Në 70-vjetorin e shkrimtarit Vangjush Saro

716
Sigal

Mjeshtri i Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe bashkëpunëtori i “Telegraf”, përfaqëson vlerat më të mira të krijimtarisë dhe qytetarisë

 Shkrimtari dhe publicisti Vangjush Saro, mik e bashkëpunëtor i gazetës “Telegraf”, feston këto ditë 70-vjetorin e lindjes. Ai ka mbaruar gjimnazin “Raqi Qirixhi në Korçë, kurse studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 1985 edhe studimet pasuniversitare pranë Akademisë së Arteve dhe ish-Kinostudio “Shqipëria e re”.

Vangjush Saro ka punuar mësues dhe gazetar. Ai është Qytetar Nderi i Gramshit, mban Urdhërin “Naim Frashëri”, klasi III dhe Çmimin e Karrierës dhënë nga gazeta “Telegraf”; ka fituar gjithashtu çmime kombëtare për vëllimin me tregime “Biri i ambasadorit” dhe novelën “Polic Këmbëvogli”.

Ndër librat e tij, veçohen: vëllimet me tregime “Dy orë dramaturg”, “Biri i ambasadorit” dhe “Rrëfime nga shkolla ime”; novelat “Një ditë pa mamin”, “Polic Këmbëvogli”, “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri”, si dhe romanet “Kurora e Ballkanit” e “Misioni”. Ndër zhanret e prefuara nga autori, është fabula; disa nga botimet në këtë fushë, janë: “Dhelpra shpërblen Lepurin”, “Trumcaku ftillon Ferrën”, “Gomar apo Kaproll?” dhe “E dashur Dhelpër!”

Vangjush Saro është autor i kinokomedisë “Shkëlqim i përkohshëm”; ka shkruar gjithashtu skenarë për filma dokumentarë e vizatimorë, kritikë letrare, si dhe publicistikë. Një pjesë e krijimtarisë së tij është publikuar edhe në gjuhë të huaja: L’Âne et le Chevreuil  (“Gomari dhe Kaprolli”), Dear Fox! (“E dashur Dhelpër!”), The Boy who became a Balloon (“Djali që u bë tullumbace”), One Day without Mom (“Një ditë pa mamin”), etj. Krijimtaria e tij ka vëmendjen e publikut dhe të mendimit letrar.

Aktualisht jeton në Vankuver (Kanada).

Nga krijimtaria e autorit

 

-Dy orë dramaturg/ Tregime satiro-humoristike/ “Naim Frashëri”, 1975

-Në kërkim të studentit Mete/ Tregime satirike/ “Naim Frashëri”, 1979

-Një copëz jetë/ Pjesë teatrale, 1983

-Miku i vogël / Poemë për fëmijë/ “Naim Frashëri”, 1983

-Biri i ambasadorit/ Tregime satirike/ “Naim Frashëri”,  1988

-Shkëlqim i përkohshëm/ Kinokomedi/ Kinostudio “Shqipëria e re”1988

-Mikesha/ Film vizatimor/ Kinostudio “Shqipëria e re”1988

-Ervini dhe miqtë/ Novelë gazmore/ “Toena”, 1993

-Një ditë pa mamin / Novelë gazmore/ “Toena”, 1994

-Polic Këmbëvogli/ Novelë gazmore/ “Reklama”, 1995

-Dy fëmijë në Kampionatin Botëror / Novelë/ ASD, 2001

-Albania more than a gateway/Dokumentar me subtitrim në disa gjuhë/ Net Vision Studio 2001

-Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri / Novelë/ ASD, 2003

-Rrëfime nga shkolla ime/ Tregime për fëmijë/ ASD, 2004

-Dhelpra shpërblen Lepurin/ Fabula/ ERIK Botime, 2012

-Trumcaku ftillon Ferrën/ Fabula / ERIK Botime, 2014

-“Kurora” e Ballkanit/ Roman / Amazon, 2016

-Djali që u bë tullumbace/ Novelë (shqip dhe anglisht)

-Misioni/ Roman/ Amazon 2018

-E dashur Dhelpër!/ Fabula/ ERIK Botime 2019

-Dear Fox!/ Përmbledhje me fabula në anglisht 2020

-L’Âne et le Chevreuil/ Përmbledhje me fabula në frëngjisht 2021

 

………………………………………………………………………………………………..

 

FABULA

 

ËNDRRA

 

Një dallgë ëndërrimtare ra mbi shkëmb;

dhe para se të bëhej copë-copë,

dëgjoi një zë:

“E di, e di, të dhemb;

sepse ishe e brishtë dhe e dobët

dhe humbe. Por nuk është fundi i botës.”

 

Shkoi, u shua dallga qetë-qetë,

për t’u rikthyer në një kohë tjetër.

 

GOMAR!

 

Grindet Gomari, lidhur në një hu

teksa gjembaçë kërkon tutje tëhu…

“Pse më jeni qepur vetëm mua?

Ka përqark të tallesh sa të duash:

me kravata, selfie e kobure…

Gjejuni llagapin dhe atyre,

se përtoni dhe i bini shkurt,

qeshni me atë që është i urtë.”

Ish një Mace q’i kujtoi Hajvanit:

“Më mirë syri, o i shkretë, se sa nami.”

 

 

“KRIMBI” I DELIRIT

 

E bëri internetin copë-copë,

pastaj u ul që të pushonte;

përzgjidhte selfie në lëndinë,

duke menduar vetëm për lavdinë.

Ishin Ai dhe Dielli, tok.

(Shto Krimbin e Delirit, mik për kokë.)

Ndërkohë vinte një gjarpër ngadalë

dhe dukej se në shenjë e kishte marrë.

I tha Krimb’ i Delirit:

“Stop!

Largohu ti, e shpie unë në gropë…”

 

NJË FTESË ROMANTIKE

 

Qepur anës gardhit të shtëpisë,

me një Kaposh të ri Dhelpra po fliste;

Shtruar, si përherë, ëmbëlsisht:

 

“Pse më rri atje, o bukurosh,

mbyllur, ndrydhur, shtypur… si në kosh?!

Hidhe, ore, gardhin të gëzosh!

 

Pa shiko përqark ç’blerim  e gaz!

Botë e tërë dimrin e la pas;

kurse ti, i mbyllur, gjithë marraz…”

 

Mendja fiu(!) kokoshit të shkretë,

gardhin e kaptoi me të shpejtë.

Jashtë e priste Dhelpra dora vetë…