30 SHKALLËT ME DRITË TË BIBLIOTEKËS SË UNIVERSITETIT TË VLORËS
MSc. Albert HABAZAJ, bibliograf.
Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë
Libri është diell. Biblioteka e Universitetit të Vlorës i do rrezet e librit për studentët, pedagogët, stafin dhe studiuesit.
Shkurtore
Biblioteka Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” është çelur me themelimin e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, në 10 Tetor 1994, i cili fillimisht kishte emërtimin Universiteti Teknologjik “Ismail Qemali”, Vlorë. Nga rektori i parë i Universitetit, dr. Shezai Bazaj, për hapjen e bibliotekës u ngarkua zonja Mira Sharra. Më 28 nëntor 2005, Biblioteka e Universitetit mori emrin “Nermin Vlora Falachi” për të nderuar kulturologen Nermin Vlora, mbesë e Ismail Qemal Vlorës. Universiteti ka në dispozicion të studentëve, pedagogëve, studiuesve dhe stafit të këtij Institucioni të arsimit të lartë 3 (tre) biblioteka me 3 (tre) salla leximi, me personel 4 (katër) vetë, me vendndodhje, përkatësisht: Biblioteka shkencore qendrore nr.1, në Godinën A (Rektorati), kati II, që mbulon dhe Fakultetin e Ekonomisë me personel 2 (dy) specialistë; Biblioteka B, nr.2 në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Drejtësisë, kati III, me 1 (një) specialist (që mbulon edhe Fakultetin e Shëndetit) dhe Biblioteka e Re, nr.3 në godinën C, kati I në Fakultetin e Shkencave Teknike dhe Natyrore, e cila është hapur më 28.03.2018 me 1 (një) specialist/e.
Sektori i Bibliotekës Shkencore është njësi ndihmëse e Universitetit, strukturë ndihmës akademike me karakter administrativ në nivel institucioni dhe është në vartësi të Rektorit, sipas organigramës, nëpërmjet zv/rektorit Akademik që ndihmon në realizimin dhe mbështetjen e veprimtarive të mësimnxënies/ mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor ose të zhvillimit të institucionit të arsimit të lartë (Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.
Biblioteka Shkencore e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë është shtëpia e librit, sidomos për studentët, patjetër për pedagogët, stafin dhe studiuesit (jo vetëm personel i UNIVLORËS) që i mirëpret me dashamirësi nga ora 08.00-20:00. Më 7 tetor 2024 çelet viti i ri akademik 2024-2025. Biblioteka jonë është strehëza e ngrohtë e studentëve, e qetë, me hapësirë dhe me dritë, ku djemtë dhe vajzat me ëndrra të bukura universitare mund të studiojnë më mirë se kudo. Mirë se vini, miq e dashamirës të librit dhe shërbimit tonë si misionarë drite për mendim dhe veprim të mirë, të bukur dhe shoqërisht të dobishëm! Jeni të mirëpritur çdo ditë, jo vetëm gjatë sezonit të provimeve, studentë të dashur, po ashtu të mirëseardhur në konferencat, simpoziumet, tryezat shkencore, veprimtaritë kërkimore – shkencore apo letraro – kulturore, që kryen biblioteka universitare si pjesë e së tërës së UNIVLORËS!
Biblioteka për akreditimin e Universitetit dhe përditshmëria
Institucioni siguron ruajtjen, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë së tij akademike, kulturore dhe shkencore. UV ka marrë në pronësi Opusin e trashëgimisë kulturore të Lefter Çipës, të cilat përbëjnë një pasuri kombëtare jo vetëm për studentët e fushës, që vijojnë studimet e nivelit të dytë, por edhe për pedagogët dhe studiuesit shqiptarë apo të huaj. Për dixhitalizimin e standardizuar dhe të unifikuar të librit/ tekstit mësimor apo artikujve shkencorë të nevojshëm, UV është në proçes unifikimi me rrjetin e Bibliotekave Universitare me lider Bibliotekën e Akademisë së Shkencave, për përmbushjen e planit kombëtar për dixhitalizimin e Bibliotekave Universitare dhe atyre të rrjetit. Sektori i Bibliotekës shkencore, me të tre bibliotekat e fakulteteve është një mbështetje efektive e mësimit dhe hulumtimit të studentëve në literaturën e duhur bashkëkohore, revistat/ buletinet, etj. Informacioni për bibliotekat dhe aktivitetet e tyre publikohet në faqen e internetit të Universitetit.
Orari i Bibliotekës: Biblioteka Qendrore në Godinë është e hapur: e hënë – e premte, ora 08:00- 20:00, është në shërbim të studentëve, pedagogëve dhe stafit të Fakultetit të Ekonomisë dhe Rektoratit, mbasdite për të gjithë studentët dhe pegagogët e të katër fakulteteve të universitetit.
Dy bibliotekat e tjera kanë orarin zyrtar 08:00-16:00, fundjavë dhe ditë festash – pushim. Për të llogaritur numrin e përdoruesve të Bibliotekës dhe koeficientin e shfrytëzueshmërisë përdorim
Statistitat vjetore, mujore dhe ditore, të cilat plotësohen sipas udhëzimeve që ka biblioteka dhe ruhen në arkiv, sipas kritereve. Librat për përdorim jashtë bibliotekës huazohen duke plotësuar kartelën e lexuesit/ përdoruesit sipas rregullores së bibliotekës.
Biblioteka ka Rregulloren e brendshme të saj të miratuar nga Senati Akademik i Universitetit.
Për bibliotekën online dhe atë digjitale:
- Në softin COBISS3 uvl për digjitalizimin e katalogut bibliografik të koleksionit të Bibliotekës
përditësojmë tekste dhe artikuj shkencorë si pjesë e rrjetit në sistemin ndërkombëtar Cobiss. Net.
Studentët kanë kërkuar për materiale/ tekste, artikuj digjitalë sipas manualit të librarisë digjitale, i cili ka shërbyer për të aksesuar shërbimin e librarisë digjitale, duke aksesuar këtë shërbim në linkun: https://ulibrary.rash.al/
- Biblioteka Digjitale
Për Bibliotekën elektronike online është punuar me burimet elektronike për Shqipërinë, ndërsa për digjitalizimin e standardizuar dhe të unifikuar të librit/ tekstit mësimor apo artikujve shkencorë të nevojshëm në fillim të viti 2021 ka filluar funksionimin Biblioteka Digjitale e Universitetit. Marrja në pronësi nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë e Opusit të trashëgimisë kulturore të Lefter Çipës, nisi me skanimin dhe digjitalizimit e dorëshkrimeve me vlerë dhe materialeve të rralla në version origjinal dhe kopje autentike të këtij autori polifon, etnofolkloristit dhe poetit atipik Çipa, që përbëjnë një pasuri kombëtare jo vetëm për studentët e fushës, që vijojnë studimet e nivelit të dytë, por edhe për pedagogët dhe studiuesit shqiptarë apo të huaj. Biblioteka shkencore Qendrore, ka gjithashtu në funksion të studentëve dhe pedagogëve edhe Bibliotekën digjitale të prof. Pietro di Marco. Për digjitalizimin libror, vijon puna përditshërisht dhe pa ndërprerje për skanimin, ruajtjen dhe vënien e tyre në dispozicion të përdoruesve, duke pasur përparësi botimet unikale, ato që nuk lejohen të dalin nga salla, enciklopeditë, fjalorët, dorëshkrimet, botimet e vjetra, si dhe ato tekste universitare, që janë më të rëndësishëm e të domosdoshëm për studentët së pari. Me këtë proces merret kryesisht specialisti Elton Brakaj.
Bibliografitë
Janë botuar 2 punime profesionale në fushën e Bibliotekonomisë: Bibliografia “Botime të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Pjesa 1 (1994-2006), ku përfshihen 65 autorë dhe 3 përkthyes – pedagogë të UNIVLORËS me 167 njësi bibliografike (tituj librash, regjistruar dhe në Sistemin Ndërkombëtar të përshkimit Bbliografik të njësive libra dhe jolibra) si dhe: “Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë: Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Pjesa 2 (2006-2023), ku përfshihen 179 tituj librash, nga të cilat 117 tekste mësimore dhe 62 monografi, prodhim intelektual i 108 pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, si dhe 17 përkthyes të këtij institucioni të lartë arsimor, përgatitur nga bibliografi Albert Habazaj, të cilat janë punime kërkimore – shkencore unikale me vlera serioze për universitetin dhe ndër të rrallat ndër universitetet shqiptare. Ndryshe nga e para, kjo bibliografi është e integruar në Sistemin dhe Shërbimet e Përbashkëta Bibliografike Online (COBISS), sipas standardeve ndërkombëtare të përshkrimit bibliografik, si edhe në Sistemin Informues për Veprimtarinë Kërkimore në Shqipëri (E-cris.AL). Në këtë Bibliografi, përveç njësive bibliografike – libra të pedagogëve të UV, janë përfshirë dhe punimet shkencore të figurave të njohura të shkencës shqiptare, si prof. Dritan Spahiu, Llukan Puka, Shaban Sinani, Halit Xhafa, Sulo Hadëri, Sherif Bundo, Beshir Ciceri, Ilir Mandro Agron Xhagolli etj. që, në të Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë gëzojnë statusin “Personel Akademik i ftuar”. Në fund të çdo njësie bibliografike, ndodhet ID përkatëse që e identifikon secilën njësi në këtë sistem.
Në Panairin e Tretë Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, zhvilluar në Tiranë në datat 23-25 prill 2024, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, me pjesëmarrjen e mbi 35 institucioneve, universiteteve dhe subjekteve me veprimtari botuese shkencore, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, për herë të parë në historinë e tij 30 vjeçare promovoi në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dy botimet e tij më të reja: “Studime Ndërdisiplinore në Albanologji” me autor Prof. Dr. Roland Zisi, si dhe “Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, pjesa II (për periudhën 2006-2023), Stafi i bibliotekës është angazhuar edhe në veprimtaritë kërkimore – shkencore të Universitetit dhe të institucioneve të tjera të arsimit të lartë në Shqipëri e jashtë vendit, ku kanë dhënë ndihmesën e tyre me botime të ndryshme të fushave, ku janë përfshirë.
Festa kulturore-artistike
Kemi realizuar takime me shkrimtarë të shquar si Kadareja, Dritëroi, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Nasho Jorgaqi, Fatos Kongoli, Xhevahir Spahiu, Flutura Açka, Maku Pone, etj., me fizikanin e shquar, prof. Niko Thomo, me studiuesit e njohur Anton Berisha, me akademik Gjovalin Shkurtaj, profesorët Rami Memushaj, Ymer Çiraku, Farudin Krutaj, Mësuesin e Popullit, të ndjerin Kristaq Shtëmbari, me albanologët arbëreshë, akad. Francesco Altimari e Matteo Mandalá, etj. Domethënëse dhe me mesazhe të larta njerëzore e kulturore janë bërë veprimtaritë për princin e lirikës shqiptare Ali Asllani, për poetin e studiuesin e spikatur Nexhat Hakiu dhe për kalorësin e lirisë së fjalës, personalitetin shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare Petro Marko, etj. Në këto veprimtari e konferenca shkencore roli i bibliotekës së Universtetit ka qenë i dukshëm, me kumtesat e përgatitura e të mbajtura nga specialistët e saj, të cilat dhe janë botuar, si dhe me faktin se veprimtaritë janë bërë në mjediset e bibliotekës universitare. Për mbarëvajtjen e tyre kemi patur bashkëpunim të frytshëm me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës, që më vonë u riogranizua si Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë. Ndihmesë të palodhur organizative ka dhënë dhe prof.dr. Bardhosh Gaçe.
Gjithashtu, Biblioteka “Nermin Vlora Falaschi” ka zhvilluar e zhvillon veprimtari letrare-artistike dhe kulturore, në të cilat përuron autorë e studiues vlonjatë, autorë të njohur shqiptarë dhe të diasporës shqiptare nëpër botë, ndër të cilët mund të përmendim autoritete të letrave shqipe si Rudolf Marku, Primo Shllaku, Vllasova Musta, Daut Gumeni, Odise Kote, Bujar Skëndo etj. Në Bibliotekën “Nermin Vlora Falaschi”, – siç shprehet mësuesi veteran dhe drejtues i arsimit, poeti lirik Hiqmet Mehmetaj – jemi mbledhur shpesh dhe kemi shkëmbyer mendime, kemi përfituar nga njëri- tjetri, ndaj këtë sallë e quaj faltore, kishë, xhami apo teqè, si bekim i Zotit. E përmend këtë fakt se janë disa njerëz, humanë në universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, që na i kanë krijuar këto mundësi”. Dhe kështu, pa u dukur, bëjmë gjëra të thjeshta, të mira e të dobishme, vërtet të vogla, por me dashuri të madhe, siç dëshironte dhe Shenjt Tereza. Për çdo veprimtari, që zbukuron botën e qytetit, Biblioteka e Universitetit të Vlorës është një vatër e ngrohtë e shkrimtarëve dhe artistëve, e njerëzve të dijes dhe veprimit përparimtar.
Vlerësim dhe mirënjohje për stafin
Në sektorin e bibliotekës, duke filluar që nga themelimi i Universitetit dhe deri në vitin 2024, që përkon me 30-vjetorin e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë kanë punuar apo punojnë: Ermira Sharra, Elisabeta Shehu, Lida Mezini, Albert Habazaj, Esmeralda Çelaj, Hatixhe Likaj, Gentjan Zejno, Elton Brakaj dhe Marieta Mërkuri.
Drejtues të Bibliotekës së Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë ndër vite kanë qenë: Ermira Sharra: 1994-2007 dhe Msc. Albert Habazaj: 2007 e në vijim. Mirënjohje, kolegë të dashur, ju që keni dalur në pension, apo që keni emigruar jashtë shtetit, si dhe ju që jeni në krahun tim në sektorin e Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”Vlorë, si njësi ndihmëse e tij për edukimin akademik, qytetar dhe kulturor të studentëve tanë të dashur, pa të cilët ne nuk mund të funksionojmë në këtë institucion të lartë arsimor!