“Mosha e tretë”, libri më i ri i sociologut Gëzim Tushi

2883
Sigal

Libri “Mosha e tretë” i autorit Gëzim Tushi është një kontribut i ri social. Libri i ndarë në katër kapituj dhe i kushtohet tërësisht problemeve dhe debatit social për moshimin, të moshuarit, statusin dhe raportet e tyre me familjen dhe shoqërinë. Autori është marrë gjerësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme me këtë temë sepse problemet e moshimit dhe realitetet e plakjes së popullsisë po bëhen gradualisht nga temat me rëndësi sociale të ditës, të mënyrës së organizimit të jetës së të moshuarve në Shqipëri.  Autori mendon se kjo e vërtetë sociale lidhet me zhvillimet ekonomike, transformimet e thella sociale të jetës së shoqërisë tonë, e cila tashmë është plotësisht në “shinat e modernitetit”. Ky realitet është njëri dhe nga më kryesorët që sipas autorit ka cenuar dukshëm nivelin kujdesit për të moshuarit në familje por dhe jashtë saj.

Libri në 316 faqe sjell morinë e fakteve të jetës së sotme por autori vlerëson sidomos tendencën e të “nesërmes” që tregon se edhe në shoqërinë tonë po evidentohet e vërteta që pozita e një numri gjithnjë e më të madh të moshuarish është mjaft e vështirë. Ka raste kur situata nga mungesa e kujdesit të familjes biologjike vjen në kufijtë kritikë të ekzistencës dhe shpesh herë bëhet edhe tragjike.

Autori ka sjellë interpretime të ndryshme të shkaqeve të këtij realiteti, arsyet e kësaj pozite të vështirë të të moshuarve në shoqërinë bashkëkohore shqiptare. Disa mendojnë se moderniteti është faktor global që ndikon në prishjen e strukturës tradicionale të familjes dhe kalimin e saj në modelin e familjes pa të moshuar. Ka të tjerë që e lidhin padrejtësisht me faktin se të moshuarit janë në këtë gjendje dhe pozita dhe statusi i tyre social po përkeqësohet sepse të moshuarve të sotëm u ra “fati” i keq që të “jetojnë në një shoqëri të mbizotëruar nga rinia”.

Në të vërtetë Gëzim Tushi mendon se teza që ka të bëjë me ndikimet e modernitetit në ndryshimin e tipologjisë tradicionale të familjes dhe rrjedhimisht edhe në ndryshimin e statusit të të moshuarve edhe në shoqërinë tonë është realitet i vërtetë. Në të vërtetë nuk është ky faktori i vetëm që në kohën tonë ka sjellë cenimin e statusit social dhe të pozitës së të moshuarve në familje dhe shoqërinë tonë. Sipas mendimit të autorit në situatën dhe problematikat që shfaqen në këtë moshë, kanë ndikimin e vet të fuqishëm shumë faktorë të tjerë, që janë komplementarë dhe kanë forcë të madhe determinuese në statusin e të moshuarve, që kanë efekte të konsiderueshme në procesin e përshpejtuar të margjinalizimit social të tyre në familjen dhe shoqërinë shqiptare.

Të moshuarit e ndjejnë këtë ndryshim statusi duke filluar që nga fakti i parë negativ për pozitën e tyre sociale e financiare. Pikërisht në momentin që ata ndahen nga angazhimet e përditshme dhe aktiviteti i zakonshëm. Që shoqërohet edhe më ndryshimin gati drastik të stereotipit të dikurshëm që ka qenë në radhë të parë dhe pothuaj tërësisht i lidhur me punën.

Ndërkaq, kjo pozitë e dobësuar sociale është e lidhur me transformimin regresiv nga ana ekonomike, për shkak se i moshuari kalon nga statusi i të punësuarit me rrogë në pozitën e të moshuarit pensionist. Ky ndryshim nga pikëpamja financiare dhe rrjedhimisht edhe materiale ka  pastaj efekt negativ në ndjenjën që shfaqet dhe që është gjithnjë në rritje të pozitës së tjetërsimit të tyre nga pozita e dikurshme në familje dhe në shoqëri. Kjo situatë e përjetuar prej tyre, bashkë me paranojat që vinë nga moskuptimi i vrullit social të kohës moderne, shkakton psikoza dhe neuroza që janë tipike për moshën e thyer.

Por nuk është e udhës që të jemi të njëanshëm në shpjegimin e shkaqeve të ndryshimit të pozitës së të moshuarve në familje dhe shoqëri. Sepse do të ish qëndrim semplist, i pavërtetë deri në fund në se nuk do pranohej e vërteta e hidhur, që është evidente dhe që vërteton se shkaqet e situatës së vështirë të të moshuarve në shoqërinë tonë nuk janë vetëm ekonomike. Në fakt ato janë shkaqe financiare dhe ekonomike, por po të vlerësosh situatën e shumicës së të moshuarve në vendin tonë, lehtësisht kuptohet se ato janë sociale dhe psikologjike në radhë të parë.

Problemet ekonomike të të moshuarve dhe tjetërsimi si proces social janë të lidhura ngushtë me ndryshime që po ndodhin në strukturën sociale të shoqërisë dhe të familjes. Në këtë kontekst duhet pranuar se “armiqësimi” i të moshuarve me familjen biologjike dhe shoqërinë në shumë raste vjen nga ndryshimi i statusit të tyre social dhe rolit të tyre psikologjik. Libri është strukturuar mirë. Mbi të gjitha është shkruar me gjuhë të kuptueshme. Ai nuk është i dobishëm vetëm për të moshuarit, por edhe për të tjerët. Për ata që janë duke u moshuar, por dhe për të rinjtë që duhet të dinë se si të sillen dhe si duhen ndërtuar lidhjet dhe marrëdhëniet e tyre me të moshuarit.