artit botëror, krahasimet e mia nuk do t’ju dukeshin aspak të tepërta.
Ja seç ndodh në këto vargje…Pas shumë betejash Hodo Aliut i ka ardhur ora e rënies. Poeti popullor bën një kataklizëm të vërtetë me tre vargje mahnitës.
Gjylja mbi kokë i ra,
Koka më dysh iu ça,
Ai bën sikur se pa…
Vetëm një letërsi e madhe mund të krijojë skena të tilla madhështore përtej arsyes. Ka rënë gjysma e kokës në tokë. Mirëpo Hodua është ende në këmbë edhe dy- tre sekonda me gjysmën e kokës tjetër. Ka akoma një sy për të parë se cfarë ndodhi. Mirëpo ai as që denjon ta shikojë gjysmen e kokës që është rrokullisur në tokë. As që do t’ia dijë ky farë trimi. Aq i bën për të. A thua se ajo gjysëm koke që pranoi të binte përdhe nga një gjyle, nuk e meriton të vështohet fare, përderisa nuk qe e zonja të qëndrojë ende mbi supe, si gjysma tjetër. Në të vërtetë vargu i tretë thotë, “ai bën sikur se pa” Domethënë e ka parë, po bën sikur nuk e ka parë, nuk begenis fare ti kushtojë vemendje. E pse do t’i dhimnset atij vetja. Atij i janë vrarë gati të tërë shokët. Si mund të ketë tani keqardhje për vetveten.