Ndarja e çmimeve letrare bëhet mbi baza miqësie dhe klanore

554
Sigal

FORUM/ Si ndahen çmimet e letërsisë në Shqipëri?- Flasin: Behar Gjoka, Hysen Sinani, Petraq Risto dhe Violeta Allmuça

Në mes shkrimtarëve flitet shumë për organizimet e konkurseve të letërsisë, apo çmimet vjetore. Pjesa dërrmuese në shumë takime që kam pas, se kanë ditur kurrë se kur zhvillohen këto konkurse, kush është në juri, kur ndahen çmimet etj… Aq më tepër që për zhvillimin e tyre, as sa për të larë gojën nuk njoftohet as Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve. Çmimet jepen sipas bindjeve politike, juria caktohet po sipas këtyre bindjeve dhe asnjëherë nuk bëhen njoftime publike për këto konkurse. Madje shumica e shkrimtarëve apo poetëve habiten kur jepen çmimet. Në ditën e ndarjes së çmimeve duke qenë prezent nuk kam parë kurrë, asnjë shkrimtar apo poet, i cili ka qenë ndër më të lexuarit ndër lexuesit dhe më i vlerësuari nga kritika shqiptare.

 Behar Gjoka, studiues, kritik letrar

Bëhen shpesh herë konkurse për letërsinë. As dihet kur shpallet konkursi, as dihet  kush dhe si fiton. Të njëjtat fytyra në disa juri…

Ka disa kohë që përdor një term, “letërsia e çmimeve”. Ka gati 7-8 vjet që është krijuar një paradoks që në çdo vit  janë ndarë në mënyrë të çrregullt, nga  10 çmime letrare. Është pak e vështirë që një letërsi si e jona të mbajë  mbi kurriz 10 çmime letrare. Duhen të reduktuara  pasi prurjet nuk janë të tilla që të formulojnë vlera që  të justifikohen këto çmime. E dyta, dihet që në këtë periudhë çmimet kanë qenë pjesë e politikës. Emrat janë të njohur të ditur, kanë qenë pjesë e qeverisjes, pjesë e Ministrisë së Kulturës, kanë qenë deputet, kanë qenë ushtar të partisë të kësaj  qeverie apo asaj të mëparshme. Është krijuar një marrëdhënie absurde. Duket sikur çmimet janë prodhimtari e Filologjikut dhe profesorë apo doktorë meritojnë çmime. Duket sikur ata kanë marrë hipotekën e letërsisë. Në fakt ky është mediokriteti më i madh sepse letërsia nuk ka hipotekë.  Hipoteka e letërsisë është në tekstet që shkruajmë .   Jam rrekur të kërkoj se ku gjenden  këto vlera kaq të çmuara lartësisht dhe me thënë të drejtën   e pamundur që unë të kem shkuar më shumë se faqja tre e librit të tyre. Po flas me shijen time  që deri diku është dëshmuar me 16 libra. Por letërsia e çmimeve po bëhet një pengesë serioze për të parë vlera të tjera të cilat nuk janë thjesht tek çmimet sepse ka  shkrimtarë që nuk jetojnë në Tiranë por kane libra, tekste të shkëlqyera. Letërsia shqipe nuk është një nocion që mbyllet me çka ndodh në Tiranë, pasi letërsia shqipe zhvillohet edhe në  Prishtinë, Shkup, diasporë. Tek arbëreshët. Sistemi i programimit të Ministrisë së Kulturës për çmimet, mënyra e formimit të jurisë ka bërë që të të zërë lemeria të marrësh pjesë në një konkurs letërsie. Ky nuk është konkurs për krijuesit, për letrarët, por thjesht një konkurs mes disa teksteve që duhet të hyjnë në bibliotekën kombëtare. Konkurs letërsie është kur autori  shkon në Ministri, dorëzon librin, është i gatshëm të marrë pjesë, merr informacionin e duhur, njihet me kushtet, jurinë. Realisht nuk ekziston diçka e tillë, pasi ky konkurs është një përzgjedhje  klanore e një grupi të caktuar që ndan dekorata, jo si “Hero i Punës socialiste”  por dekorata që x shkrimtar është më i miri, një shkrimtar që është pjesë e asaj partie ose ka çmime që ndahen ca të PS ca të PD.

  Hysen Sinani-Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve

 Konkurset e letërsisë? Askush si dinë si bëhen. Askush nuk i din kur bëhen dhe kush është në juri, Bëhen në mënyrë të fshehtë. Unë si Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve që duhej të isha në dijeni për çdo konkurs as më kanë lajmëruar kurrë. Mimet dhe juritë janë ndarë sipas bindjeve partiake. Në të vërtetë shkrimtarët në përgjithësi janë neutralizuar,nënvleftësuar dhe lënë në hije nga shkrimtarët potentë. Nga ata që kanë qenë të përkëdhelurit e çdo sistemi. Politika, krijoi një elitë të përkëdhelurish me qëllim që të sfumonin zërat kritik të shkrimtarëve dhe artistëve. Kur  ishte komunizmi, disa i bënë  deputetë, disave u dhanë vende të mira pune. Kjo përkëdhelje për këtë kas, vazhdoi edhe në ashtuquajturën demokraci. Prandaj, duke qenë të përkëdhelur dhe të rehatuar, kjo pjesë e shkrimtarëve heshti dhe hesht… Janë  dhënë para për  figurat e njerëzve të letrave të krijuara nga komunizmi (emrat e të cilëve tashmë dihen). Këtë  punë   bënë  edhe demokratët kur erdhën në  pushtet, mbështetën eleitën të heshtnin të tjerët ( dhe shpërfillin të tjerët). Ata  kanë mentalitetin se në demokraci duheshin 2-3 simbole  dhe të tjerët,  nuk duheshin.  Kjo gjë nuk është e vërtetë. Krijuesit e tjerë vërtet nuk kanë mbështetje nga politika, por janë më të pavarur, më idealistë, më rebelë në kuptimin e mirë të fjalës. Kjo i ka lënë disi të varfër ekonomikisht, por jo shpirtërisht. Krijimi  i një elite siç e quajnë politikanët kanë bërë  që pjesa tjetër e shkrimtarëve dhe artistëve të jetë e nëpërkëmbur? Ata veçuan ata që mund të preknin themelet e një politike, që e  kanë fuqinë të bëjnë opinion kombëtar ose zhurmë publike dhe shpërfillën të tjerët. Po të pyesësh Ministrinë e Kulturës dhe ti thuash se çfarë politike kombëtare keni për  librin, ose për spektaklin dhe muzikën, ata  qeshin. Ata mendojnë se nuk bëhet  politikë kulturore. I quajnë mentalitete komuniste. Po a ecet pa politika kombëtare ?

Petraq Risto-shkrimtar, gazetar

 Sot diskutohet shumë për çmimet në letërsi. Cili është mendimi juaj për zgjedhjen e Jurisë, po për krijimet e marra në konsideratë, mbi  ç’baza bëhen?

– Përgjithësisht te ne çmimet nuk pasqyrojnë të vërtetën letrare, por të vërtetën klanore, madje, shpesh, veçanërisht nëpër rrethe, është arritur gjer në ekstrem: autori merr çmimin, juria merr paratë. Kjo është rrjedhojë e varfërisë së autorëve, qoftë edhe e babëzisë apo mungesës së integritetit të jurive (përgjithësisht të varfra).

-Cilat janë problemet e letërsisë shqiptare sot?

-Letërsia shqipe ka shumë probleme, por mendoj se problemi kryesor është përfaqësimi i saj në rrafshin botëror vetëm me Kadarenë. Natyrisht që shkrimtari ynë i shquar i meriton kurorat që ka marrë, por besoj se ka dhe autorë të tjerë në prozë dhe poezi që duhen përkthyer në gjuhë të huaja. Kjo duhet bërë në mënyrë të studiuar e të organizuar nga institucionet e specializuara.

Violeta Allmuça, poete, shkrimtare

-Çmimet sot?  Se di se ka çmime. Kur dalin dhe japin çmimet në televizion habitem. Kurrë s’e kam ditur se si zhvillohen këto konkurse apo si krijohen këto juri. Por e marr me mend që janë ën baza klanore dhe në baza miqësore. Kurrë skam marr pjesë në këto konkurse për shumë arsye, por kryesorja sepse nuk më kanë bërë me dije.  Brenda çdo krijuesi përveç dhuntisë artistike ekziston edhe përvuajtja. Shkrimtari duhet të reformojë veten si njeri që mund të sjellë një model, i cili të merret si sinjal i civilizimit shpirtëror. Në të gjitha kohët shkrimtarët kanë përjetuar, se të pasurit talent nuk është gjithçka. Duhet një punë aq e madhe, sakrifica, vuajtje, kohë, sa vetëm ai që shkruan mund ta imagjinojë. Edhe mua më ndodh e njëjta. Suksesi vjen kur e meriton. Në të vërtetë lexoj letërsi të huaj, nobelistët dhe libra të miqve të mi. Le të themi një letërsi të përzgjedhur. Sigurisht, për çdo krijues letërsia kërkon sakrifica të paimagjinueshme. Meditimi i jetës së njeriut nuk është si një film i thjeshtë, të cilit i dihet fundi. Sa herë kam menduar si do të shfaqen personazhet e mi nëpër libra, por edhe para lexuesit. Romanet e mi asnjëherë nuk përfundojnë në Happy End. Por as sillen nëpër ajrin gri të humbjes. Mbijetojnë duke gjetur vetveten.

Jam tip shumë i ndjeshëm dhe kam një nismë vetjake të rrallë. Më pëlqen të studioj histori, psikologji, filozofinë. Kam lexuar shkrimtarë ku në librat e tyre personazhet lëvizin në një botë ku sundon, e bukura, lumturia, qiell parajsa. Personazhet e mi, përveçse nuk besojnë se ekziston lumturia, vdesin dhe ngjallen, janë lypsa, gra të braktisura, kërkojnë identitetin e humbur, kanë aftësinë të zbulojnë tek vetvetja idealin për jetën dhe botën që i rrethon.