Paulin Pali- i madhi i të mëdhenjëve

1544
Sigal

 Ai është kompozitori i 250 këngëve qytetare shkodrane

Vlerësimet e Marije Kraja, Luçie Miloti, Bik Ndoja, Drita Papajani

Me Tef Palin dhe Kol Gurashin gjatë gushtit të vitit 1955, kanë incizuar në Radio Tirana rreth 350 këngë të ahengut shkodran

“Shkodra më befasoi dhe më bëri menjëherë për vete, ishte plot ngjyrë, plot jetë dhe art. Njerëzit ishin shumë të shoqërueshëm  e punëtorë …..Ata ishin shumë njerëzorë”.

Edith  Durham

Bashkim Alibali  “Mjeshtër i Madh”

Kënga shkodrane është shumë e vjetër dhe ka tre shekuj që është krijuar nga njerëz të pasionuar dhe me shumë kulturë në botë. Ajo është dashuri për jetën, për historinë e lavdishme për të bukurën dhe është e gjallë dhe me shumë ndjenjë. Shumë këngë të vjetra këndohen edhe sot me endje dhe ato tingëllojnë shumë të freskëta, sepse kanë punuar me shumë pasion, përgjegjësi dhe dashuri me dhjetëra kompozitorë, poetë të cilët kujtohen me shumë respekt nga populli,  e jo vetëm shkodranë. Shkodra në kohën e Bushatlinjve  të mëdhenj, kishte 3000 dyqane dhe në atë kohë, ishte një qendër  e tregëtisë së madhe. Kishte gjashtë përfaqësi diplomatike, banka të huaja  dhe më 1863 filloi veprimtarinë e vet banka e parë Shqiptare. Dhoma e tregtisë së Shkodrës është krijuar 100- vite më parë,  si një nga më të vjetrat në Europë. Shkodra ishte një qytet shumë i pastër, ku lulet e shumëllojta kundërmonin dhe mbushnin me erën e tyre të këndshme lagjet e qytetit. Nuk është rastësi që si në art dhe në sport të gjithë gjinitë janë promovuar  për herë të parë në Shkodër, ku ka patur edhe tre banda muzikore. Pikërisht në këto mjedise të mrekullueshme lindën këngët për qytetin, për lulet dhe për çdo gjë të bukur. Ashtu poezia dhe muzika e bukur që buronte nga ky qytet dhe kishte fizionominë e tij. Shumë krijues të thjeshtë por me një botë të madhe në shpirtin e tyre, shpesh nuk e tregonin emrin e tyre. Kjo një modesti e njerëzve të kulturuar që na dhanë perlat që i kemi sot dhe janë pjesë e pandarë  e identitetit dhe e shpirtit shkodran. Krijues ka patur edhe nga komuniteti katolik dhe mysliman të cilët i ka lidhur fort shoqëria, arti dhe dëshira për të bukurën. Aty e ka marrë spunton edhe poeti i madh Jorgo Papingji tek kënga ime “Shkodra ime, zemra ime” , ku thotë : “Kur në kisha bjen kumbona/ e këndon hoxha në minare,/  Shqiptarisht gjithë zemrat tona,/ shkrihen bashkë e bahen jare”. Janë me dhjetëra krijuesit e këtyre perlave, por unë këtë radhë do të ndalem në njërin prej tyre  i cili la një thesar të madh  ku  një pjesë  të tyre i kam kënduar edhe unë në gëzimet familjare  dhe në koncerte të ndryshme në Shqipëri dhe jashtë saj si:

“Drandafilja lypte hije” , “Mori vjollca me shumë erë”, “Hajde Gjyle”, “N’njiket kopësht  të bukur un’ të zgjodha” , “Ja na erdhi sot Pranvera”, “Ti në kumbull, unë në kumbull”, “S’ka ma t’bukur se pranverën”, “Kur perëndon dielli “, “Ti je krejt si një gonxhe”, “Gjylistane moj gjylistane “, “Çile zemrën plot kujtime”, etj, etj…kudo dhe në të gjitha vendet ku i kam kënduar më ka shoqëruar publiku duke i kënduar ata fjalë për fjalë. Po, ky është Paulin Pali i cili si krijues është i madh , pa dashur ta ulë sepse “I madh” përdoret shpesh sot për njerëzit e vegjël. E them se e madhe ishte vepra e tij, thesar i paçmuar që na la mbrapa.

Ai është kompozitori i 250 këngëve qytetare shkodrane

Ai përpunoi dhe i pastroi nga turqizmat dhe sllavizmat “Ahengut të Shkodrës” , që ka rreth 1000 këngë që nga viti 1500 e deri në ditët tona. Me Tef  Palin dhe Kol Gurashin gjatë gushtit të vitit 1955 kanë incizuar në Radio Tirana rreth 350 këngë të ahengut shkodran, për Institutin  e Krijimtarisë Popullore. Ai lindi në vitin 1905 nga një familje fisnike dhe i rritur me këngën e bukur Shkodrane. Ai e filloi punën pranë Radio Tiranës në vitin 1937 e deri në vitin 1967. Paulin Pali ishte njohës i shkëlqyer i këngës Shkodrane  sepse u edukua me të që fëmijë. I ati Ndoci ishte klarinetist, i vëllai Karlo Pali  ishte instrumentist, njeri aktiv dhe kompozitor i disa këngëve shumë të bukura si “Në kohë të mbrëmjes në pranverë”, ”Të kam dasht e prap të du “,”këndon bylbyli poshtë te zalli “,”Ska ma t’bukur se pranverën”, “Të kam dasht e edhe të du”….etj. Në Moskë  në vitin  1956 në Balshoj  Teatër në ansamblin tonë, kënga e tij “Këndon bylbyli posht te zalli” pati një sukses të rrallë. Karlo i binte Bracit (instrument me tela) dhe deri në vitet  e fundit ai kishte orkestrën e tij ku në këtë formacion ishin: Shefqet Kruja, Kol Vjerdha, Deto Haxhi, Rexhep Zaganjori me këngëtar Shyqyri Alushi. Gjithashtu dhe kushërinjtë e tij vepronin në këtë fushë siç ishin Nush Pali e Tef Pali, kështu që Paulini u rrit në një ambient të tillë dhe u formua si një krijues , mbledhës dhe përpunues e poet duke kultivuar  pa reshtur këngën popullore qytetare shkodrane  e duke e bërë atë me karakteristika të vërteta  kombëtare dhe duke përhapur në të gjitha trevat shqiptare dhe në të gjithë botën ku jetojnë shqiptarët. Paulini ishte nxënësi dhe miku më i afërt i Ndrek Voglit  një kompozitor i shkëlqyer i këngëve popullore nga i cili u ndikua shumë prej shpirtit të tij prej artisti virtuoz, i cili i mësoi edhe instrumentin e Bracit. Shkollë tjetër për të ishte Kol Gurashi dhe Sait Hoxha ku nga ata mësoi disiplinën dhe kërkesat e larta në trajtimin rigoroz dhe zhvillimin e mëtejshëm të këngës shkodrane. Nuk ishte vetëm një përgatitje por ishte dhe dashuria dhe pasioni i tij i madh që kishte për këngën Shkodrane. Si instrumentist dhe orkestrues shumë i mirë ai formoi orkestrën e Radio Tiranës me njerëz shumë të talentuar dhe të pasionuar.  Kjo orkestër  u formua në vitin 1937 dhe grupi përbëhej nga këta artistë:

Kel Sota         – Këngëtar i grupit

Ahmet Avdyli – Violinë

Pjeter Nikolla  – Kitarë

Zef Gruda          – Klarinetist

Paulin Pali         – Brac  dhe ishte drejtues i grupit.

Me këtë orkestër dhe më vonë me të tjerë ai punoi aktivisht ,ai zbuloi dhe përgatiti këngëtarë  duke i ndihmuar ata atë shfaqnin talentin e tyre. Paulini  ishte me të gjitha vetitë më të mira, i qeshur, i dashur  dhe kërkues për më të mirën. Ai për shumë vite orkestronte dhe punonte me orkestrën dhe këngëtarët dhe pastaj “LIVE” këndoheshin në transmetim  direkt këngët në Radio Tirana me një profesionalizëm të pashoq.

Bashkëpunëtorët e tij kanë shprehur konsideratën e tyre për Paulinin:

Xhevdet Hafizi  -Zoti Paulin Pali  ishte mësuesi i ynë, ishte i qeshur, i butë , i ëmbël dhe i palodhur. I donte të gjithë njëlloj pa dallim moshe gjinie apo fetare, (në kohën që u lidh për jetë me një të fesë myslimane,  Sanije Shaqiri Pali këngëtare, nuk ishte fort e zakonshme dhe me reaksion). Ai punonte me përkushtim me të rinjtë.

Marije Kraja  – Kishte veti të rralla drejtuese, ishte përpunues  i gati tërë “Ahengut  Shkodran”, ishte i qetë, i ëmbël, i dashtun  me të tan’, ishte kërkues dhe shumë i rreptë gjatë emisionit muzikor. Ai të mësonte me e kënduar këngën deri në detaje sa që gjatë transmetimit direkt, nuk gabonte asnjë instrument a këngëtar .

Luçije Miloti: – Jam njoftë me Paulinin qysh në vitin 1947 atë vit që erdha në Tiranë. Ai ka qenë mësuesi, edukuesi formuesi , pra njeriu më i afërt i imi. Ishte i ëmbël, i drejtë, i përkushtuar, me të mësuar gjithçka deri në imtësitë e këngës. Ku nuk kemi shkuar për koncert, në fusha, miniera, kantiere, reparte ushtarake, në skenat e kryeqytetit dhe në të gjitha qytetet. Nuk vijnë njerëz  të mëdhenj si ai.

Bik Ndoja : – Vitet e ushtrisë i kalova më shumë me të, aty në podiumin e Radio Tiranës  duke mësuar e duke kënduar këngën e bukur Shkodrane. Tashti e kujtoj me shumë mall se ai i bëri të pavdekshme pjesën më të madhe të këngëve Shkodrane.

Drita Papajani : – Për mësuesin tim dhe të gjithë këngëtarëve të grupit, ruaj një respekt të veçantë atëror, një respekt të jashtëzakonshëm. Ishte mësues, kërkues, gjykues, sepse ishte ekspert i këngës së bukur Shkodrane. Pra siç e shohim më lart gjatë viteve që punoi në Radio Tirana ai ishte mësues dhe bëri shumë këngëtarë të shquar si: Bik Ndoja, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizin, Bajram Spahiu, Pjetër Gjergjin, Kel Sota, Emil Milotin, Luçije Milotin , Drita Papajani, Despina Trimcev, Sadete Toska, Sanije Shaqiri (Pali), Hajrie Harapi, etj..

Respekti për të gjithë

Respekt të pakufishëm për të gjithë krijuesit dhe ekzekutuesit që na dhanë gjatë dekadave perlat (Thesarin ) e këngës popullore  shkodrane , që mbushën zemrat  dhe shpirtin e popullit,  të cilat populli ka ditur t’i ruaj e t’i mbajë gjallë këto këngë që nuk do të shuhen  dhe nuk do të harrohen asnjëherë, por ajo do të transmetohet brez pas brezi  pavarësisht nga anti-muzika që qarkullon sot. Krahasoni këngën “Karajfilat që ka Shkodra “ ose “Mbeta gjithë ditën hijeve “ etj, etj me këto tallavatë ose këngët që janë pa identitet ose me identitet të huaj që këndohen si shqiptare, që këndohen nga këngëtarë të papërgjegjshëm  dhe dhunues  të këngës tonë të bukur  Shqiptare  të cilat  dhe pse janë  70,80,100-vjeçare, qëndrojnë dhe shkëlqejnë mbi llumin e sotëm. Kënga e jonë është si një burim me ujë të pastër, që sado t’i hedhësh bojë të zezë , nuk e ndot dot. Është për t’u përgëzuar fort festivali i këngës “Lule borë” në  Shkodër, që pasuron për çdo vit  repertorin e këngës Shkodrane, por natyrisht që duhet të jemi shumë fanatikë të fizionomisë sonë kombëtare. Shkrova për Paulin Palin sepse me kontributin e tij, të përkushtuar dhe punën kolosale, ai qëndron fort në piedestalin e këngës popullore qytetare  Shkodrane. Dhe për këtë  shërbim të lartë ndaj artit tonë  meriton respektin dhe mirënjohjen e thellë për të mos e harruar kurrë. Madhështinë e tij ja jep fryti i punës së tij të palodhur të cilin populli ndonëse nuk e di kush e ka bërë këto këngë të mrekullueshme,  i këndon me shumë endje  dhe i përcjell ndër breza. Sot ka shumë “Mjeshtra të mëdhenj” e deri “Nderi kombit”që  mund të jenë  hije e zbehtë ndaj madhështisë së Paulin Palit. Me këtë nder që i ka bërë kombit tonë,  Paulin Pali, ai peshon shumë rëndë në piedestalin  e artit tonë të pastër  Shqiptar,  si “Më i  madhi i të mëdhenjve”!